Nga Ted Galen Carpenter
Publiku dhe politikëbërësit amerikanë, kanë një prirje të fortë për të atashuar Rusinë me Bashkimin Sovjetik. Ky zakon, u shfaq sërish në media dhe opinionin publik, pas samitit të Helsinkit midis presidentit Trump dhe tij rus Vladimir Putin. Kritikët e akuzuan Trump se iu nënshtrua Putinit, madje edhe madje për tradhti, për shkak se nuk bëri mjaftueshëm për të mbrojtur interesat amerikane, dhe për arsye se ishte tepër miqësor me udhëheqësin rus.
Ata e cilësuan sjelljen e shefit të Shtëpisë së Bardhë si një gabim të pafalshëm, pasi Rusia supozohet të jetë një kërcënim i tmerrshëm ndaj Shteteve të Bashkuara. Ekspertët dhe politikanët kundërshtarë të tij, e akuzuan se ndërhyrja e dyshuar e Moskës në zgjedhjet e vitit 2016, përbënte një sulm ndaj Amerikës, të ngjashëm sulmin japonez mbi Pearl Harbor më 1941, dhe sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.
Sjellja prej lutësi e Trump, thanë kundërshtarët e tij, ishte në një kontrast të madh me sjelljen e presidentëve të mëparshëm ndaj tiranëve, veçanërisht ndaj kërcënimeve të Kremlinit ndaj Amerikës dhe Perëndimit. Ata sollën si shembull fjalimin e “perandorisë të së keqes” të Ronald Reganit, dhe kërkesën e tij të mëvonshme që Mikhail Gorbaçov të shembte Murin e Berlinit, si se si duhet të vepronte Trump.
Por problemi me citimin e shembujve të tillë, është se ato aplikoheshin në një vend tjetër:Bashkimin Sovjetik. Shumë amerikanë, veprojnë sikur të mos ketë asnjë dallim domethënës midis atij entiteti dhe Rusisë. Më keq akoma, udhëheqësit amerikanë kanë përqafuar të njëjtin lloj politikash të pakompromis dhe armiqësore, që Uashingtoni ndoqi dikur për të frenuar fuqinë sovjetike.
Ky është një gabim i madh, që ka helmuar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me Moskën, që
nga rënia e Bashkimit Sovjetik në fundin e 1991-it. Një dallim i dukshëm midis Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë, është se elita qeverisëse sovjetike përqafoi marksizëm-leninizmin, dhe objektivin e saj të revolucionit botëror.
Rusia e sotme nuk është një fuqi mesianike. Sistemi i saj ekonomik, është një shumëllojshmëri tejet e zakonshme e kapitalizmit të korruptuar, dhe e socializmit shtetëror jo të ngurtë. Sistemi politik, është një autokraci konservatore me aspekte të një demokracie të manipuluar, por jo një diktaturë njëpartiake që nuk guxon të ketë asnjë lloj kundërshtimi.
Rusia nuk është një demokraci e stilit perëndimor, por as nuk është një vazhdim i totalitarizmit brutal të Bashkimit Sovjetik. Në fakt, filozofia politike dhe sociale e vendit, është krejtësisht e ndryshme nga ajo e paraardhësit të saj. Për shembull, kisha ortodokse nuk kishte ndikim domethënës gjatë epokës sovjetike – diçka që nuk qe befasuese, duke pasur parasysh politikën zyrtare ateiste të komunizmit. Por sot, Kisha Ortodokse ka një ndikim të konsiderueshëm në Rusinë e Putinit, veçanërisht mbi çështjet sociale.
Në fund të fundit, Rusia është një fuqi konvencionale, disi konservatore, ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte një fuqi mesianike, totalitare. Ky është një ndryshim i madh dhe i rëndësishëm, dhe politika amerikane duhet të pasqyrojë atë. Një ndryshim po aq i rëndësishë, është se Bashkimi Sovjetik ishte një fuqi globale (dhe për një fare kohe ndoshta një superfuqi) me ambicie dhe aftësi globale për t’u përballur.
Ai kontrolloi një perandori në Europën Lindore ,dhe pati aleatë dhe klientë në mbarë botën, duke përfshirë vende të tilla të largëta si Kuba, Vietnami dhe Angola. Bashkimi Sovjetik, rivalizoi intensivisht Shtetet e Bashkuara për ndikim, në të gjitha ato zona. Anasjelltas, Rusia është thjesht një fuqi rajonale me një ndikim shumë të kufizuar jashtë rajonit.
