Nga SHABAN MURATI
Mund të klasifikohet si histerik reagimi i Serbisë ndaj Kroacisë, e cila në mbledhjen e grupit të punës të Këshillit Europian, në 7 prill, për hapjen e bisedimeve të pranimit të Serbisë në BE për kapitullin 23, refuzoi të jepte konsensusin për fillimin e tyre. Jashtë çdo parametri shtetëror dhe diplomatik reagoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç: “Serbia nuk do të lejojë asnjërin ose të ulë veten dhe as do të lejojë ndonjë ta poshtërojë atë, duke vënë kushte të ndryshme”. Ai madje shkoi edhe më tej, duke kërcënuar Bashkimin Europian se duhet të mendohet mirë nëse do të jetë një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon apo për destabilizimin e tij. I njëjti tonalitet erdhi nga kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç: “Serbia nuk do t’i lejojë vetes të shantazhohet, të poshtërohet ose të mos respektohet nga ndonjëri. Ne nuk do të bëjmë as edhe një telefonatë të vetme”.
Çdo diplomat dhe njeri i arsyeshëm nuk mund të mos shtrojë pyetjen se nga cila kohë vjen ky shpërthim i pazakontë për drejtues të shtetit, të cilët me dashje apo pa dashje, shfaqin instinkte të subkoshiencës politike dhe emocionale, të formatuar në kohën kur shërbenin në garniturën qeveritare të presidentit serb kriminel lufte, Sllobodan Millosheviç.
Çfarë ka ndodhur? Kroacia, shtet anëtar i BE, kërkon që Serbia si shtet kandidat të plotësojë kriteret që duhen për të dëshmuar se është në gjendje të hapë kapitullin e 23 të traktatit të pranimit në BE, kapitull i cili bën fjalë për shtetin ligjor, për drejtësinë dhe për të drejtat e njeriut. Më konkretisht, Kroacia ka kërkuar që Serbia të shfuqizojë ligjin e saj të vitit 2003 për juridiksionin universal të hetimit të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, të demonstrojë bashkëpunimin e plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe të plotësojë të drejtat e minoritetit kroat në Serbi, sipas konventave ndërkombëtare, që ka nënshkruar. Kroacia nuk e ka me Serbinë, por e ka me parimet, me kushtet që duhet të plotësojë Serbia si shtet kandidat, i cili ka hapur bisedimet e pranimit me BE-në. Udhëheqësve të Beogradit u duket se po u bëjnë padrejtësinë maksimale, pse po u kërkojnë, ashtu si gjithë të tjerëve, plotësimin e kritereve të hapjes së kapitujve të traktatit të pranimit në BE. Është një proces normal dhe i njohur, të cilin e ka kaluar Kroacia vetë dhe të gjitha shtetet anëtare, përpara se të pranoheshin në BE. Madje, për hir të së vërtetës duhet thënë se Kroacisë i është kërkuar me një intransigjencë të pajustifikuar të plotësonte kushte dhe kritere shtesë në krahasim me ato, që i kërkoheshin Serbisë. Kushte dhe kritere për hapjen e kapitujve të traktatit të bisedimeve po i kërkohen prej dekadash shtetit tjetër kandidat, Turqisë, po i kërkohen shtetit kandidat të Malit të Zi, me të cilin janë hapur bisedimet dhe po i kërkohen edhe Shqipërisë për të marrë një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE.
Ajo që mund të quhet krizë e re artificiale në marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë nuk vjen nga bllokimi, që Zagrebi i bëri hapjes së kapitullit të 23 të traktatit të pranimit. Ajo vjen nga reagimi alogjik i qeveritarëve të Beogradit, të cilët shtiren dhe bëjnë të habiturin nga ajo që ndodhi në 7 prill, nga një kriter dhe kusht, për të cilin Kroacia kishte njoftuar zyrtarisht dhe publikisht shumë kohë më parë si Serbinë, ashtu dhe vetë BE-në. Në janar të vitit 2015 kryeministri i atëhershëm i Kroacisë, Zoran Milanoviç, pat deklaruar se Kroacia do të bllokojë Serbinë të hyjë në BE deri sa ajo të ndryshojë ligjin e vitit 2003, që i lejon Serbisë juridiksionin universal për hetimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Ministri i Jashtëm kroat, Mirko Kovaç, në 22 janar 2016 deklaroi se Serbia duhet të ndryshojë ligjin për hetimin e krimeve në ish- Jugosllavi, si kusht për bisedimet e pranimit në BE. Në 18 mars 2016, Ministria e Jashtme e Kroacisë parashtroi në një komunikatë të saj kushtet për të dhënë Kroacia pëlqimin për hapjen e kapitullit të 23 të traktatit të pranimit të Serbisë me BE.
