• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, June 11, 2023
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

“Pse Greqia nuk mund të luajë asnjë rol në Ballkan, pa njohur Kosovën”

Shaban Murati by Shaban Murati
10/06/2021 16:18
“Pse Greqia nuk mund të luajë asnjë rol në Ballkan, pa njohur Kosovën”
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Shaban Murati

Greqia po bën me Kosovën të njëjtin gabim, që bëri me Izraelin, të cilin Athina e njohu me vonesë të jashtëzakonshme 43 vjet pas krijimit të atij shteti. Por gabimi diplomatik i Greqisë me Kosovën është më i madh dhe më me pasoja për vetë Greqinë, sepse Kosova është shtet i Ballkanit, ku ndodhet edhe vetë Greqia. Koha e deritanishme ka zhvleftësuar tërë argumentet diplomatike dhe politike, që ka përdorur diplomacia e Athinës për të justifikuar mosnjohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Madje mund të thuhet se nga pesë shtetet e BE, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, Greqia është e vetmja që nuk ka as argumente dhe as pretekste formale demografike apo etnike, që përdorin katër shtetet e tjera.

Disa qarqe diplomatike dhe mediatike rajonale patën shpresa se gjatë vizitës dhe bisedimeve të tij në Prishtinë në 4 qershor ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, do të shpallte më në fund njoftimin zyrtar të njohjes së Kosovës nga qeveria greke. Kjo pritshmëri u krijua nga informacionet e dala prej burimeve diplomatike rajonale se Athina ishte në prag të marrjes së vendimit për njohjen e Kosovës për shkak kërkesave të forta nga administrata e re amerikane e presidentit Xho Bajden për ta ndërmarrë këtë hap. Pritshmëritë për njohjen e shpejtë të Kosovës nga Greqia i përforcoi vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në fund të muajit maj shprehu publikisht shqetësimin e tij për zhvillimet e reja në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Kosovës dhe dyshimet se Greqia po njeh Kosovën, dhe i kërkoi publikisht Athinës që të mos avancojë deri në njohjen e Kosovës. Serbia ishte tepër e shqetësuar, sepse një njohje diplomatike e Kosovës nga Greqia tani në prag të takimit në nivel të lartë të dialogut Serbi-Kosovë në Bruksel në muajin qershor, do të dobësonte së tepërmi pozitën biseduese të Serbisë.

Ministri i jashtëm grek shkoi në Prishtinë dhe nuk shpalli gjë njoftimin për njohjen e Kosovës dhe u mjaftua të deklaronte se Greqia do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj europiane dhe euroatlantike. Nga pikëpamja diplomatike kjo mund të quhet një rreze drite në çështjen e njohjes, sepse gjithkush e din se anëtarësimi në BE dhe në NATO është për shtetet dhe Greqia e ka të qartë se mbështetja e saj do të thotë mbështetje për shtetin e Kosovës, i cili aspiron të bëhet anëtar në të dy organizatat europiane. Edhe hapi i fundit i Greqisë në prag të vizitës së Dendiasit në Kosovë për të rritur nivelin e marrëdhënieve me Kosovën në rangun e drejtorëve politikë dhe për të ndryshuar emrin e “Zyrës së Lidhjeve Tregtare” të Kosovës në Athinë në “Zyra e Interesit të Kosovës” është një hap në drejtimin e duhur, ndonëse hap i vogël, sepse ajo zyrë nuk ka të drejtë të ketë emblemën dhe flamurin e shtetit të vet dhe e ka të ndaluar të komunikojë me ministrin e jashtëm grek, me zëvendësministrin e jashtëm dhe me sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së jashtme greke. Në fakt Greqia ka ndjekur prej disa kohësh strategjinë e ecjes me hapa të vogla në drejtim të afrimit me shtetin e Kosovës dhe ka mbajtur qëndrim pozitiv në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në disa organizata ndërkombëtare. Greqia ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Bankën Qendrore Europiane, në Komisionin e Venecias, etj.

Por koha e hapave të vogla është tejkaluar dhe tani është koha e vendimeve të shpejta për njohjen e Kosovës dhe krijimin e një hartë shtetërore të plotë të bashkëpunimit ndërballkanik, për të cilin Athina shprehet se është tepër e interesuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri mirë që në bisedimet e zhvilluara në 4 qershor me ministrin e jashtëm grek Dendias, sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit, “i ritheksoi kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helenik”. Kjo është dera e madhe, që duhet të hapë Athina, për të zhvilluar realisht dhe normalisht marrëdhëniet me një shtet tjetër ballkanik. Burime të besuara diplomatike nga Prishtina bëjnë të ditur se gjatë bisedimeve të ministrit të jashtëm grek me udhëheqësit e Kosovës janë dhënë indikacione më të qarta për njohjen e Kosovës nga Greqia, por koha e shpalljes së këtij vendimi mbetet ende dilema e Athinës.

