Kylian Mbappé nuk do të udhëtojë në Japoni për turin aziatik të Paris Saint-Germain, pasi është përjashtuar. Këtë të premte, klubi njoftoi se sulmuesi do të qëndrojë në Paris për një arsye më se të qartë: të ardhmen e tij.
Mes Kylian Mbappe dhe Paris Saint-Germain ka nisur një luftë e ftohtë e cila pritet të agravohet pas vendimit të klubit francez për ta lënë sulmuesin në shtëpi dhe për të mos e grumbulluar në turin që skuadra do të zhvillojë në Japoni.
Drejtuesit u treguan të qartë se anjë futbollist nuk është mbi klubin ndërsa tashmë e kanë nxjerrë në shitje Mbappe duke qenë se dyshojnë për një marrëveshje të futbollistit me Real Madridin për t’u transferuar në Spanjë me parametër zero sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi është i gatshëm të marrë përsipër edhe koston e këtij presioni të hapur ndaj klubit të PSG, dhe në rast se qëndron në kryeqytetin francez atëherë trajneri Luis Enrique mund të marrë urdhër për të mos e konsideruar pjesë të organikës.
PSG është e gatshme të pranojë 200 milionë euro që vijnë nga Arabia Saudite për të, por ylli francez nuk dëshiron të luajë në këtë moshë në një kampionat ku nuk do të kishte mundësinë të konkurronte për të qenë ndër më të mirët e botës dhe të fitonte Topin e Artë.
Së fundmi, është Chelsea që ka hyrë në garë për të marrë shërbimet e sulmuesit francez. Nuk dihet se si dhe çfarë do të ofrojnë Blutë e Londrës për Mbappe, por fakti që në sezonin e ri Chelsea nuk luan në Champions, mund ta shtyjë drejt refuzimit.