Aksionit për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja në kryeqytet iu bashkuan edhe punonjësit e Policisë Bashkiake, të cilët dhuruan drurë dekorative të llojit “Lojfatë”, e njohur ndryshe edhe si “Pema e Dashurisë”. I pranishëm në mbjelljen e 80 fidanëve në lulishten “Qemal Stafa”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi efektivët e Policisë Bashkiake, të cilët krahas shërbimit të përditshëm ndaj komunitetit, tregojnë se së pari, janë edhe qytetarë të mirë.
Lulishtja “Qemal Stafa” është tashmë një hapësirë e gjelbër në qendrën e Tiranës, vend ku kalon kohën e lirë çdo grupmoshë, sidomos fëmijët, të cilët luajnë edhe te këndi i lojërave aty. “Dua të kujtoj që vetëm para dy vjet e gjysmë, kjo ishte e gjitha një hapësirë e paaksesueshme, e rrethuar me gardh dhe ferra. Sot është e hapur dhe i ka dhuruar Tiranës një xhevahir në mes të bulevardit. Kështu që, le të kujtojmë se sa rrugë kemi bërë, por ama të pranojmë që kemi ende shumë rrugë për të bërë, derisa të kemi Tiranën e ëndrrave”, tha Veliaj.
Ai tha se Tirana është shumë pranë arritjes së objektivit për mbjelljen e 100 mijë pemëve të reja. “Jam shumë i lumtur që e fillojmë ditën mbarë, duke mbjellë 80 fidanë Lojfatë; një pemë që sapo të hyjë Marsi do të çelë lule pa fund. Por, me një lule nuk vjen pranvera, as me një pemë, por me 100 mijë pemë mund të vijë. Ndaj, më vjen mirë që i jemi afruar një pranvere me 100 mijë pemë dhe teksa afron 21 Marsi, do të sigurohemi që e kapëm këtë rekord në të gjithë qytetin e Tiranës”, u shpreh ai.
Duke falenderuar punonjësit e Policisë Bashkiake për kontributin e tyre të çmuar në dobi të qytetit, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje që në këtë aksion të përfshihen edhe qytetarë dhe institucione të ndryshme. “Për gjëra të mira ka gjithmonë kohë. Në qoftë se një nga agjencitë më të zëna të Bashkisë së Tiranës gjen kohë për të mbjellë pemë, atëherë secili mundet. Kjo nuk është punë sa i zënë je, por punë mukajeti, dëshire e kënaqësie. Ndaj, dua t’i falenderoj kolegët që jo vetëm kanë disiplinuar një qytet të dalë jashtë kontrolli, por na kanë ndihmuar edhe në këtë nismë fantastike”, tha ai.
Kryeinspektori i Policisë Bashkiake, Ermal Kapllani, përshëndeti nismën për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet. Ai falenderoi qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë Policisë Bashkiake në përmbushjen e detyrës në shërbim të komunitetit. “Iu përgjigjëm thirrjes së kryetarit të Bashkisë, por bëmë edhe detyrën tonë si qytetarë në shërbim të komunitetit. Lamë disa çaste detyrën e policit, për të bërë detyrën e qytetarit”, tha Kapllani.
Një kontribut të çmuar dha edhe kompania T&M Chemical Distribution sh.p.k, e cila dhuroi pemët “Lojfatë”, një dru mjaft i vyer, që përmirëson cilësinë e ajrit. /ma.me