Po ju bëj një propozim tjetër: Le t’i lëmë mënjanë internautët e tërbuar, dhe le ta diskutojmë shtruar idenë e shkëmbimit të territoreve me serbët. Por le të supozojmë fillimisht që kjo është e mundur. E them këtë, pasi bën vaki që palët (shqiptarët e serbët) të jenë dakord, dhe të tjerët, ata që e kanë në dorë këtë gjë (fuqitë e mëdha) të mos e mbështesin, pasi kështu do të hapej një lojë në Ballkan, së cilës askush nuk mund t’ia parashikojë fundin. Ka edhe të tjerë në Ballkan që do t’ua kishte qejfi ta spastronin fushën prej pakicave e të bënin këmbime popullsish (në rastin konkret, Qosja sugjeron që pakicat serbe të shpërndara nëpër enklava të Kosovës, të zhvendoseshin të gjitha në veri; vendet e mbetura bosh prej tyre të mbusheshin prej shqiptarëve të luginës së Medvegjës). Por le ta zëmë që fuqitë e mëdha do ta mbështesnin këtë gjë. E ky nuk është një supozim aq idiot sa duket. Trump-i që sapo është ulur në karrigen e Presidentit të SHBA-ve duket se ka një mendje më praktike se paraardhësit, e mund ta sugjerojë një gjë të tillë. Dhe Putin-i mund ta pranojë këtë zgjidhje duke kërkuar e marrë në këmbim diçka tjetër, që fillon po me K. Lind pyetja: Duhet të bien dakord shqiptarët në këto rrethana?
Absolutisht, po. Nuk duket se ka një zgjidhje tjetër më të mirë e më të drejtë. Shqiptarët që këmbëngulin ta mbajnë veriun, kanë parasysh veriun pa serbë, por duhet thënë se, së pari, nuk do të ishte e drejtë të ndodhte, e së dyti, Beogradi nuk ka për ta lejuar kurrë zbrazjen e veriut të Kosovës prej serbëve. Do të investojë, siç ka investuar këto vitet e fundit të pasluftës, që serbët të mbeten aty ku janë, jo për të bërë një jetë të bukur, por për të sabotuar e diskredituar idenë e funksionimit të një Kosove jashtë juridiksionit të shtetit serb. Kush mendon se do të vijë një ditë që veriu i Kosovës të jetë pa serbë, është duke parë ëndrra. Të gjitha llogaritë pra duhen bërë me serbët brenda në Kosovë. Dhe nëse i bëjmë llogaritë kështu, atëherë i bie që të sigurt kemi: 1. sherrin e pasosshëm mes serbëve e shqiptarëve brenda Kosovës; 2. sherrin e pasosshëm mes shqiptarëve e shqiptarëve për këtë shkak; 3. sherrin e pasosshëm midis shtetit të Kosovës e shtetit të Serbisë.
Nuk ka pse të ketë më iluzione. Edhe kush ka pasur, nuk ka pse të ketë më. Kosova e kuptuar si një entitet shtetëror serbo-shqiptar nuk mund të funksionojë. Është e trishtuar ta thuash këtë truizëm, por ja që kështu është. Serbët e shqiptarët nuk kanë mundur të bashkëjetojnë. Kanë pasur raste për ta provuar se mund të bashkëjetojnë, por nuk e kanë bërë dot. Nuk iu ngjit me njëri-tjetrin, dhe pikë. Ky është leksioni i historisë. Ne kemi probleme edhe me grekët në jug, por konflikti me grekët është i vonë. Daton pas themelimit të shteteve kombëtare. Më parë, edhe gjatë perandorisë osmane (ndoshta për shkak të ortodoksëve shqiptarëve që kanë shërbyer si një buffer mes shqiptarëve e grekëve), gjithçka ka qenë ok. Shqiptarë e grekë nuk janë konfliktuar me sho-shoqin (ndoshta me përjashtim të vitit 1770, por ajo luftë ishte ruso-turke, jo greko-turke, e aq më pak greko-shqiptare). Grekët janë shtyrë më në veri për të ndërtuar jetën e tyre mes shqiptarëve, dhe këta të fundit janë shtyrë më në jug, deri thellë në jug, për të bërë të njëjtën gjë mes grekëve. Dhe ishte kjo bashkëjetesë mes dy popujve që i bëri disa rilindës tanët, në kohën e krijimit të shteteve ballkanike, të mbronin deri edhe idenë e krijimit të një federate greko-shqiptare. Por pastaj erdhën kohë të tjera, perandoria osmane po thyente qafën, dhe fqinjët, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, dhe Greqia po se po, u vunë në garë për të fituar territore që ata i quanin osmane, por që në fakt ishin shqiptare. Qysh prej atyre kohëve, me grekët jemi tërhiq e mos këput. Por sidoqoftë, në një mënyrë apo në një tjetër, shqiptarët e grekët ia dalin të bashkëjetojnë. Pakica greke në Shqipëri nuk duket se ndihet keq, por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për dhjetëra mijëra shqiptarë në Greqi. Për më tepër, problemet që ekzistojnë mes Shqipërisë e Greqisë, sido që ndonjëherë i komplikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona, janë gjithsesi të zgjidhshme.
