Nga Musa Kurtulaj
Kur historia krijon momente vendimtare, udhëheqësit politikë nuk gjykohen vetëm nga ajo që kanë premtuar, por mbi të gjitha nga guximi për t’i kthyer premtimet në vizion dhe veprim-
Zhvillimet e fundit në Kosovë, në një klimë të tensionuar politike për shkak të e vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së, që i dpnoi me 81 vite burgim, po e rikthejnë në qendër të debatit çështjen madhore historike dhe kombëtare: Bashkimin Kombëtar të shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një slogan politik, as për një emocion të çastit që ndizet sa herë që shqiptarët përballen me padrejtësi apo sfida historike. Bëhet fjalë për një projekt me përmasa strategjike, që lidhet me të ardhmen politike, ekonomike, diplomatike dhe të sigurisë së Kombit Shqiptar në një botë që po ndryshon me shpejtësi.
Në këtë kontekst, vëmendja kthehet natyrshëm te Lëvizja e Vetëvendosjes dhe lideri i saj, Albin Kurti. Ku përfundoi platforma e Bashkimit Kombëtar, me të cilën Vetëvendosja ndërtoi një pjesë të rëndësishme të identitetit të saj politik? A është ende pjesë e vizionit të saj strategjik apo është lënë në heshtje, e mbyllur në kasafortën e kalkulimeve politike?
-Nga ideali politik te përgjegjësia qeverisëse-
Lëvizja Vetëvendosja u shfaq dhe u fuqizua në skenën politike të Kosovës duke artikuluar ide të forta për sovranitetin, vetëvendosjen dhe bashkimin kombëtar. Këto qëndrime i dhanë asaj një identitet të dallueshëm politik dhe e ndihmuan të fitonte mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të elektoratit shqiptar.
Për shumë qytetarë, ideja e bashkimit me Shqipërinë përfaqësonte shumë më tepër sesa një alternativë politike. Ajo mishëronte një aspiratë historike në breza, një ndjenjë përkatësie dhe një vizion për kapërcimin e ndarjeve që historia ua imponoi padrejtësisht shqiptarëve.
Vetëvendosja arriti të sfidonte partitë tradicionale, përfshirë PDK-në dhe LDK-në, duke u paraqitur si një forcë që synonte të ndryshonte jo vetëm mënyrën e qeverisjes, por edhe horizontin politik të Kosovës.
Fitorja e saj bindëse në zgjedhjet e vitit 2021 e shndërroi këtë lëvizje, nga një forcë opozitare me retorikë transformuese, në një subjekt me përgjegjësi të drejtpërdrejta shtetërore.
Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore: A e ka zbehur pushteti idealin e bashkimit, apo ky ideal vazhdon të jetë pjesë e strategjisë së Vetëvendosjes?
Nuk mund të mos theksohet se është një gjë të ndërtosh mbështetje politike mbi një aspiratë kombëtare dhe krejt tjetër të tregosh se çfarë je i gatshëm të bësh kur ke në dorë institucionet dhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.
Një program politik nuk mund të jetë i rëndësishëm vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Nëse përfaqëson një bindje të mirëfilltë, ai duhet të mbetet pjesë e debatit publik, të zhvillohet dhe të përshtatet me rrethanat e reja.
-Gjykata Speciale dhe momenti për një reflektim të madh kombëtar-
Vendimet e Gjykatës Speciale të Kosives në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë hapur një kapitull të ri të debatit politik dhe historik në Kosovë. Përtej qëndrimeve juridike dhe dallimeve politike, këto zhvillime kanë prekur një pjesë të ndjeshme të kujtesës kolektive shqiptare.
Në një moment të tillë, Kosova ka nevojë për maturi politike, unitet shoqëror dhe një vizion të qartë për të ardhmen.
Pikërisht këtu mund të marrë kuptim një debat më i gjerë për marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri dhe për mundësinë e një bashkëpunimi të thelluar, që shkon përtej marrëveshjeve të zakonshme ndërshtetërore.
-A mund të shndërrohet kjo klimë në një shtysë për një projekt të ri kombëtar?-
A mund të jetë kjo koha kur politika shqiptare të dalë nga logjika e interesave të ngushta partiake dhe të ndërtojë një strategji të përbashkët për dekadat që vijnë?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje serioze. Faktikisht emocionet kombëtare mund ta ndezin debatin, por vetëm një vizion i argumentuar, i mbështetur në vullnetin demokratik dhe në realitetin ndërkombëtar, mund t’i japë atij drejtim.
-Albin Kurti përballë provës së historisë-
Albin Kurti ndodhet përballë një dileme që shkon përtej politikës së zakonshme ditore. Ai ka mundësinë të tregojë nëse Bashkimi Kombëtar është ende një pjesë e pandashme e vizionit të tij politik apo një ide që ka humbur përparësinë përballë sfidave të qeverisjes.
