Nga Besar Likmeta/
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi të hënën të rrëzojë ankimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili kundërshtoi vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatje me tre muaj të hetimeve të nisura në ngarkim të tij për pastrimi parash.
Seanca e drejtuar nga gjyqtari Bib Ndreca u mbajt me dyert të mbyllura, pa praninë e medias dhe përfaqësuesi ligjor i Llallës, refuzoi të komentonte mbi vendimin e gjykatës.
Por ndërkohë që procesi ndaj Llallës mbulohet nga sekreti hetimor, një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, i siguruar nga BIRN nëpërmjet një kërkesë për të drejtë informimi, ngre shqetësime mbi transaksionet ish-Prokurorit të Përgjithshëm me biznesmenin, Ardian Beshiri – për të cilin gjatë viteve 2012-2016 ka pasur disa referime nga policia në prokurori për vepra të ndryshme penale.
Gjithashtu, i njëjti shtetas sipas DSIK-së është dënuar në vitin 1993, me një vit burgim për vjedhje me dhunë. Në vitin 2016, Llalla i ka shituar kompanisë LIM- EM sh.p.k – në pronësi të Beshirit, një tokë në Mjull Bathore me vlerë 249 mijë euro, çfarë ka ngritur shqetësime në organet e sigurisë kombëtare për një marrëdhënie të papërshtatshme biznesi. [Kliko këtu për dokumentin]
“Për subjektin e rivlerësimit Adriatik Xhemal Llalla, administrohen informacione konfidenciale dhe informacione të tjera, prej të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme për persona të përfshirë në krimin e organizuar,” shprehet DSIK, në raportin e përgatitur për organet e rivlerësimit.
Raporti i DSIK-së gjithashtu zbulon se Llallës iu revokua viza nga ambasada e SHBA, pasi bashkëshortja e tij përdori vizën diplomatike për një udhëtim privat drejt Amerikës.
I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, Llalla mohoi të kishte dijeni mbi raportin e DSIK-së.
“Nuk e kam marrë këtë raport dhe nuk kam jam njohuri mbi të,” deklaroi Llalla, duke shtuar se do të informohej përpara se të komentonte.
Ndërkohë, zoti Beshiri nuk ishte i arritshëm për koment. Sipas një punonjëse të kompanisë LIM-EM, me të cilën BIRN komunikoi nëpërmjet telefonit, ai ndodhej jashtë Shqipërisë.
Integriteti i figurës
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Pas përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Llalla gëzonte akoma statusin e magjistratit dhe si pjesë e listës prioritare nga Komisioni i Pavarur Kualifikimit ndaj tij filloi procesi i rivlerësimit kalimtar.
Si pjesë e procesit të rivlerësimit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar prodhoi një raport më 2 nëntor 2017 mbi pastërtinë e figurës së ish-Prokurorit të Përgjithshëm, raport që u deklasifikua pjesërisht dhe u mor nëpërmjet një kërkese për të drejtë informimi nga BIRN.
Sipas raportit të DISK-së Llalla në 4 qershor 2016, i ka shitur një tokë ullishte me sipërfaqe 3 mijë m2, në fshatin Mjull Bathore, kompanisë LIM-EM sh.p.k, për 249 mijë euro. Kjo kompani është nën pronësi të shtetasve, Ardian Beshiri dhe Shkëlqim Beshiri.
Për shkak të marrëdhënies së biznesit midis ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe shtetasve Ardian dhe Shkëlqim Beshiri, DSIK ka kërkuar informacion mbi të kaluarën e këtyre dy shtetasve.
DSIK është informuar se gjatë viteve 2012- 2016, kohë gjatë së cilës Adriatik Llalla ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme, ndaj shtetasit Ardian Beshiri ka pasur katër referime për procedime penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjithashtu, raporti i DSIK-së evidenton faktin se Ardian Beshiri është dënuar me vendimin 239, të datës 07.05.1993 nga Gjykata e Tiranës, për veprën penale të ‘vjedhjes me dhunë’, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal.