Ambiciet e Kremlinit, janë të përqendruara fort tek vendet pranë, dhe ato synojnë të përpiqen të bllokojnë zgjerimin e NATO-s në lindje, dhe ndërhyrjen e udhëhequr nga SHBA në zonën kryesore të sigurisë të Rusisë. Orientimi duket të jetë shumë më mbrojtës, sesa sulmues.
Rusia, do ta kishte të vështirë të zbatonte më shumë sesa një agjendë ekspansioniste shumë të kufizuar gjeografikisht, edhe nëse e ka një të tillë.
Bashkimi Sovjetik, ishte fuqia ekonomike e dytë në botë, vetëm pas Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë Rusia ka sot një ekonomi të përafërt në madhësi me atë të Kanadasë, dhe nuk renditet as tek 10 ekonomitë e para të botës.
Ajo gjithashtu ka vetëm tre të katërtat e territorit të Bashkimit Sovjetik (shumica e të cilës është thuajse e pabanuar në Siberi), dhe më pak se gjysmën e popullsisë së BRSS-së së dikurshme. Sikur të mos mjaftonte, kjo popullsi po zvogëlohet, dhe vuan nga një shumëllojshmëri problemesh të shëndetit publik (sidomos nga alkoolizmi i shfrenuar).
Të gjithë këta faktorë, duhet ta bëjnë të qartë se Rusia nuk është një rivale e besueshme, dhe aq më pak një kërcënim ekzistencial ndaj Shteteve të Bashkuara dhe sistemit të saj demokratik. Fuqia e Rusisë, është një hije e zbehtë e Bashkimit Sovjetik. Burimi i vetëm i pandërprerë i ndikimit të saj, është arsenali i madh bërthamor i vendit.
Por, ndërsa armët bërthamore janë pengesa e fundit. Ato nuk janë shumë të dobishme për projektimin e fuqisë apo për luftën konvencionale, përveçse nëse udhëheqja politike dëshiron të rrezikojë një vetëvrasje kombëtare. Dhe s’ka asnjë dëshmi që Putini dhe mbështetësit e tij oligarkë, janë kamikazë. Përkundrazi, ata duken të etur për të akumuluar sa më shumë pasuri.
Së fundmi, interesat e sigurisë të Rusisë, përputhen në fakt në mënyrë thelbësore me ato të Amerikës – veçanërisht në lidhje me dëshirën për të luftuar terrorizmin radikal islamik.
Nëse udhëheqësit amerikanë nuk këmbëngulin në ndjekjen e politikave provokative, siç është zgjerimi i NATO-s në kufirin e Rusisë, duke minuar klientët e vjetër rusë në Ballkan (Serbinë) dhe Lindjen e Mesme (Sirinë), dhe duke e përjashtuar Rusinë nga institucionet kryesore ekonomike ndërkombëtare si G-7, do të kishte relativisht pak raste kur interesat jetike amerikane dhe ruse do të përplaseshin me njëra-tjetrën.
Lipset një ndryshim themelor në politikën amerikane. Por kjo kërkon një ndryshim të madh në psikologjinë kombëtare të Amerikës. Për më shumë se 4 dekada, amerikanët e panë (dhe iu rekomandua ta cilësonin) Bashkimin Sovjetik si një kërcënim vdekjeprurës për sigurinë e kombit, dhe vlerat e tij më të çmuara të lirisë dhe demokracisë.
Mjerisht, nuk ndodhi një ndryshim mendësie, kur BRSS-ja u shpërbë dhe kur një Rusia gati-demokratike doli prej saj si një nga shtetet pasuese. Shumë amerikanë (duke përfshirë udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit,) veprojnë sikur të jenë duke u përballur ende me Bashkimin Sovjetik.
Do të jetë një ironi tragjike, nëse pasi arriti të shmangë luftën me një kundërshtar totalitar global, Amerika të zhytet sot në luftë për shkak të një imazhi të vjetër, dhe një politikë arkaike përkundrejt një fuqie konvencionale rajonale në rënie. Megjithatë, nëse udhëheqësit amerikanë nuk ndryshojnë mendimet e tyre dhe politikat e tyre ndaj Rusisë, ky rezultat është një mundësi shumë reale.
Shënim: Ted Galen Carpenter, është bashkëpunëtor në studimet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme në Institutin Kato
“National Interest”