“Raporti i Dick Marty-it është njolla më e madhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.
Ky është një citat i thënë nga të gjithë në Kosovë.
Dy krahët politikë në Shqipëri është e vështirë të pajtohen në çkado, por u pajtuan që ta votojnë Rezolutën kundër pretendimeve të raportit të Dick Marty-it se në Kosovë e Shqipëri nga udhëheqësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “u kryen krime dhe trafikim organesh”, por presidentja Vjosa Osmani, tha që “mos prisni përshëndetje speciale”.
Madje, ajo u përkujdes që të tregojë se si kjo Rezolutë në vetvete nuk është se ka ndonjë vlerë, meqë thjesht prezanton vullnet politik.
“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë natyrisht se rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Por është një parim bazik juridik që thotë se vendimet mund të shfuqizohen vetëm nga organet të cilat i kanë miratuar ato”, pohoi presidentja.
Përkundërse juriste, konstatimi i Osmanit del të jetë, përveç se i pavend, edhe i pasaktë.
Mediat kanë pyetur në Këshillin e Evropës dhe nga atje thonë se Asambleja e Këshillit të Evropës mund të vendosë që të përgatisë dhe të debatojë raporte – përfshirë raporte vijuese – për çfarëdo teme që bie në mandatin e këtij Këshilli.
“Procedura për parashtrim të mocioneve parashihet sipas rregullit të 25-të”, është thënë në përgjigje të KiE-së.
Kjo është fiks çfarë kërkon edhe Shqipëria me Rezolutën e votuar – “i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues (follow up report)”, për raportin e Marty-it që në vitin 2011 u përkthye edhe në rezolutë nga KiE.
Derisa presidentes iu desh të flas për Rezolutën, pasi në konferencë për media me Presidentin e Shqipërisë, Ilire Meta, në Prishtinë, u pyet nga gazetarët, Kryeministri i Kosovës, nuk foli fare.
Albin Kurti nuk vendosi të shkruajë status në llogaritë e tij në rrjetet sociale për këtë zhvillim. Por, ai as nuk u prononcua në ndonjë media për këtë çështje.
Për më tepër, të nesërmen kishte vizitë zyrtare në Kosovë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, por as në këtë takim Kurti nuk e falënderoi presidentin shqiptar për atë që votoi Shqipëria.
Në komunikatën e lëshuar për media pas takimit, aty tregohet të kenë biseduar për shumë çështje, përveç zhvillimit më të rëndësishme – rezolutën e votuar në parlamentin shqiptar.
Asaj që i është dhënë rëndësi më shumë, përveç falënderimeve të ndërsjella, është dakrodimi që të dy liderët kanë pasur në raport me politikat rajonale – dakordim që Kurti s’e ka me homologun shqiptar, Edi Ramën.
Rezolutën fare nuk e ka përmendur as kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, zyrtari që të paktën duket se është më i interesuar me çfarë ndodhë në Gjykatën Speciale të Kosovës (institucion që u themelua pikërisht bazuar mbi raportin e Marty-it).
Shqipërinë nuk e ka falënderuar as ndonjë ministër i kabinetit qeveritar dhe madje as Ambasada e Kosovës në Shqipëri.
Çfarë përmban rezoluta?
Nga 140 deputetë sa ka Kuvendi i Shqipërisë, 125 votuan pro rezolutës që solli Partia Socialiste. Edhe ata që nuk votuan për, mesin e tyre Sali Berisha, gjatë seancës pohuan se janë që ta votojnë këtë rezolutë, porse kishin pakënaqësi të tjera, të cilat tashmë dihen.
Rezoluta s’ka të bëjë me Gjykatën Speciale e as me ndërhyrje në drejtësi.
Aty përgëzohet Kosova që bashkëpunoi, ashtu siç i kërkonte Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Sigurimit, pa rezerva me EULEX dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese.
Kërkon nga Shqipëria që të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.
Dhe, një nga pikat më të rëndësishme, “i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues (follow up report)”.
Pra, meqë raporti i Dick Marty-it në vitin 2011 u shndërrua në Rezolutë dhe mbi bazën e kësaj rezolute filluan hetime, por nuk u gjet gjë nga pretendimet e Marty-it, atëherë Shqipëria kërkon që të rishikohet situata tash pas një dekade dhe në dritën e fakteve të reja.
Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.
Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.
“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”
Nëse Shqipëria s’do të mund të lobojë mjaftueshëm për ta orientuar KiE-në drejt rishqyrtimit të kësaj rezolute, të paktën do të rritet vetëdija ndërkombëtare se Gjykata Speciale, që nismën e ka nga një raport për trafikim organesh, nuk po merret fare me këtë pjesë, dhe as aktakuzat e ngritura nuk merren me këtë pikë, por përmbajnë të tjera gjëra.
Këtë përpjekje të Shqipërisë e kanë përgëzuar edhe ekspertët e drejtësisë për Albanian Post, të cilët përveç se e kanë quajtur të vonuar, kanë thënë që përbën një nismë shumë të mirë.