Cila qeveri dhe diplomaci serioze do të habitej, kur në 7 prill 2016 delegacioni kroat nuk dha pëlqimin për hapjen e kapitullit të 23? Surprizimi dhe qëndrimi arrogant i qeverisë së Serbisë rrjedh nga fakti se ajo është mësuar të mos plotësojë kriteret dhe të avancohet në rrugën e integrimit europian. Vjen nga trajtimi preferencial dhe indulgjencat selektive, që BE i ka ofruar falas Serbisë në të gjitha fazat e integrimit të saj europian. Serbia u tall me BE, kur Brukseli me gjenerozitet të pajustifikuar i dha Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe qeveria serbe refuzoi ta nënshkruante. Serbia u tall edhe kur BE i ofroi statusin e shtetit kandidat, në kohën që Serbia ishte pranuar shtet vëzhgues në organizatën ushtarake CSTO, të krijuar dhe të drejtuar nga Rusia. Serbia është tallur, duke mbajtur të fshehur me vite dhe duke u paguar pensione shtetërore kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç dhe kur i dorëzonte pas 10-15 vjetësh kërkimi nga Gjykata e Hagës, Brukseli e daroviste me lëshime të tjera dhe neglizhime të kritereve dhe të standardeve të integrimit europian. Pas hapjes së bisedimeve të pranimit në BE, Serbia refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE kundër Rusisë, i shkeli ato sanksione dhe nuk e dënoi asnjëherë agresionin rus në Ukrainë dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë.
E përkëdhelur në këtë mënyrë nga BE, tani Serbisë i duket si fundi i botës që Kroacia po i kërkon zbatimin e kritereve të zakonshme për gjitha shtetet kandidate. Serbisë i duket ashtu, sepse 27 shtetet e tjera anëtare të BE ishin dakord që Serbia të lejohej të mos plotësonte kriteret dhe t’i hapte pa u lodhur bisedimet për kapitullin 23. Është sjellja favorizuese e BE, që e ka ushqyer megalomaninë rajonale dhe arrogancën shtetërore të Beogradit, i cili arrin deri në pikën që të kërcënojë BE me destabilizimin e rajonit. Serbia shpreson që llobi proserb në diplomacinë europiane do të funksionojë përsëri me presione të mëdha mbi Kroacinë, për të vazhduar të lejojnë Serbinë t’i shmanget plotësimit të kritereve.
Bllokimi që Kroacia i bëri hapjes së kapitullit 23 me Serbinë, është një hap jo vetëm i drejtë, por edhe i nevojshëm dhe i rëndësishëm si për cilësinë e një shteti, që do të bëhet anëtar i BE, por edhe për cilësinë dhe perspektivën e marrëdhënieve në rajonin tonë. Qëndrimi i Kroacisë është i drejtë, sepse ajo po kërkon abrogimin e ligjit serb të vitit 2003, që i jep vetes të drejtën të hetojë për krimet e luftës në të gjithë ish-Jugosllavinë. Është një deformim i historisë së luftërave në ish-Jugosllavi, një paradoks tipik ballkanik, për të mos thënë një skandal, që Serbia i jep vetes të drejtën të hetojë krimet e luftës në gjithë ish-Jugosllavinë, për të gjithë personat, pavarësisht nga shtetësia e tyre dhe pavarësisht se në cilin shtet janë kryer krimet. Pra, Serbia del me pozitën juridike të krijimit të një mini-Hage, të një gjykate serbe me kompetenca ndërkombëtare, ku ajo do të hetojë dhe do të gjykojë të gjithë për krimet e luftës në të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi. Sikurse deklaroi me të drejtë edhe ministri i Jashtëm kroat, “Serbia nuk mund të jetë një lloj gjykatësi i krimeve të luftës për gjithë vendet e ish-Jugosllavisë. Është e papranueshme dhe do të jetë kriter i bisedimeve të pranimit, të cilin Serbia duhet ta pranojë”.
Është tepër e thjeshtë për të kuptuar absurditetin e pretendimit të Serbisë, që të jetë ajo gjykata, që të hetojë krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Pra shteti, i cili ndërmori katër luftëra agresive kundër katër shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia, kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë, kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës; shteti që ndërmori gjenocid dhe spastrim etnik kundër popujve joserbë, i jep vetes të drejtën që të hetojë dhe të gjykojë për krimet e luftës. Serbia, e cila ka hapur bisedimet e pranimit në BE dhe sot e kësaj dite nuk ka hartuar një dokument zyrtar, ku të dënojë politikën kriminale të luftërave që ndoqi Sllobodan Millosheviçi dhe nuk ka një dokument zyrtar, ku të ketë kërkuar falje për krimet e ushtrisë serbe në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, i jep vetes të drejtën të përcaktojë se çfarë quhet “krim lufte” dhe çfarë jo. Pra, krimineli do të hetojë dhe gjykojë për viktimat. Është njëlloj sikur pas Luftës së Dytë Botërore, krimet e kryera nga nazistët të kishte të drejtën t’i shqyrtonte gjykata naziste, e cila duhej të hetonte dhe gjykonte edhe amerikanët, edhe rusët, edhe anglezët, edhe francezët, etj.
