Nga Ben Andoni
Kemi kaluar dekadën e tretë të shekullit XXI nën një sistem demokratik dhe ajo që i lodh sot, më së shumti shqiptarët, ka të bëjë me përfaqësimin e tyre dhe me njerëzit, të cilët ndajnë opinionin dhe informacionin e zgjedhur dhe vendosin për ta. Jo më kot, në teoritë e sotme demokratike një pjesë bajagi e madhe i kushtohet pikërisht rolit të madh që luajnë elitat politike në ndryshimin e fateve të vendit. Ndërkohë në curricula universitare punohet me shumë ngulm për përgatitjen e tyre dhe metodologjitë sesi do të përcillen vlerat. Për fat të keq, ky nuk është rasti ynë. Elitat nuk ndërrojnë, kurse shkollat në formë kapilare nga universitetet e më poshtë janë gjithnjë e më keq. Në 110 vitet e ekzistencës së shtetit tonë, me luhatjet e frikshme brenda tre sistemeve politiko-ekonomike-sociale, ne nuk kemi arritur atë që është baza e një qëndrueshmërie. E ky quhet besimi në vlera që ndijnë. Një nga arritjet më të mëdha të shoqërisë njerëzore është pikërisht kjo: miliona njerëzish ngado besojnë dhe respektojnë të njëjtat gjëra të realitetit. Shpesh, në kohën tonë ka një mëdyshje sesi besimi rrjedh nga disa institucione, personazhe apo profesionistë. Gjëja që i bashkon, qoftë edhe në mënyrë abstrakte është se të gjithë ata posedojnë një pjesë të informacionit dhe e ndajnë këtë në mënyrë të ndershme, shpjegon pak a shumë Ëilliam Davis në një shkrim për “The Guardian”.
Po pyetja e thjeshtë është se nëse ky besim ndahet në formë të ndershme pse nuk ndërrohen kryetarët e partive tona, pse nuk ka vend për qarkullim të individëve? Pse nuk ikën dot Sali Berisha si kryetar i PD-së edhe pas plot 32 vitesh; po Vangjel Dule i PBDNJ-së; po Fatmir Mediu i PR-së; Pse Edi Rama nuk bën të paktën zgjedhje në parti dhe pse nuk lëvizin një dyzinë e tjerë nga partitë Majtas, që nuk i njeh gati askush; si nuk arrihet të ndërrohen dot shefat e organizatave, që komunikojnë si pakkush me të huajt; Po mandatet që nuk mbarojnë të Presidentit të Federatës së futbollit Duka; po një mori e tërë shefash, që me një analizë statistikore sasiore do nxirrte një rezultat të frikshëm, pse nuk e kuptojnë dot se ka një fund? Sërish, artikullshkruesi i mësipërm, që merr kampione më të mëdha në analizë, mendon se: “Besueshmëria e figurave të institucioneve është shkatërruar nga ndryshimet teknologjike dhe trazirat politike. Por është tepër vonë për të kthyer orën pas”
Enver Hoxha qëndroi 40 vjet në pushtetin, që e formësoi sipas mënyrës së vet, duke dhënë kontributin e tij në një amulli krejt tjetër sa i përket eksperimenteve sociale, por që e kalcifikoi pastaj me Byronë Politike, gati të palëvizshme. Gjithsesi nuk është se nuk u prodhuan elitat e vendit, ata që do merrnin përsipër ndërtimin e një vendi të shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri-Presidenti-Mbreti Zogu e mbajti më pak, por edhe ai krijoi elitën e tij, një pjesë që e braktisi dhe dorëzoi kurorën në Romë dhe tjetra që i qëndroi besnik, por që vendit do t’i jepte një ndikim jo të pakët. Shumë fillesa të shtetit modern vinë prej reformave të tij. Por gjithsesi, pushteti më i gjatë i takoi komunistëve, që kapi pak më shumë se 40 vite, pothuaj 10 vjet më shumë sesa kjo pjesë e sistemit demokratik, ku po jetojmë tashmë. Janë të njëjtët njerëz, Berisha, Meta dhe Rama që ndërrojnë karriget, por tek e fundit janë sërish aty. Pjesa tjetër, që rrjedh prej tyre, formëson elitën aktuale politike, sepse del nga firma e tyre dhe u bindet po atyre në parlament dhe kudo. Dikotomia Rama-Berisha është provë. Ashtu, si këtë e shikon në çdo rrjedhë të vendit, ku jo vetëm parlamentarët por të gjithë, që janë pjesë e shpurave të tyre, thjeshtë përfaqësojnë interesat e njërës apo tjetrës palë. Nën të gjithë këtë diskurs kanë lidhje të forta interesash, jo pak herë deri edhe kërcënuese. I fundit ishte rasti i McGonigal (ende i pazbardhur në SHBA dhe mbase nuk do zbardhet kurrë), ku shikoje se personazhet e lidhur me të ishin deri kushërinj të përbashkët të PS dhe PL-së!!!
Në një projeksion tjetër: ta thjeshtojmë, duke u mbështetur në sistemin amerikan. “Duke e hapur fuqinë vendimmarrëse ndaj konkurrencës midis politikanëve që kanë nevojë vazhdimisht për para për zgjedhjet, sistemet demokratike janë të prirura për t’u kapur nga të pasurit”, shprehet studiuesi Thomas Carothers, studiues dhe bashkëdrejtor i Programit për Demokraci, Konflikt dhe Qeverisje të Carnegie. “Shtetet e Bashkuara kanë një problem të dukshëm me kapjen e pushtetit politik nga elita. Konkurrenca shumëpartiake e stilit amerikan ka përfshirë shuma të mëdha parash që rrjedhin në sistem nga individë dhe korporata të pasura që synojnë mbrojtjen e interesave të tyre. Përfaqësuesit politikë në nivel kombëtar janë shumë më të pasur se amerikanët mesatarë. Shumë politika legjislative dhe ekzekutive pasqyrojnë dukshëm interesat e të pasurve më shumë sesa të të varfërve, duke përfshirë përfitime të shumta tatimore të krijuara posaçërisht për të ndihmuar grupe të caktuara individësh të pasur dhe korporata të fuqishme”.
