Nga Artur Ajazi
Nuk ndodh askund tjetër si në Shqipëri. Nuk ndodh askund tjetër, siç ndodh tek ne, ku politika, shoqatat, fondacionet, individë të papunë dhe të sorrollatur gjithë ditën rrugëve, merren vetëm me drejtësinë. Të gjithë dinë emra prokurorësh, gjyqtarësh, OPGJ-sh, dinë përmendësh emra politikanësh, ministrash, kryetarësh partish (tek ne ka 106 të tilla) dinë përmendësh biografitë e njerëzve të drejtësisë, dhe merren madje edhe me familjet e tyre. Një inxhinier suedez që erdhi para ca vitesh në Shqipëri për të montuar një linjë prodhimi në Tiranë, u shpreh kur u kthye në vendin e tij se “atje gjeta 2 milion politikanë, prokurorë, gjyqtarë, ministra dhe kryeministra, por pak gjeta punëtorë dhe mjeshtra profesionesh”. Si ka mundësi, që të gjithë merren me vendimet e një gjykate për “X” person, apo pretencën e një prokurori për “Y” kriminel, dhe askush nuk merret me hallet e fëmijës dhe familjes tij ? Mos ndoshta e kemi të trashëguar qysh nga koha e Enverit, kur të gjithë dinin edhe “lugët dhe pironjtë e bllokmenëve”, edhe pse vuanin për të mbushur dollapin me bukë dhe ushqime. Edhe pse “përmbysëm” diktaturën, ne sërish nuk heqim dorë nga marrja me politikë, dhe veçmas me drejtësinë. Po të takosh sot një “demokrat” nga baza, dhe ti hapësh tema ekonomike, ta kthen “ai SPAK-u dhe ai Dumani , janë me Ramën, ata arrestuan Doktorin, dhe ne do ta lirojmë”…Kjo ngjet edhe me vetë Doktorin. Ka mbi 3 vjet e gjysëm, qysh kur nisi zbatimi i Vettingut dhe reformës në organet e drejtësisë, lideri demokratëve poshtë ballkonit, merret vetëm me drejtësinë. Ka bërë si vetja, edhe ata që i rrinë çdo natë poshtë ballkonit. Sulmon me libër shtëpie të gjithë prokurorët, gjyqtarët, OPGJ-të, kryekomisarët, policët, RENEA-n, sulmon kryeministrin , ministrat, dhe çdo njeri tjetër që ka nxitur hetimin e tij penal. Pastaj të nesërmen, del Fatmir Mediu, dhe pasi e thërrasin në SPAK për hetimin e Gërdecit, nis edhe ai sulmet ndaj organeve të drejtësisë së re, që na paskëshin qëllim primar “ burgosjen e politikanëve të opozitës, për të fituar mandatin e 4 qeverisës”. Pra sipas Mediut, vrasja me dashje e 26 personave në Gërdec, ishte “rastësi dhe aspak fajtor nuk është ai, por dikush tjeter”. Pas tij del edhe Monika e vilave. Nuk ka javë dhe ditë të muajit, që politika e molepsur të mos merret me drejtësinë. Nuk ka ditë të vitit, që ata që vodhën, u pasuruan, vranë në emër të pushtetit, dhe që po tentojnë sërish të vijnë në pushtet, të mos sulmojnë drejtësinë. Askund në botë, madje as në Afrikën e humbur, nuk ndodh që një politikan i akuzuar publikisht, të merret me dosjet hetimore, pretencën e prokurorit, apo vendimet e gjykatave, siç ndodh në Shqipëri. Tek ne ka politikanë parazitë, aq sa ka edhe turma parazite që shkojnë pas tyre, duke u mjaftuar me 2 mijë lekëshat që marrin për ditët e protestave, dhe pastaj merren gjithë ditën me sharjet ndaj drejtësisë. Politikanët e akuzuar, hetuar dhe dënuar, janë shembulli më i keq për cilindo që harron hallet dhe problemet e veta, dhe merret me kavallin e kryetarit të partisë. Drejtësia e re, nuk ka nevojë për humbje kohe, aq sa ka nevojë për qetësi, maturi, pavarësi, për të kryer dhe përmbushur misionin e saj. Çdo sulm dhe akuzë pa bazë, ndaj organeve të drejtësisë, mbetet në vetvete mbrojtja më e keqe, që politikanët i bëjnë dosjeve të tyre penale.