Zëri i Amerikës” njoftoi vendimin e Departamentit të Shtetit, që i ndalon hyrjen në SHBA ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla. Vendimi, sipas radios së mirënjohur, thekon se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. Më herët, ambadasori Donald Lu në Tiranë kishte theksuar se ish-prokurori nuk hetoi politikanët e korruptuar.
Vendimi i Sekretarit të Shtetit e çon më tej “verdiktin” e ambasadorit duke e akuzuar Adriatik Llallën si të përfshirë vetë. Ish-Prokurori i Përgjithshëm është ish-zyrtari i parë shqiptar shumë i lartë, të cilit i ndalohet hyrja në SHBA. Shpallja e tij “non grata” në tokën amerikane çel siparin e aplikimit edhe për Shqipërinë të një ligji që partneri strategjik nuk e kishte aplikuar deri sot me zyrtarët e lartë të Shqipërisë postkomuniste. Motivacioni është sakaq një paralajmërim i qartë se emra të tjerë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh janë në radhë, kandidatë efektivë për t’u përfshirë në listën e personave, të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA.
Shqipëria është një vend veçanërisht i pasur me zyrtarë të korruptuar, që plotësojnë kushtet e një mase të tillë. Masa ekstreme i shkon pikësëpari personit, ndaj të cilit është marrë. Por për vetë natyrën e rastit, një masë e tillë njollos gjithë sistemin e promovimit dhe mbajtjes në detyra shumë të larta të një zyrtari, për të cilin SHBA ka informacione të besueshme së jo vetëm nuk ka hetuar politikanët e korruptuar, por është përfshirë vetë në raste të mëdha korrupsioni. Do të thotë se për një kohë të gjatë, organi i akuzës që ka për detyrë të luftojë korrupsionin, ka qenë vetë problemi në kreun e saj.
Sikurse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që kishte për detyrë të luftonte krimin, akuzohet dhe po hetohet si i përfshirë vetë në aferat e trafikut të lëndëve narkotike. Për raste të tilla Monteskie thoshte se përfaqësojnë shkallën ekstreme të degradimit të autoritetetit dhe bënte krahasimin me helmimin e vetë medikamentit, që prodhohet për të shëruar, por bën të kundërtën. Kurse populli shqiptar ka shprehjen “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë”.
Përveçse çel siparin e aplikimit në Shqipëri, masa amerikane ndaj Llallës vendos sërish disa pika mbi “I” rreth Reformës në Drejtësi me iniciativën e bashkautorësi amerikane. Kjo reformë është konceptuar në thelbin e saj si një investim i ri i Amerikës proshqiptare për të ndihmuar shqiptarët të fitojnë një betejë deri më sot të humbur me të paprekshmit e tyre të korruptuar. Si e tillë, kjo reformë “sui generis”, që u kolaudua përgjatë rrugës me parimet themelore të Komisionit të Venecias, nuk mund të ishte një çështje e rrotacionit të pushteteve në SHBA.
Vetëm mendjelehtësia apo dinakëritë e vogla mund të mendonin se meqë reforma u fillua gjatë presidencës “Obama”, presidenca “Tramp” do ta anulonte. Aspak. Reforma në Drejtësi do të kalonte nga njëra administratë në tjetrën si një çështje me rendësi të veçantë, nga ato që formojnë politikën e shtetit amerikan dhe marrëdhëniet dypalëshe të Uashingtonit me një vend mik siç ishte Shqipëria në një periudhë të caktuar. As që bëhej fjalë të ndodhte ndryshe. Zhvillimet që kanë ndodhur e po ndodhin e kanë konfirmuar këtë. Kushdo që ka akoma iluzione, le të kujtojë firmën e sekretarit të shtetit, Tillerson, në vendimin për Llallën.
Dhe të mendojë se çdo të thotë kjo. Është e gabuar të mendohet se politika amerikane ndaj Shqipërisë apo çdo vendi tjetër mund të personalizohet nga ambasadori dhe zyrtarët e ambasadës. Ambasadorët të sjellin nuanca që lidhen me individualitetin e tyre, ndodh edhe të gabojnë dhe për ketë japin llogari para instancave të tyre, por në vijat themelore ata zbatojnë politikën zyrtare të SHBA-ve në vendin ku shërbejnë. Kështu edhe në Tiranë. Kushdo që ka menduar dhe ka shtyrë edhe të tjerë të mendojnë se ambasadori Lu kishte inate personale me ishProkurorin e Përgjithshëm, sot mund të mbajë shënim se e ka pasur gabim.
