Buxheti i shtetit shleu gjatë vitit të kaluar mbi 4 mijë fatura detyrimesh të krijuara nga vendimet e gjykatave, të cilat shpallën si të paligjshme pushimet nga puna të një numri të lartë punonjësish të të gjitha niveleve të administratës publike. Të dhënat e thesarit të shtetit analizuara nga BIRN, tregojnë se gjatë vitit 2015, kostoja e përgjithshme e faturave të shlyera për pushimet e padrejta nga puna arriti në 3.1 miliardë lekë, (rreth 22.3 milionë euro), ku pothuajse të gjitha institucionet kryesore në vend qenë përgjegjës për këtë dëm.
Punonjësit në administratën publike shqiptare pushohen shpesh nga puna për arsye të paqena, kryesisht për të liruar vende pune që më pas mbushen me mbështetës të ministrit apo drejtorit të rradhës. Përgjatë 25 viteve të fundit, punësimet për arsye politike janë një sekret i njohur nga të gjithë. Dhe një fakt i pranuar nga të gjithë është gjithashtu që punonjësit e pushuar nga puna i drejtohen gjykatave, të cilat, në shumicën dërrmuese të rasteve, i japin të drejtë dhe akordojnë kompensim financiar, i cili, në fund, paguhet nga taksapaguesit. Ministria e Financave publikon çdo ditë në faqen e saj të internetit listën e shpenzimeve të buxhetit të shtetit të ekzekutuara nga thesari. Që nga marsi i vitit 2014 te kategoritë e shpenzimeve është shtuar zëri “Shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna,”, gjë që e bën të mundur identifikimin e faturave të lidhura me praktikën e pushimeve të padrejta si dhe të institucioneve përgjegjëse për këto dëme. Gjithsesi, një shikim i detajuar i të dhënave të publikuara sugjeron se kategorizimi i shpenzimeve mbart pasaktësi dhe se shifra totale e filtruar prej 3.1 miliardë lekësh mund të mos jetë tërësisht e saktë.
BIRN analizoi informacionin e publikuar në mbi 200 dokumente në formatin Excel dhe zbuloi se të gjitha institucionet, përfshirë edhe institucione përgjegjëse për mbrojtjen e qytetarëve si Avokati i Popullit, qenë përgjegjëse për pushime të padrejta nga puna. Nga totali prej 3.1 miliardë lekësh, vetë Ministria e Financave qe përgjegjëse për shumicën dërrmuese të dëmit. Ajo shpenzoi 1.5 miliardë lekë për të paguar kompensime për punonjësit e spastruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Të dyja institucionet, të cilat kanë bashkarisht rreth 3 mijë të punësuar, janë të njohura pës spastrime masive që shoqërojnë ndryshimet e qeverive.
Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se në datat 24-25 shkurt të vitit 2014 kishin një handikap ligjor për faktin se ligji i vjetër i statusit për nëpunësit civil u shfuqizua dhe ligji i ri hynte në fuqi në datë 26. BIRN ka mësuar se këto ditë janë shfrytëzuar për të bërë punësime me bazë të kontratave në administratë. Vetëm në Dogana janë konstatuar nga një kontroll rreth 30 raste të tilla punësimi me kontratë, duke u justifikuar me nevojat urgjente për personel. Kostoja prej 3.1 miliardë lekësh të shpenzuara në vitin 2015, i shtohet një fature prej 3.3 miliardë lekësh, të cilat, buxheti i shtetit i shpenzoi në periudhën mars 2014-dhjetor 2014. Në përgjithësi, këto qenë ekzekutime të faturave për pushime nga puna të kryera gjatë qeverisë paraardhëse ndërkohë që faturat e vitit 2015, qenë në masë të gjerë produkt i pushimeve nga puna të qeverisë aktuale.
Që nga marsi i vitit 2014 deri në dhjetor 2015, kostoja totale për pushimet e padrejta nga puna arrin në 6.4 miliardë lekë. Kjo është një shumë e stërmadhe për një vend të varfër si Shqipëria, pasi me kaq para, qeveria mund të riparonte 60 shkolla, ose të ndërtonte 50 kilometra autostradë. Shqipëria shpenzon aktualisht rreth 4 miliardë lekë në vit për të ndihmuar rreth 80 mijë familje të varfra të cilat janë në skemën e ndihmës ekonomike. Por një shifër të përafërt e shpenzon çdo vit për të paguar kostot e pushimeve nga puna për arsye politike.
Asnjë përgjegjës mes institucioneve
BIRN pyeti një numër institucionesh më herët këtë muaj mbi numrin e punonjësve të hequr nga puna dhe mbi shkaqet e heqjes nga puna. Përgjigjet që institucionet dhanë sugjerojnë se asnjëra prej tyre nuk është e gatshme të analizojë situatën dhe të mbajë përgjegjësi. “Për sa i përket numrit të çështjeve gjyqësore për periudhën e kërkuar, ju bëjmë me dije se ndodhen në shqyrtim, në procese apelimi dhe rekurse në gjykatat respektive,” shkroi në përgjigjen e tij Ilia Bili, zëvendës drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pa sqaruar se sa është numri i punonjësve të larguar nga puna. Departamenti i Administratës Publike, i cili është përgjegjës vetëm për atë pjesë të administratës publike që përbëhet nga punonjës me statusin e nëpunësit civil, gjithashtu nuk ofroi statistika konkrete mbi numrin e çështjeve në procese gjyqësore për pushime të padrejta nga puna. “Ndjekja e proceseve gjyqësore është kompetencë e institucionit ku nëpunësi civil i larguar ka qenë më parë i punësuar,” shkroi DAP në përgjigjen për BIRN.
