I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila, Daut Gumeni komentoi zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, duke u ndalur veçanërisht te puna e SPAK. Ai shprehu kritika të forta dhe theksoi se pritshmëritë e larta që shoqëruan reformën në drejtësi nuk po përmbushen.
Gumeni ngriti shqetësime për mënyrën e funksionimit të institucioneve të reja të drejtësisë, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e tyre dhe duke sugjeruar se në disa raste po veprohet me standarde të dyfishta dhe me ndikim politik.
“Po na zhgënjejnë të gjitha këto gjërat e reja. Edhe kjo që i vë goxha emër dhe pastaj i kthejnë mbrapsht, i shtrojnë fjalë, i heqin zanore (SPAK)… na zhgënjeu. Tani është katandisur puna që duhet reformuar ajo që u bë si reformë. Ne nuk bëmë gjë, e bënë ata që e bënë.
Ata kanë filluar ta përdorin jo për të reformuar drejtësinë dhe për të lehtësuar qytetarët, por për të bërë politikën e një pale. Nuk është normale që të merresh me disa raste, kur ka të tjera më të rënda që presin drejtësi.
Ke atë që ka vrarë në mes të bulevardit dhe nuk të lë gjë pa thënë. Si nuk ka përgjegjësi ligjore për këtë? Është një krim që nuk mund të anashkalohet.
Në vend që të jenë të pavarur nga politika, kanë marrë gjysmën e politikës në ngarkim për t’u afruar me pushtetin dhe janë të pavarur nga ligji. Nga ligji nuk mund të jesh i pavarur. Kush i kontrollon këto organe?
Kur del me dokumenta që ka shkelje ligji dhe nuk ka reagim, kjo ngre pikëpyetje serioze. Kjo lloj hetuesie më kujton hetuesinë e vjetër, me metoda që nuk i shërbejnë drejtësisë.
Të thuash që ka 6 mijë faqe, është tallje me qytetarët. Është e papranueshme që të krijohet kjo situatë zhgënjimi për një reformë që u prit me shumë shpresë”.