Sot është akoma më e qartë se në çështjen e shumë debatuar të zgjedhjes së Prokurorit të ri të përkohshëm, partnerët amerikanë kishin si problem numër një largimin e atij që ishte. Angazhimi i tyre si bashkautorë në hartimin e Reformës në Drejtësi dhe si protagonistë në zbatimin e kësaj reforme shpjegon shumë qëndrime që ata kanë mbajtur dhe pritet të mbajnë, sikurse shpjegojnë edhe shumë zhvillime që kanë ndodhur e pritet të ndodhin. SHBA-të, fatmirësisht, e kanë shumë seriozisht zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Kjo është ngjarja që po përcakton kohën e re politike të Shqipërisë. Në fakt, ka një betejë, përfundimi i së cilës do të përcaktojë të ardhmen e afërt dhe afatgjatë të vendit. Kjo është beteja midis drejtësisë së re në një anë dhe pandëshkueshmërisë në nivelet e larta në anën tjetër. Drejtësia e re është drejtësia e pavarur, e ndershme dhe profesionale që pritet të dalë nga zbatimi në germë dhe në frymë i Reformës në Drejtësi; janë trupa e prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të kalojnë vetingun, janë SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit ku do të ketë prokurorë dhe oficerë amerikanë e europianë, është vetë përballja si asnjëherë tjetër e ligjit penal me korrupsionin dhe krimin në nivelet e larta.
Pandëshkueshëria në nivelet e larta është dështimi më i madh i drejtësisë së vjetër dhe një prej sëmundjeve më të rënda, që i ka kushtuar shtrenjtë zhvillimit dhe demokracisë shqiptare. Pandëshkueshmëria janë hajdutët e mëdhenj të pasurisë dhe fondeve publike, janë oligarkët, janë të paprekshmit, është korrupsioni i zyrtarëve të lartë e shumë të lartë, është krimi i organizuar me lidhje të forta politike, është lënia e vendit në një stanjacion të gjatë mbijetese e varfërie, është solidariteti me elementë të veprimtarisë antidemokratike dhe antikombëtare, i shkatërruesve të proceseve zgjedhore.
Këto janë “ushtritë” ndërluftuese. Thënë ndryshe, kjo është beteja e partnerëve amerikanë e europianë të Shqipërisë në aleancë me aktorët vendës të drejtësisë së re kundër rasteve të mëdha të korrupsionit, kundër horrave dhe horrllëkut të Shqipërisë. Kur do të nisë, si pritet të zhvillohet, a mund të jetë e njëanshme apo do të godasë majtas e djathtas, kush do të fitojë? Do të nisë tamam pasi të ngrihet SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Nuk do të jetë as e lehtë, as e shkurtër si betejë. Goditjet do të jenë ku të jetë vepra penale.
Majtas, djathtas, kudo. Është një hesap që nuk e nderon politikën e re. Fitorja e horrave, të cilën unë e përjashtoj si mundësi, por duhet ta trajtojmë për efekt të analizës, do ta bënte këtë vend plotësisht të pajetueshëm. E keqja do të çimentohej me aureolën e fitores mbi një fuqi shumë të madhe. Fitorja e partnerëve në aleancë me aktorët vendës do të hapë si objektiv të parë kapitullin e ndëshkueshmërisë në nivele të larta dhe të sundimit të ligjit në gjithë piramidën e shtetit dhe shoqërisë.
Ky do të jetë një fillim vërtet i ri në historinë e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë. Për shumë e shumë e vite, pse jo dekada, askush që do të fitojë apo do t’i jepet një post i lartë nuk do të guxojë t’u bjerë me top fondeve publike, të pasurojë shokët me paratë e qytetarëve, të kanabizojë vendin, të bëjë ortakëri për pushtetin me kriminelë, të blejë vota e tjerë. Këto janë pritshmëritë. Shumëkujt i duken utopi. Por ngjarjet që po ndodhin, përfshirë paralajmërimet që janë dhënë e po jepen nga Uashingtoni, japin shpresë dhe siguri.