Ky është një aspekt, por me sa duket edhe më thelbësori, pasi referuar studiuesit të mësipërm, fuqia korruptuese e parasë “është pothuajse gjithmonë një çështje në demokraci, por disa zgjedhje të politikave ligjore dhe ekonomike specifike për Shtetet e Bashkuara po e përkeqësojnë edhe më tej këtë problem. Këto përfshijnë lehtësime tatimore dhe politika të tjera që kontribuojnë në nivele të larta të pabarazisë, veçanërisht zgjerimin e shpejtë në vitet e fundit të një klase qytetarësh tepër të pasur; një sistem financimi i fushatës që lejon shuma të mëdha financimi përmes komiteteve të veprimit politik; dhe rregullat dhe praktikat e lobimit që i hapin ligjvënësit ndaj interesave private në një shkallë të jashtëzakonshme”, saktëson Carothers. Këtu e kupton qartë rendjen e politikanëve tanë për të bërë një foto, me senatorë ose politikanë, që në shumë raste pak i njohin.
E sa i përket gjoja përmirësimit të elitave me anë të futjes së të rinjve në politikë, fenomeni është edhe më i dhimbshëm, duke pasur rastin e vendit tonë, kur të rinjtë janë thjeshtë zgjatime të liderave të pandryshueshëm dhe megafonë të frikshëm në dorë të tyret. Pak herë ndodh si në Shqipëri që personazhet që jetuan dhe bënë krizën e madhe të fajdeve dhe tollovinë e 1997 që i kemi tek PD-ja sot, të kërkojnë sërish pushtet. Paradoksalisht, me konceptin e politikës liberale është vetëm një grup njerëzish që zgjidhen me votën tonë dhe që na përfaqësojnë. Vallë kjo është zgjedhja apo manipulimi ynë? Shpërblimi i tyre: njerëzit që na përfaqësojnë kur ulen në parlament janë thjesht zgjatime të dy kryetarëve respektivë të PS dhe PD-së dhe para syve publiku sheh korrupsionin e tyre dhe akuzat e njerëzve që janë fare larg interesave të zgjedhësve të tyre. Siç po ndodh tani me lobimin me paratë ruse dhe që nuk i del askush për zot. A është ky vetëm rasti i Shqipërisë? Për fat të keq jo. Kohë më parë, Tom Tugendhat, në një shkrim për “Atlantic Council” argumentonte pushtimin tjetër: kapjen e elitave evropiane nga oligarkët rusë. “Nga Londra në Athinë dhe shumë më gjerë se kaq, bankierë, avokatë, lobistë dhe ish-zyrtarë janë të kapur nga Kremlini dhe aleatët e tij”, shkruante ai. Rastet e përmendura ishin të dhimbshme: ish-kryeministri francez Francois Fillon, që u bë pjesë e bordit të kompanisë ruse shtetërore të naftës “Zarubezhneft” (me emërimin e posaçëm të Kremlinit). Ish-Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, e cila u bë e famshme për vallëzimin e saj me Putinin ditën e dasmës së saj në vitin 2018, u emërua po në qershorin e vitit 2021 në bordin drejtues të “Rosneft”, kompanisë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi. Bordi drejtohej nga Gerhard Schroeder, ish-kancelari i Gjermanisë me një rrogë prej 600 mijë dollarësh në vit. Por ai nuk është i vetmi ish-kancelar evropian me lidhje të ngushta me Rusinë. Edhe ish-kancelari austriak Christian Kern ishte pjesë e bordit mbikëqyrës të Hekurudhave Ruse. Apo Luca Volontè, një ish-deputet italian dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që u dënua janarin e vitit të kaluar me 4 vjet burg për marrje ryshfeti nga zyrtarët e Azerbajxhanit, deri tek pastrimi në shkallë të gjerë i parave ruse dhe të kleptokratëve të tjerë në Londër, duket se diçka ka shkuar shumë keq në mbrojtjen ekonomike të Evropës, citojmë përmbledhjen e Tugendhat.
Po si mund të frenohet ky batak, si mund të kemi qarkullime elitash? Disa shtete si Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Suedia po bëjnë çmos ta kufizojnë paranë në politikë, duke i shmangur të pasurit në legjislatura dhe kanë krijuar politika kombëtare ekonomike që kufizojnë pabarazinë dhe përfaqësojnë interesat në mënyrën më të barabartë të mundshme, referuar Carothers. Dhe, sigurisht që demokracia ta mëson rrugën përmes disa institucioneve kyçe duke përfshirë alternimin e pushtetit në përgjigje të zgjedhjeve të votuesve, respektin për shtypin e lirë dhe sundimin e pavarur të ligjit, që gjithashtu ndihmon në luftën kundër korrupsionit. Duket se kapja e elitës është rasti i mirëfilltë shqiptar dhe një tipar i regjimeve të udhëve autoritare, ku mungon llogaridhënia publike dhe centralizimi i pushtetit që shmang kontrollet dhe balancat. Jemi në rrugë të keqe dhe demokracia shqiptare, po bën që njerëzit të referohen gjithnjë e më shumë në të shkuarën, atëherë kur demokracia ishte nocion por jo realitet. Po elitat? Ato rrinë dhe vështrojnë! (Homo Albanicus)