Lejimi i kësaj padrejtësie të madhe që u bëhet popujve dhe shteteve viktima të agresioneve serbe në mesin e viteve ’90 është një fyerje e madhe për drejtësinë, të vërtetën, moralin dhe historinë. Nëpërmjet kësaj farse juridike Serbia fiton jo vetëm pafajësinë e krimeve shtetërore të kryera prej saj, por shpërblehet edhe me të drejtën të jetë gjykatësi i popujve të tjerë për konfliktet në ish-Jugosllavi. Është një situatë paradoksale, e cila shtrembëron jo vetëm historinë e konflikteve ish-jugosllave, por dëmton rëndë pajtimin real dhe bazamentin e marrëdhënieve midis shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia. Ndaj është e pafalshme për diplomacinë europiane të pajtohet me një farsë të tillë juridike serbe dhe të mos detyrojë shtetin kandidat të heqë dorë nga anomali të tilla juridike dhe historike.
Çështja të cilën po mbron Kroacia në tryezën e bisedimeve të pranimit të Serbisë në BE nuk është një çështje kroate. Ajo është një çështje rajonale, është edhe një çështje europiane. Problemi shtrohet se çfarë lloj Serbie do të pranohet në BE: një shtet i pashkëputur nga e kaluara e përgjakshme apo një shtet demokratik, që sheh nga e ardhmja? Deri ku dhe kur do të shtrihet toleranca dhe indulgjenca selektive e BE në drejtim të Serbisë? Jemi para një situate diplomatike, e cila në fakt kërkon një sensibilitet të madh nga vendet e BE dhe nga vendet e rajonit. Kjo kërkon sensibilitet të madh në radhë të parë nga shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia dhe të cilët kanë vuajtur aq shumë nga agresionet shtetërore serbe kundër tyre. Shtetet e rajonit duhet të bashkojnë zërat dhe qëndrimet e tyre me Kroacinë dhe t’i dërgojnë Brukselit mesazhin e përbashkët se e kaluara nuk korrigjohet duke i vënë në një plan agresorin me viktimën dhe aq më pak, duke vënë agresorin të bëjë rolin e gjykatësit ndërkombëtar.
Një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojë kësaj çështjeje diplomacia dhe qeveria e Kosovës, të cilët nuk mund dhe nuk duhet të pranojnë që Serbia të ketë të drejtën të gjykojë për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Kosova ka pranuar nga zori ngritjen e Gjykatës Speciale, por ajo duhet të kishte kërkuar dhe duhet të kërkojë për të drejtë dhe për reciprocitet që Serbia të shfuqizojë ligjin absurd, që i jep juridiksion edhe mbi Kosovën, për hetimin e krimeve të luftës. Kjo lloj tratative duhet të ndërtohet ndër ato piketa të rëndësishme politike dhe juridike, që kanë me tepër rëndësi se sa targat, etiketat apo kadastrat, të cilat në fund të fundit nuk kapërcejnë kuadrin e raportit metropol-provincë. Koha ka ardhur dhe ndoshta ka kaluar që Kosova të shtrojë kërkesa politike në bisedimet me Serbinë, sepse Serbia vazhdon të tallet me bisedimet, përderisa nga mëngjesi deri në darkë vazhdon që të lobojë nëpër botë kundër njohjes së Kosovës. Dhe nuk mund të mos habisë realiteti, që BE e cila ndërmjetëson bisedimet Kosovë-Serbi, nuk i kërkon shtetit kandidat që ta stopojë këtë veprimtari, e cila bie ndesh me frymën dhe objektivin e BE. Nëse BE sot i toleron Serbisë farsën juridike të gjykatësit për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, nesër mund t’i tolerojë edhe dhe t’ia heqë Serbisë kushtin e njohjes së Kosovës për rrugën e anëtarësimit. Ajo ditë duhet menduar tani, ndaj diplomacia dhe qeveria e Kosovës duhet të zgjohen nga djepi i të nanuriturit me frutat sipër kokës si Tantali, që nuk i hëngri dot kurrë.