Seancat e mbyllura në Gjykatën Speciale ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deklaratat e vazhdueshme të Serbisë për mënyrën se si duket aktakuza ndaj tyre, trajtimi i rasteve që kanë të bëjnë vetëm me shqiptarët dhe jo ndonjë etni tjetër, përgjimi i të burgosurve, rrjedhja e materialeve të cilat më pas u shpërndan e disa prej tyre edhe u bënë publike, krijojnë përshtypjen se kjo gjykatë është politike dhe jo e drejtë.
Pavarësisht këtyre bindjeve të njohësve të fushës së drejtësisë dhe komenteve që bëhen, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për Albanian Post thotë se “s’ka asgjë politike në Gjykatën Speciale”.
“Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zbatojnë ligjet dhe rregullat për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të pavarura në të cilat garantohen të drejtat e të akuzuarve, mbrohen dëshmitarët dhe viktimave u jepet zëri. S’ka asgjë politike atje”, deklaron ajo.
“Shtatë dëshmitarë dëshmuan në seancë të mbyllura dhe madje dëshmitë e tyre u bënë herë pas here në seanca publike”.
“Pala serbe i ka dhënë prokurorisë materiale të kapura nga forcat tona gjatë konfliktit me pjesëtarët e UÇK-së, të cilat mundësojnë t’i dëshmojnë organizimin hierarkik”, ishte deklarata e tij, por këto Trendafilova i quan “pretendime të jashtme”.
“Gjyqtarët merren me provat e paraqitura nga palët në gjykatë, jo me pretendime jashtë sallës së gjyqit apo nga persona që nuk janë të përfshirë në procesin gjyqësor”, thekson kryetarja e DhSK-së.
Aktualisht, edhe pse nuk ka asnjë serb që po gjykohet në Gjykatën Speciale për krimet e luftës në Kosovë, ajo potencoi se “viktimat e krimeve të pretenduar në aktakuzat e konfirmuara publike përfshijnë individë të etnive të ndryshme, përfshirë serbët dhe shqiptarët”.
Në anën tjetër, në nëntor të vitit të kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), kishte kërkuar që ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet e tjera, përveç me ekipin e avokatëve.
Kjo për shkak të përgjimeve të bisedave që ishin bërë ndaj të akuzuarve, por lidhur me këtë Trendafilova akoma s’ka njohuri se me çfarë të drejte ishin përgjuar të burgosurit.
“Regjistrimet publike që janë aktualisht në dispozicion nuk shpjegojnë se në çfarë rrethanash janë marrë komunikimet e cituara nga Prokuroria”.
Me arsyetimin se çështja ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe akuzat ndaj tyre janë të komplikuara, nga Specialja deklarojnë se s’mund të parashikohet kohëzgjatja e përgjithshme e gjykimit.
Intervista e plotë e kryetares së DhSK-së, Ekaterina Trendafilova për Albanian Post
Albanian Post: Rreth 80 për qind e seancave në Gjykatën Speciale deri më tani kanë qenë të mbyllura. Një numër ky tejet i lartë. Kur dihet se Gjykata Speciale ka telashe me kredibilitetin e vet, a nuk e afekton kjo akoma më shumë këtë kredibilitet, duke rrezikuar t’i bëjë të pabesueshme edhe vendimet, për shkak të mungesës së shpërfaqjes në publik të provave dhe argumenteve që dalin për të akuzuarit?
Ekaterina Trendafilova: Nëse shikoni realisht statistikat, do të shihni se numri i seancave që zhvillohen në seancë të mbyllur ose private është në fakt shumë më i ulët sesa shifra që po citoni. Që nga fillimi i nëntorit 2023, 13 dëshmitarë kanë dëshmuar pa masë mbrojtëse, me identitetin e tyre të njohur dhe shumica e dëshmive kanë qenë publike.
Shtatë dëshmitarë dëshmuan në seancë të mbyllura dhe madje dëshmitë e tyre u bënë herë pas here në seanca publike.
Përveç kësaj, gjyqtarët në rastin e Hashim Thaçit lëshuan një urdhër gojor në fillim të nëntorit për të siguruar një publicitet më të madh të procedurave. Për shembull, për seancat që janë zhvilluar në mënyrë private, palët urdhërohen të shqyrtojnë transkriptet me afate të caktuara, me qëllim që të bëhen publike më shumë informacione nga seancat private.