Sipas raportit të DSIK-së, me datë 17 shkurt 2016, Ardian Beshiri është referuar nga policia në Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për veprën penale të punësimit të paligjshëm dhe fshehje të të ardhurave. Në vitin 2012, i njëjti shtetas është referuar nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi me automjetin e tij Nissan Micra ka përplasur një këmbësor në rrugën Bardhok Biba. Në 17 janar 2014, Beshiri është referuar nga policia në Prokurori për veprën penale ‘shkatërrim prone” dhe në 20 dhjetor 2015, për veprën penale ‘plagosje të lehte me dashje.”
BIRN iu drejtua Prokurorisë së Tiranës me një kërkesë për informacion mbi referimet e bëra nga policia kundër biznesmenit Ardian Beshiri. Prokuroria u përgjigj duke vënë në dispozicion vendimet për mosfillimin e procedimit penal për tre nga këto episode. Në të paktën dy nga këto episode, vendimin i prokurorëve mbështetej mbi arsyetimin se fakti i referuar nuk parashikohej nga ligji.
Ndërkohë, për referimin e datës 20 dhjetor 2015, për veprën penale plagosje me dashje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë u përgjigj se nuk kishte informacion.
Bazuar mbi referimet e mësipërme dhe dënimin e vitit 1993, për grabitje me dhunë, DSIK shprehet se shtetasi Ardian Beshi figuron si person me precedentë penal dhe është implikuar në disa forma të veprimtarisë së paligjshme.
“Nga informacioni që kemi nga ILDKPKI dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në R.SH’ evidentohet se subjekti i rivlerësimit, Adriatik Xhemal Llalla, ka lidhur një kontratë shitblerjeje me shtetasin Ardian dhe Shkëlqim Beshiri, interesat e së cilës janë dukshëm në favor të subjektit të rivlerësimit, pasi pasuria e patundshme në fjalë (e llojit tokë), është shitur disa herë më shtrenjtë se vlera e blerjes por edhe e çmimit real aktual të saj,” shkruan DSIK në raport.
“Në këndvështrimin e përgjithshëm të integritetit dhe pastërtisë së figurës të një punonjësi në sistemin e drejtësisë, çdo dyshim i arsyeshëm për kryerje apo moskryerje të veprimeve, në mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe kur këto veprime dhe mosveprime sjellin përfitim materiale ose jomateriale të padrejta për të si funksionar publik, cenojnë figurën e subjektit të rivlerësimit, shkallën e besueshmërisë dhe e bëjnë këtë individ të mundshëm për t’u vënë nën presion nga strukturat kriminale,” shton DSIK.
Revokimi i vizës
Një tjetër problem që DSIK ka evidentuar për figurën e Llallës, lidhet me vendimin e ambasadës së SHBA në Tiranë për t’i revokuar vizën në Janar 2017. Sipas DSIK-së, ky fakt është referuar nga vetë ish-Prokurori i Përgjithshëm, në Deklaratën e Kontrollit të Figurës, ku Llalla ka shpjeguar se viza i është revokuar me argumentin se bashkëshortja e tij ka përdorur vizën diplomatike për vizitë jo diplomatike në SHBA.
Sipas DSIK –së shqyrtimi i aplikimit për vizë në SHBA, shoqërohet me në verifikim të besueshëm të aplikantit dhe KPK është e opinionit se revokimi i vizës së Llallës është bërë në kontekstin e luftën kundër korrupsion. Disa muaj pas raportit të DSIK-së, në shkurt 2018, ish Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në një listë të zezë zyrtarësh që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.
Ligji amerikan parashikon që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Llalla nuk u pajtua me vendimin e Departamentit të Shtetit dhe në fillim të marsit punësoi një studio ligjore nga Nju Jorku – Sher Tremonte LLP, për ta përmbysur atë.