Tani kemi një momentum të ri diplomatik ndërkombëtar për çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, kur qeveria e re amerikane e presidentit Bajden i ka kërkuar zyrtarisht Serbisë që në qendër të dialogut të saj me Kosovën të vendosë njohjen reciproke midis dy shteteve fqinjë. Fakti që SHBA, shteti më i fuqishëm demokratik i botës dhe aleati kryesor strategjik i Greqisë, ia kërkon këtë Serbisë, e bën të jetë jashtë kohe ngurrimi i Greqisë për të shpallur njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Çdo diplomat e ka të vështirë të kuptojë që midis qëndrimit të SHBA për Kosovën dhe qëndrimit të Serbisë për Kosovën Greqia vazhdon të zgjedhë Serbinë. Serbia dhe Rusia kanë shtuar përpjekjet ditët e fundit për të aktivizuar qarqet antiatlantike dhe antieperëndimore në Athinë që të bëjnë presione mbi qeverinë që të mos njohë Kosovën. Gazeta greke “greekcitytimes” shkruante në 7 qershor që në titull: “ Armiqtë tanë të përbashkët do të jenë të lumtur të shohin Greqinë dhe Serbinë të përçarë për Kosovën”. Lexohet qartë se Rusia dhe Serbia këmbëngulin ta mbajnë Greqinë në kampin e tyre armiqësor me Perëndimin. Njohja e Kosovës është një gur prove në këtë situatë dhe çdo interes diplomatik, strategjik, gjeopolitike dhe gjeoekonomik, natyrshëm duhet ta shtyjë Greqinë drejt lidhjeve më të ngushta me SHBA dhe me Perëndimin në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe njohjen e Kosovës.

E zbërthyer në kompleksitetin dhe në perspektivën historike, politike dhe diplomatike të rajonit, ajo që humb më tepër nga mosnjohja e Kosovës është vetë Greqia. Mosnjohja e Kosovës nga Greqia është e papërputhshme me strategjinë e re diplomatike dhe gjeopolitike të Athinës për një rol të ri grek në Ballkan. Në 12 prill 2021 gazeta greke “Ekathimerini” shkruante se “Greqia po kthehet në Ballkan, falë realiteteve të reja gjeopolitike të viteve të fundit. Angazhimi special i ministrit të jashtëm Nikos Dendias qysh ditën që mori detyrën tregon se Athina  po lëviz përpara mbi bazën e një plani të ri për rajonin”. Duhet thënë që në fillim se çfarëdo plani diplomatik dhe gjeopolitik, që të ketë Greqia për të siguruar dhe për të konsoliduar një rol të ri të posaçëm të saj në Ballkan është i mangët dhe ka pak shanse suksesi, nëse pretendenti, pra Greqia, nuk ka marrëdhënie shtetërore diplomatike me të gjitha shtetet e rajonit pa përjashtim. Çdo plan ballkanik pa njohjen e Kosovës si shtet dhe aktor shtetëror nuk mund të ketë sukses.  Mjafton të shihet shembulli i Gjermanisë dhe i kancelares se saj historike Angela Merkel,të cilët në hartimin dhe në zbatimin e  projektit të mirënjohur “Procesi i Berlinit” i përfshinë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, edhe Kosovën, me statusin e plotë të shtetit të pavarur, pavarësisht se çfarë mendonte Serbia.

Greqia duhet ta harrojë rolin e saj ballkanik, nëse nuk vendos marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Vakumi, i krijuar nga mungesa e marrëdhënieve diplomatike dhe nga mungesa e marrëveshjeve ndërshtetërore, nuk mbushet dot as me Zyra ndërlidhje dhe as me vizita diplomatike, sado pozitive qofshin ato. Kosova ka në Ballkan një rëndësi dhe peshë politike, gjeopolitike dhe demografike, që shkon përtej kufijve të saj shtetërorë të sotëm. Kosova ka rol në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, në Serbi dhe në Mal të Zi. Faktori shqiptar në rajon është faktor gjeopolitik, që nuk mund të neglizhohet nga asnjë shtet, i cili kërkon rol dhe ndikim në rajon, dhe ai faktor kërkon konsiderim në të gjithë segmentet e tij dhe sidomos në drejtim të dy shteteve shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, të cila janë një realitet gjeopolitik i pakthyeshëm.