Siç mund ta shihni, gjyqtarët janë të përkushtuar që të sigurojnë që procedurat të zhvillohen në seanca publike sa më shumë që të jetë e mundur ose që të gjitha ose disa pjesë të transkripteve të seancave private të bëhen publike sa më shpejt të jetë e mundur.
Në të vërtetë, ne kemi parë dëshmitë publike të dëshmitarëve dhe dosjet e gjykatës janë raportuar gjerësisht në mediat kosovare.
Kur seancat janë të mbyllura për publikun, kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarët dhe viktimat po ashtu shqyrtohet me kujdes rast pas rasti. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë dëshmitarët dhe kontributin e tyre në vërtetimin e së vërtetës dhe me këtë kontributin e dëshmitarëve për drejtësinë. Shpesh duhet guxim që dikush të dalë dhe t’i tregojë gjykatës historinë e tij, veçanërisht nëse ka pësuar lëndime në të kaluarën.
Mbrojtja e dëshmitarëve është në interes të shoqërisë dhe thelbësore për sundimin e ligjit.
Prandaj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të balancojnë me kujdes natyrën publike të procedurës dhe sigurinë e dëshmitarëve që vijnë për të dëshmuar.
Albanian Post: Në shumë raste në Serbi politikanë të ndryshëm kanë deklaruar se ata janë furnizuesit dhe përcaktuesit se si do të duket aktakuza kundër krerëve të UÇK-së. Për shembull, politikani serb, Milovan Dreçun, në një rast thotë se është Serbia që ka dërguar listën e dëshmitarëve dhe gjithashtu strukturën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ju e keni pranuar të plotë. Përse asnjëherë nuk keni mohuar pretendime të tilla?
Ekaterina Trendafilova: Së pari, nuk më takon mua si kryetare e një gjykate apo ndonjë gjyqtari të komentoj deklaratat politike. Gjyqtarët merren me provat e paraqitura nga palët në gjykatë, jo me pretendime jashtë sallës së gjyqit apo nga persona që nuk janë të përfshirë në procesin gjyqësor.
Së dyti, nuk janë Dhomat e Specializuara që mbledhin provat dhe mbledhin aktakuzën, por Prokuroria e Specializuar, e cila është një institucion në vete. Gjatë gjykimit, të dyja palët, Prokuroria dhe mbrojtja, do të zgjedhin se në cilat prova duan të mbështetësin çështjet e tyre përkatëse.
Më pas, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara ndjekin kuadrin ligjor të DhSK-ës për të vlerësuar me kujdes nëse provat mund të pranohen gjatë procedurës dhe çfarë peshe duhet t’i atribuohet provave të paraqitura si nga Prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja.
Me fjalë të tjera, gjyqtarët do të vendosin për rëndësinë, besueshmërinë, autenticitetin dhe vlerën provuese të provave të paraqitura.
Procesi gjyqësor u jep palëve mundësinë të kundërshtojnë provat e paraqitura nga pala tjetër dhe të marrin në pyetje dëshmitarët e thirrur nga pala tjetër. Kështu funksionojnë gjykimet e drejta dhe të paanshme. Provat paraqiten, kundërshtohen, testohen dhe peshohen sipas ligjit.
Albanian Post: Gjykata Speciale nuk do të duhej të përbënte një gjykatë një etnike që merret me raste vetëm të shqiptarëve, megjithatë akoma nuk ka asnjë aktakuzë për një person të ndonjë etnie tjetër – çfarë iu thoni atyre që kanë këtë akuzë: se jeni gjykatë një etnike?
Ekaterina Trendafilova: Gjykata Speciale merret vetëm me përgjegjësinë penale individuale. Siç pasqyrohet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale mban përgjegjës vetëm individët e shpallur fajtorë për krimet e ngarkuara në aktakuzë jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet.
Ne, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, nuk përcaktojmë se ndaj kujt duhet të ngrihet akuza. Gjyqtarët vendosin nëse Prokuroria Speciale e ka vërtetuar çështjen e saj ndaj personave të akuzuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kjo është detyra jonë gjyqësore, të cilën do ta kryejmë në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me ndërgjegje.
Gjithashtu, do të theksoja se viktimat e krimeve të pretenduara në aktakuzat e konfirmuara publike përfshijnë individë të etnive të ndryshme, përfshirë serbët dhe shqiptarët.
Albanian Post: Për Gjykatën Speciale ka gjithashtu shumë akuza se përbën një institucion politik dhe jo institucion të drejtësisë? Cila do të ishte përgjigja juaj si presidente ndaj këtij pretendimi?