Nëse kjo aspiratë vazhdon të jetë pjesë e bindjeve të tij, atëherë është momenti që ta rikthejë në debat, jo si një premtim të pakushtëzuar, por si një projekt politik që kërkon analizë, përgatitje dhe mbështetje të gjerë shoqërore.
Të mos flasësh për një çështje të rëndësishme nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ke braktisur. Por heshtja e zgjatur krijon hapësirë për dyshime dhe për interpretime se idealet e dikurshme janë zëvendësuar nga pragmatizmi i pushtetit.
Është kjo arsye e natyrshme në këte rast se pse Vetëvendosja duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë, por politike dhe historikisht domethënëse: Ku qëndron sot Bashkimi Kombëtar në programin e saj? Nëse ideja është ende gjallë, ajo meriton të artikulohet qartë. Nëse është rishikuar, publiku meriton ta dijë pse. Dhe nëse është lënë pas, atëherë është e drejtë të kërkohet një shpjegim politik për këtë ndryshim.
Një forcë politike që pretendon të përfaqësojë një vizion kaq historik nuk mund të shmangë përgjegjësinë për të shpjeguar raportin e saj me atë vizion.
-Shqipëria, nga partneriteti strategjik te një horizont i përbashkët-
Asnjë projekt për të ardhmen e shqiptarëve nuk mund të konceptohet pa rolin e Shqipërisë, shtetit amë.
Tirana dhe Prishtina kanë një përgjegjësi të veçantë për ta çuar bashkëpunimin në një nivel shumë më të lartë.Ekonomia, infrastruktura, energjia, arsimi, mbrojtja, diplomacia dhe integrimi europian janë fusha ku bashkërendimi mund të sjellë përfitime të prekshme.
Por përtej këtij bashkëpunimi, mbetet e hapur çështja e aspiratës për bashkim politik.
Shqipëria duhet të jetë pjesë e një debati të sinqertë dhe të pjekur për këtë ide, pa e trajtuar atë as si një tabu politike, as si një projekt që mund të realizohet me deklarata emocionale.
Në një Europë ku kufijtë politikë nuk e pengojnë domosdoshmërisht integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin institucional, shqiptarët duhet të mendojnë për modele që garantojnë zhvillim, lëvizje të lirë, siguri dhe forcim të pozitës së tyre ndërkombëtare.
Por një bashkim shtetëror është një çështje tjetër nga integrimi europian. Ai kërkon vullnet demokratik, respektim të kushtetutave, përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare dhe një analizë të hollësishme të pasojave politike e strategjike.
Këto pengesa nuk e mbyllin debatin. Përkundrazi, e bëjnë të domosdoshëm një debat më serioz.
-Një komb, gjashtë shtete dhe një realitet që kërkon përgjigje-
Shqiptarët jetojnë në disa shtete të Ballkanit, me realitete të ndryshme politike, juridike dhe shoqërore. Kjo shpërndarje është rezultat i zhvillimeve historike, i vendimeve të padrejta të Fuqive të Mëdha dhe i konflikteve që kanë përcaktuar hartën e rajonit.
Por a duhet të jetë kjo gjendje një realitet i përhershëm dhe i paprekshëm?
A duhet që shqiptarët të mjaftohen me bashkëpunimin e kufizuar ndërmjet institucioneve të tyre, ndërkohë që popujt dhe shtetet e tjera të rajonit ndërtojnë aleanca, projekte të përbashkëta dhe mekanizma të rinj bashkëpunimi?
Nëse kombi shqiptar synon të ketë një zë më të fuqishëm në rajon dhe në Europë, ai duhet të investojë në një strategji afatgjatë që e tejkalon politikën e ditës.
Bashkimi Kombëtar, në këtë kuptim, mund të jetë një horizont politik për ata që e mbështesin. Por forcimi i lidhjeve ndërshqiptare është një objektiv që mund dhe duhet të konkretizohet edhe përmes bashkëpunimit ekonomik, kulturor, arsimor dhe diplomatik, pavarësisht dallimeve për formën e ardhshme shtetërore.
-Siguria kombëtare nuk është vetëm çështje armatimi-
Ballkani Perëndimor po përjeton ndryshime të rëndësishme në fushën e sigurisë. Shtetet po rrisin kapacitetet mbrojtëse, po forcojnë aleancat dhe po përgatiten për një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paparashikueshëm. Në këtë realitet, Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një qasje të përbashkët dhe të përgjegjshme ndaj sigurisë.
Megjithatë, siguria nuk ndërtohet vetëm me armë, pajisje ushtarake dhe kapacitete mbrojtëse. Ajo mbështetet edhe te ekonomia e qëndrueshme, institucionet e forta, diplomacia aktive, kohezioni shoqëror dhe partneritetet strategjike.
Një hapësirë shqiptare më e integruar ekonomikisht dhe institucionalisht do të kishte mundësi më të mëdha për të përballuar krizat dhe për të rritur ndikimin e saj, ndaj, pyetja nuk është nëse duhet të zgjedhim mes mbrojtjes dhe bashkëpunimit kombëtar. Të dyja janë të rëndësishme. Pyetja e rendësishme është se si mund të ndërtojmë një strategji ku siguria dhe zhvillimi të përforcojnë njëra-tjetrën.