Asnjë nga institucionet nuk duket se ka procedura për të mbajtur përgjegjës personat që kanë kryer pushimet e padrejta nga puna dhe që kanë shkaktuar koston e stërmadhe për taksapaguesit. Në fakt, sugjerohet se pushimi nga puna dhe marrja e dëmshpërblimit nëpër gjykata është një procedurë e zakontë. Kostoja totale e pushimeve të padrejta nga puna ka qenë shpesh pjesë e debatit politik. Pasi BIRN publikoi koston e identifikuar për vitin 2014, Partia Demokratike në opozitë akuzoi qeverinë se kjo qe kostoja e pushimeve të kryera pasi Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim morën pushtetin në shtator 2013. Në fakt, faturat e shlyera gjatë vitit 2014 si dhe një pjesë jo e vogël e shlyer në vitin 2015, duket se i përkasin proceseve gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të kryera nga administrata e kaluar. Gjithsesi, kostoja e mijëra pushimeve nga puna të kryera nga administrata aktuale duket se është shfaqur që në vitin 2015 për shkak se marrëdhëniet e punës aktualisht shqyrtohen nga gjykatat administrative, të cilat kanë procedura shumë më të shpejta se sa gjykatat e zakonshme. Në total, kostoja e pushimeve nga puna të kryera nga qeveria aktuale ka gjasa do të rëndojë buxhetin e shtetit në vitin aktual si dhe në vitin e ardhshëm.
Gardianë, roje pylli dhe punonjës të bujqësisë
Nga faturat e ekzekutuara gjatë vitit 2015, bie në sy një numër i lartë pushimesh të padrejta të cilat u kryen nga administrata e burgjeve, nga strukturat e Ministrisë së Mjedisit si dhe nga Ministria e Bujqësisë. Secila prej këtyre institucioneve qe përgjegjëse për qindra fatura detyrimesh të shlyera gjatë vitit të kaluar. Por në tërësi, virtualisht të gjitha institucionet kishin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Në muajin dhjetor 2015, institucioni i Avokatit të Popullit shleu dy fatura me vlerë 4.7 milionë lekë për pushime të padrejta nga puna. Njëra prej faturave i përket znj. Anila Shyti, e cila qe drejtoreshë në këtë institucion me statusin e nëpunësit civil deri në vitin 2012, kohë në të cilën u pushua nga puna.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve janë nga institucionet përgjegjëse për faturën më të rëndë të vetme të pushimeve të padrejta nga puna. Duket sikur në këto institucione është bërë një masakër dhe jo thjeshtë pushime nga puna. Të dhënat e thesarit tregojnë se plot 1.6 miliardë lekë janë paguar gjatë vitit të kaluar për pushimet e padrejta nga puna në administratat doganave dhe tatimeve. Një kërkim i mëtejshëm në Gjykatën Administrative të Apelit, jep detaje për këtë masakër. Ndërsa në përgjigje të pyetjeve të BIRN, doganat thonë se pushimet janë kryer përmes kontrolleve që kanë gjetur shkelje, gjykata duket se nuk i ka pranuar këto kontrolle duke i shpallur të pavlefshme. Problemi kryesor i qeverisë këto kohë duket se transferimi i çështjeve të pushimeve nga puna në gjykatat administrative i ka përshpejtuar proceset duke dhënë vendime finale brenda pak muajve.
Shumë nga vendimet e marra nga Gjykata Administrative e Apelit janë dhënë si vendime finale vetëm pak muaj pas procedurës së shkarkimit nga puna. Zakonisht gjykata ka vendosur thjeshtë se aktet e kontrollit dhe pushimit nga puna kanë qenë të paligjshme. Në një rast të tillë, punonjësi i doganave Saimir Duka mori dhjetë paga shpërblim me vendim të tetorit 2014, për pushimin nga puna që qe marrë në 20 shkurt 2014. Në një rast tjetër, ish-punonjësi Ramiz Gosturani përfitoi 17paga dëmshpërblim. Zakonisht në vendime të tilla, gjykata ka përcaktuar edhe shlyerje me këste të këtyre detyrimeve nga ana e institucioneve publike, gjë që nënkupton se kostoja e pushimeve nga puna të qeverisë aktuale do të vijojë edhe këtë vit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, duket se shumica dërrmuese e dëmshpërblimeve u ekzekutuan përmes kompanive përmbarimore private. Ministria e Brendshme qe institucioni tjetër përgjegjës për një numër të lartë faturash për shkarkime të padrejta nga puna. Kostoja totale për këtë institucion qe 192 milionë lekë. Në një rast pushimi nga puna, Luri Balla u lirua në dhjetor 2013. Gjykata i dha 12 paga shpërblim me vendim final në korrik 2014. Një numër i madh pushimesh nga puna duket se kanë ndodhur edhe në institucionet e prefekturave, të cilat janë në varësi të ministrisë së Brendshme dhe kanë drejtues politikë.
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave është gjithashtu mes institucioneve që kanë shkarkuar një numër të madh punonjësisht pas ndryshimit të qeverisë. Kjo ministri qe përgjegjëse për 98 milionë lekë fatura të kësaj kategorie. Të dhënat e thesarit tregojnë se pushimet nga puna në masë të punonjësve të shërbimit pyjor, pushime që u kthyen formalisht në emër të ndryshimit të strukturës së ministrisë, janë në përgjithësi të paligjshme. Ministria e Drejtësisë dhe drejtoria e burgjeve, një institucion tjetër i pushimeve në masë nga puna kur qeveria aktuale mori pushtetin, shkaktoi 184 milionë lekë dëme. Lista vijon më tej me mjekët dhe mësuesit e pushuar nga puna, me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë, Ministria e Transportit apo Ministria e Mbrojtjes.