Për sa iu takon marrëdhënieve serbo-shqiptare, situata është krejt tjetër. Konflikti mes tyre nuk është i vonë, post-osman. Përkundrazi, është i hershëm. Edith Durhami e shihte fillimin e këtij konflikti qysh në shekujt i parë të invazioneve sllave në Ballkan. Por le të mos shkojmë aq herët. Nuk mund të flitet me siguri për ato kohë aq të errëta. Le të flasim për kohë që janë më të dokumentuara. Gjatë perandorisë osmane, fjala vjen, shqiptarët e sllavët kanë shkuar si macja me miun. Luftërat e shqiptarëve me malazezët nuk reshtën qysh prej shekullit XVII deri në fillim të shekullit XX (Koka e pashait të Shkodrës duhet të jetë ende e varur në murin e ndonjë manastiri të Cetinjës), dhe në këtë pikë shqiptarët do duhej të kishin bërë me kohë një mea culpa, pasi luftërat i kanë bërë në emër të turqve. Ndërsa malazezët kanë luftuar për të mbrojtur troje të tyret, doke të tyret, fenë e tyre.
Kur serbët u ngritën në kryengritje, nuk ndodhi ajo që ndodhi në jug, ku shumë shqiptarë iu bashkuan pa të keq, madje me zell, revolucionit grek. Puna erdhi që edhe e udhëhoqën këtë revolucion. Me serbët nuk ndodhi kështu. Nuk mund të ndodhte. Kronikat kanë regjistruar vetëm një shqiptar me mbiemrin Konda që ka luftuar kundër osmanëve, në krah të serbëve. Të tjerët ishin në kampin e kundërt. Ashtu si edhe boshnjakët, në fakt. Historia, like it or not, kjo është. Dhe është kjo histori konflikti që është përjetësuar edhe në epikën popullore shqiptare e sllave. Eposi ynë i kreshnikëve është i ngritur i tëri mbi luftën e malësorëve shqiptarë kundër shkjeve. “Sa shumë bjeshkën djali e ka shëtitë/por s’ka gjet ndonji shkja me pre”, ka kënduar rapsodi popullor. Ose diku tjetër: “Se ditë e dielle nesër ka qëllue/pushkën shkjeve prej kishet me e fillue”. Për të mos folur pastaj për Gjergj Fishtën që të gjithë poemën “Lahuta e Malcis” e ka kundër zogut të Shkinës, e që zelli kundër Shkinisë e ka çuar deri ajte sa t’i këndojë sulltanit si një mbreti të vetit e sa të këpusë edhe ndonjë mufkë të padëgjuar: unë shqyptar, ata janë shkje/ne na ndan nji gjak e nji fe. Hm! Një gjak po. Por nuk është një fe që na ndan. Sa për fetë, ato na ndajnë edhe neve që jemi një gjak.
Shqiptarë e serbë janë të ndarë prej historisë. Dhe në këtë mes, shqiptarët kanë fajet e tyre (siç thashë më sipër), por kur vjen puna te Kosova, faji është në një masë të madhe, shumë të madhe, i serbëve. Ata kanë krijuar e mbjellë pa u lodhur mitin e Kosovës, si djepin e kulturës dhe të fesë serbe, gjë që nuk provohet nga faktet historike (Noel Malcolm i ka bërë një trajtim shterues kësaj çështjeje në librin e tij “Kosovo, a short history”), dhe kjo nuk i ka lënë t’i japin jetë idesë së një Kosove shqiptaro-serbe. E kanë pasur në dorë ta bëjnë këtë gjë, madje kanë pasur kohë sa të duash në dispozicion, por nuk kanë mundur ta bëjnë. Sepse mendjen e kanë pasur te Kosova që është e Serbisë, e tëra e Serbisë, ekskluzivisht e Serbisë, sepse mendjen e kanë pasur që ato gjurmë të forta që serbët kanë lënë realisht në historinë e Kosovës (në shekujt XIII-XIV ata i vunë një vulë të mirë serbizmi Kosovës) t’i interpretojnë si dokument pronësie mbi Kosovën. Faji i atyre pra ka qenë se Kosovën e donin të tyren, pa shqiptarë. Gjërat, pas kësaj, dihet se si rrodhën. Dhe e gjithë ajo që ndodhi e ka komprometuar përfundimisht aspiratën për të ndërtuar një Kosovë shqiptaro-serbe.
Shkurt, Rexhep Qosja ka të drejtë. Dhe nuk është çudi që, duke pasur parasysh se Trump-i ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë e se marrëdhëniet e tij me Putin-in do të jenë të ngrohta, ky opsion i Qoses të hidhet realisht në tryezë. Do të ishte idiotësi që të refuzohej në emër të doktrinës “Kosova është e gjitha e shqiptarëve”. Sepse nuk ka për të qenë kurrë e gjitha e shqiptarëve. Nuk ka qenë kurrë as në histori e tillë. Dhe ky është leksioni tjetër që historia na ka dhënë. (Mapo)