-Bashkimi si fuqi, jo si kërcënim-
Ideja e Bashkimit Bombëtar duhet të paraqitet si një aspiratë politike e mbështetur në vullnetin e qytetarëve, në demokraci dhe në respektin për paqen rajonale.
Ajo nuk duhet të shndërrohet në një instrument për të frikësuar fqinjët apo për të krijuar tensione të panevojshme.
Përkundrazi, një projekt i besueshëm për të ardhmen e shqiptarëve duhet të dëshmojë se një bashkëpunim më i thellë mes Kosovës dhe Shqipërisë sjellë stabilitet, zhvillim dhe perspektivë europiane për të gjithë rajonin. Shqiptarët kanë në këtë drejtim avatazhin e të ka luares historike: Ata kurr nuk kanë sulmuar të tjerët, por gjithnjë janë sulmuar prej të tjerëve dhe detyruar të luftojnë për tu mbrojtur. Këtë deshmi historike nuk ka gjykatë Hage apo e kujdo qoftë që mund ta rrezojnë !
Në këtë kuptim, mesazhi për faktorin ndërkombëtar duhet të jetë i qartë: shqiptarët kërkojnë të diskutojnë të ardhmen e tyre përmes mjeteve demokratike dhe brenda kornizave të së drejtës ndërkombëtare.
Nuk ka asgjë të gabuar në diskutimin e aspiratave kombëtare, por ka një përgjegjësi të madhe në mënyrën se si ato artikulohen dhe në pasojat që mund të prodhojnë.
-Kutia e Pandorës apo çelësi i një epoke të re?-
Hapja e debatit për Bashkimin Kombëtar nuk duhet të shihet si hapje e një kutie të rrezikshme, por si mundësi për të shqyrtuar një çështje historike me qetësi, argumente dhe përgjegjësi.
Nëse kjo ide ka potencial për të ardhmen, ajo duhet të mbështetet në një platformë të qartë, me objektiva të përcaktuara, me një rrugë demokratike dhe me një analizë reale të sfidave.
Nëse, përkundrazi, mbetet vetëm një slogan që aktivizohet në momente të caktuara politike, atëherë rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe të shndërrohet në një instrument të zakonshëm elektoral. Këtu qëndron prova e vërtetë për Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin. Nuk mjafton të rikujtosh se dikur ke folur për bashkimin. Duhet të tregosh se çfarë kupton sot me të, çfarë rruge propozon dhe si e sheh realizimin e tij në kushtet e shekullit XXI.
-Albin Kurti, historia nuk pret pafundësisht !-
Albin Kurti ka një mundësi të rendësishme politike për ta rikthyer në qendër të vëmendjes debatin për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve. Ai mund ta bëjë këtë duke propozuar një platformë serioze, duke hapur një dialog të gjerë me Shqipërinë dhe me shqiptarët në rajon, si dhe duke e kthyer aspiratën kombëtare në një projekt të diskutueshëm, të matshëm dhe demokratik.
Nëse e bën këtë, do të tregojë se idealet e tij politike nuk janë domosdoshmërisht peng i pushtetit dhe se vizioni kombëtar mund të mbijetojë përtej cikleve zgjedhore.
Nëse nuk e bën, atëherë do të jetë e natyrshme që qytetarët dhe mbështetësit e tij të kërkojnë të dinë nëse platforma e dikurshme është ende pjesë e projektit politik të Vetëvendosjes.
Historia nuk u jep udhëheqësve mundësi të pafundme për të vepruar. Momentet e favorshme shfaqen dhe zhduken, ndërsa përgjegjësia politike mbetet.
Albin Kurti, nëse Bashkimi Kombëtar është ende pjesë e vizionit tënd, nxirre nga kasaforta. Ktheje në debat, në platformë dhe në një projekt që u përket qytetarëve, jo vetëm partisë.
Shqiptarët kanë nevojë për më shumë sesa premtime. Kanë nevojë për një vizion të qartë, për bashkëpunim të qëndrueshëm dhe për udhëheqës që dinë të shohin përtej interesave të ditës. Dhe nëse një ditë do të vijë koha për një vendim historik, ai duhet të jetë rezultat i vullnetit të lirë të qytetarëve, i një proçesi demokratik dhe i një projekti që garanton paqe, mirëqenie dhe dinjitet kombëtar.
Bashkimi është fuqi, por vetëm vizioni, përgjegjësia dhe vullneti demokratik mund ta kthejnë atë fuqi në të ardhme.
Nëse Bashkimi Kombëtar ka qenë pjesë e identitetit politik me të cilin Vetëvendosja u rrit, ku është sot ai vizion? Nxirreni nga kasaforta, se “treni” vjen dhe kalon shpejt, pa pritur gjatë në stacione ! Kjo nuk duhet harruar !











