Nga Lorenzo Cremonesei, Corriere della Sera
Skenari i luftës në Lindjen e Mesme po bëhet gjithnjë e më i errët, ndërsa rritet mundësia e një ndërhyrjeje tokësore nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit.
Strategjia e përfolur përfshin kërcënimin me pushtimin e ishullit Kharg, një nyje jetike për eksportet e naftës iraniane, si dhe intensifikimin e bombardimeve ajrore në të gjithë territorin e vendit, me synimin për të detyruar Teheranin të ulet në tryezën e negociatave nga një pozicion dobësie. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se një zgjidhje diplomatike duket e largët.
Pas refuzimit nga ana e Iranit të një plani paqeje me 15 pika të propozuar nga SHBA-të, që përfshinte ndër të tjera heqjen dorë plotësisht nga programi bërthamor, autoritetet iraniane kanë paraqitur kundërpropozimet e tyre, duke kërkuar dëmshpërblime lufte dhe njohjen e sovranitetit të tyre mbi Ngushticën e Hormuzit. Në këtë klimë tensioni, prania ushtarake amerikane në rajon është rritur ndjeshëm, duke arritur në mbi 7 mijë trupa elitare, çka shton gjasat për një operacion të afërt ushtarak.
Mosbesimi i thellë i Iranit ndaj Uashingtonit është një tjetër faktor që përshkallëzon situatën. Udhëheqësit iranianë e konsiderojnë të pabesueshme çdo ofertë nga SHBA-të, duke iu referuar sulmeve të mëparshme të papritura gjatë periudhave të negociatave.
Si rrjedhojë, Irani duket i vendosur për një rezistencë të gjatë dhe të ashpër, duke u mbështetur edhe në konceptin fetar të martirizimit, që mund të përfshijë sulme vetëvrasëse, sabotime të infrastrukturës energjetike dhe destabilizim të rajonit të Gjirit Persik.
Nga ana tjetër, Izraeli vazhdon të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit dhe aleatëve të tij, duke mos treguar gatishmëri për kompromis dhe duke mbështetur vazhdimin e ofensivës ushtarake. Në planin ushtarak, një zbarkim në ishullin Kharg mund të duket i realizueshëm për SHBA-të, që zotëron epërsi ajrore dhe ka goditur tashmë një numër të madh objektivash mbrojtës në zonë. Forcat amerikane përfshijnë njësi elitare si parashutistë dhe marinsa, të gatshëm për operacione të shpejta dhe të koordinuara.
Megjithatë, sfidat në terren mbeten të mëdha. Irani ka përgatitur mbrojtje të shumta, duke përfshirë mjete shpërthyese detare dhe pozicione të fortifikuara nëntokësore, ku janë vendosur forcat e Gardës Revolucionare. Një ndërhyrje e tillë mund të sjellë pasoja të rënda edhe për ekonominë globale, pasi Irani ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve kryesore detare për transportin e naftës, si Ngushtica e Hormuzit dhe ajo e Bab al-Mandebit.
Ekspertët paralajmërojnë se një luftë tokësore në Iran mund të ngjajë me përvojën e hidhur të SHBA-ve në Irak pas vitit 2003, ku pas një fitoreje të shpejtë ushtarake pasoi një periudhë e gjatë dhe e përgjakshme kryengritjesh dhe terrorizmi. Po ashtu, zhvillimet në luftën në Ukrainë kanë treguar rëndësinë në rritje të dronëve në konfliktet moderne. Irani prodhon në masë këto mjete të lira dhe efektive, duke i bërë ato një kërcënim serioz për çdo forcë tokësore.
Nëse konflikti përshkallëzohet më tej, përdorimi i dronëve nga forcat iraniane, përfshirë edhe sulme të koordinuara me mjete të vogla dhe të vështira për t’u neutralizuar, mund të krijojë një situatë shumë të rrezikshme për trupat amerikane. Kjo rrit frikën se një ndërhyrje ushtarake mund të kthehet në një konflikt të gjatë dhe të kushtueshëm, me pasoja të paparashikueshme për rajonin dhe më gjerë.