Ekaterina Trendafilova: Nuk ka asnjë bazë për pretendime të tilla. Gjykata Speciale është gjykatë dhe funksionon sipas mandatit që është rënë dakord ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Kosovës dhe që është paraparë me kornizën ligjore në Kushtetutë dhe ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Ligji dhe rregullat e procedurës dhe provave të Dhomave të Specializuara janë hartuar për të garantuar standardet më të larta të drejtësisë penale të pasqyruara në instrumentet ndërkombëtare të ligjit për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore si dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës, zbatojnë ligjin dhe rregullat për të siguruar gjykime të drejta, të paanshme dhe të pavarura në të cilat garantohen të drejtat e të akuzuarve, mbrohen dëshmitarët dhe viktimave u jepet zëri. S’ka asgjë politike atje.
Albanian Post: Kohë më parë prokuroria publikoi disa biseda të të akuzuarve dhe u dha pretendimi se ata kanë ndërhyrë në proces, duke orientuar vizitorët që potencialisht të ndikojnë te dëshmitarët. Kjo u arrit të dëshmohet përmes përgjimeve. Me çfarë të drejte janë përgjuar të burgosurit, a është diçka që lejohet të bëhet?
Ekaterina Trendafilova: Regjistrimet publike që janë aktualisht në dispozicion nuk shpjegojnë se në çfarë rrethanash janë marrë komunikimet e cituara nga Prokuroria.
Megjithatë, si pikë e përgjithshme, mund t’ju them se ligji dhe rregullorja e procedurës dhe provave lejojnë që Prokuroria të kërkojë autorizim gjyqësor për masa të veçanta hetimore, duke përfshirë monitorimin e bisedave, kur plotësohen disa kërkesa.
Albanian Post: Kohë më parë nga Gjykata Speciale rrodhën materiale të cilat më pas u shpërndanë dhe një pjesë u bënë publike. Për këtë Gjykata Speciale akuzoi dhe dënoi Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin, por asnjëherë nuk u bë e ditur nëse ka filluar një hetim brenda Speciales për të kuptuar se si rrodhën ato dokumente jashtë Prokurorisë. A mund të na tregoni a ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim?
Ekaterina Trendafilova: Hetimet janë vetëm përgjegjësi e Prokurorisë së Specializuar. Si kryetare e gjykatës, nuk jam në dijeni të ndonjë hetimi të mundshëm.
Albanian Post: Si do ta vlerësonit bashkëpunimin e Gjykatës me Qeverinë e Kosovës dhe institucione të tjera – a jeni të kënaqura me bashkëpunimin?
Ekaterina Trendafilova: Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar parasheh që, duke iu nënshtruar të drejtave të të akuzuarve, të gjitha autoritetet në Kosovë do të bashkëpunojnë me DhSK-në dhe ZPS-në dhe do t’i përgjigjen çdo kërkese për ndihmë ose ndonjë urdhri apo vendimi të lëshuar nga DhSK-ja ose ZPS-ja.
Gjatë kryerjes së detyrave tona, për shembull, në të kaluarën kemi bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, dhe kemi qenë shumë mirënjohës për ndihmën që na kanë dhënë.
Albanian Post: Tash kur kanë rifilluar seancat dhe një pjesë e konsiderueshme e dëshmitareve janë dëgjuar, a keni një ide se ku shihet fundi i këtij procesi, cili do të jetë viti përmbyllës i Gjykatës Speciale, apo është herët të flitet për këtë tani?
Ekaterina Trendafilova: Nuk është caktuar një vit për mbylljen e gjykatës. Korniza ligjore, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, thotë se mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë autoritetet e Kosovës se hetimet kanë përfunduar dhe po ashtu procedurat kanë përfunduar.
Aktualisht janë katër çështje në fazën paragjyqësore dhe atë të gjykimit.
Kur është fjala për pyetjen tuaj më specifike për gjatësinë e gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve për shkak të kompleksitetit të çështjes aktualisht nuk është e mundur të vlerësohet kohëzgjatja e përgjithshme e gjykimit.
Pasi Prokuroria të mbyllë çështjen, ekipet e mbrojtjes mund të paraqesin mocion duke kërkuar pushimin e akuzave. Në pritje të ndonjë vendimi eventual për këtë, ekipet e mbrojtjes do të kishin mundësinë të parashtrojnë rastet e tyre dhe të thërrasin dëshmitarë.
/f.s