Publikimi i fotografive zyrtare të liderëve të Ballkanit dhe botës krah presidentit amerikan Donald Trump nga Nju Jorku ka nxitur diskutime të shumta dhe pretendime në rrjetet sociale. Qëndrimi i njëjtë, gishti i madh i dorës së djathtë lart dhe buzëqeshja pothuajse identike kanë bërë që në rrjet të aludohet me shaka edhe për përdorimin e figurave prej letre apo fotomontazheve.
Fotografitë zyrtare u shkrepën në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Hotelin “Lotte New York Palace”, gjatë një pritjeje të mbyllur për mediat ku Trump mirëpriti delegacionet ndërkombëtare.
Sipas ekspertëve dhe protokollit zyrtar, pamja “identike” e presidentit amerikan në çdo foto shpjegohet me disa faktorë kryesorë:
Stafi i protokollit u cakton liderëve pozicionet fikse përpara dy flamujve – atij amerikan dhe të Presidencës. Këndi i aparatit, ndriçimi profesional dhe vendosja në qendër mbeten të pandryshueshme për çdo delegacion.
Eksperti i gjuhës së trupit Joe Navarro shpjegon se qëndrimi i drejtë, gjoksi i hapur dhe gishti i ngritur lart janë një stil i përzgjedhur nga vetë Trump për të transmetuar dominancë dhe vetëbesim në mënyrë të vazhdueshme.
Pavarësisht ngjashmërive në shikim të parë, fotografitë përmbajnë ndryshime mikroskopike. Te fotografia me Vuçiçin, dora e majtë e Trumpit ndodhet më afër trupit, ndërsa vërehen nuanca të ndryshme te buzëqeshja. Gjithashtu, në fotot e publikuara nga liderë të tjerë, si ai slloven, Trump shfaqet duke shtrënguar duart, duke konfirmuar autenticitetin e plotë të takimeve.