Mosnjohja e Kosovës krijon një disproporcion  diplomatik dhe gjeopolitik dhe një disekuilibër forcash midis Greqisë dhe Serbisë. Greqia dhe Serbia janë dy shtete, të cilat aspirojnë për një rol udhëheqësi në Ballkanin Perëndimor. Serbia ka një handikap shumë të madh që është çështja e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën, pa të cilin nuk mund të anëtarësohet në BE. Greqia, e cila nuk ka në vetvete asnjë problem me shtetin e pavarur të Kosovës, trashëgon nga emocioni për Serbinë të njëjtin handikap serb dhe krijon artificialisht një pozitë rajonale më të dobët se sa Serbia. Për të shmangur rivalen Greqi nga Ballkani Perëndimor Serbia ka avancuar me projekte individuale si ai i “mini Shengenit” serb, i cili synon të ligjërojë hegjemoninë serbe në Ballkanin Perëndimor dhe i kundërvihet edhe platformës së Selanikut të vitit 2003 për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, edhe “Procesit të Berlinit”. Greqia mund të neutralizojë këto përpjekje hegjemoniste serbe në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën dhe duke promovuar projektet e integrimit në BE të këtyre vendeve.

Është vendi për t’i kujtuar Athinës se gjatë gjithë kohës 25 vjeçare të konfliktit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut Serbia ka mbështetur gjithmonë Shkupin dhe asnjëherë Athinën. Kështu që asnjë logjikë diplomatike nuk mund të kuptojë që Athina harron me kaq lehtësi neglizhimin e gjatë serb për një interes kombëtar të Greqisë dhe tani për hatër të Serbisë nuk njeh Kosovën.

Mosnjohja e Kosovës i krijon një disavantazh Greqisë edhe në raportet e saj delikate ballkanike me Turqinë. Politika realiste e Turqisë ka arritur të krijojë marrëdhënie të mira dhe normale edhe me Serbinë, edhe me Kosovën. Kurse Greqia për hatër të Serbisë ka marrëdhënie të mira vetëm me Serbinë dhe nuk e njeh Kosovën. Kjo krijon një disavantazh të aspiratave të diplomacisë dhe të shtetit grek në Ballkanin Perëndimor.

Mosnjohja e Kosovës nga Greqia krijon një çarje të madhe në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Diplomacia e Shqipërisë nuk mund të mos e konsiderojë gjest jomiqësor mosnjohjen e Kosovës nga të pesë shtetet e BE. Kosova është pjesë e pandarë e çështjes kombëtare shqiptare. Kosova është shteti i dytë shqiptar. Greqia duhet të niset në këtë çështje nga qëndrimi, që ajo mban ndaj Qipros, të cilën e konsideron pjesë të çështjes kombëtare greke dhe shtet i dytë grek. Kjo do të thotë që Greqia duhet të njohë Kosovën me qëllim që marrëdhëniet e saj me Shqipërinë të mos kenë një pengesë të pazgjidhur, që ka të bëjë me çështjen kombëtare shqiptare. Është rasti për të theksuar që diplomacia e Shqipërisë të tregohet më koherente dhe të intensifikojë kërkesat e saj në drejtim të qeverisë së Greqisë për njohjen e Kosovës. Shqipëria e ka detyrim kushtetues të bashkohet fuqishëm me valën e re aktuale të kërkesave dhe të presioneve të shteteve të mëdha perëndimore ndaj Greqisë për njohjen e Kosovës.

Duke njohur Kosovën Greqia fiton një element të ri pozitiv në marrëdhëniet me SHBA, me Gjermaninë, me Francën, me Britaninë e Madhe, etj. të cilat kanë intensifikuar zërat në Athinë për njohjen e Kosovës. Interesi strategjik i NATO-s në Ballkan është që Kosova të jetë nesër anëtare e Aleancës Atlantike. Anëtarësimi i Kosovës në NATO nëpërmjet heqjes së barrikadës nga katër shtetet e NATO-s, që nuk e njohin, dhe ku Greqia duhet të japë shembullin e para, do të përbënte një kontribut të madh në sigurinë e rajonit tonë. Pra kemi një nevojë strategjike të brendshme dhe ndërkombëtare të Greqisë për të njohur sa më parë shtetin e pavarur të Kosovës.

gazetadita.al

Next Post
Të premten nis Europiani, ndeshja Turqi – Itali hap turneun

Të premten nis Europiani, ndeshja Turqi – Itali hap turneun

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

LAJMET E FUNDIT

Pa gola pjesa e parë e City-Inter, anglezët më të rrezikshëm, Inter mbrohet me kujdes

Pa gola pjesa e parë e City-Inter, anglezët më të rrezikshëm, Inter mbrohet me kujdes

June 10, 2023
Manchester City fiton Champions dhe realizon “tripletën historike”. Interi dorëzohet dhe gjen një Ederson heroik

Manchester City fiton Champions dhe realizon “tripletën historike”. Interi dorëzohet dhe gjen një Ederson heroik

June 10, 2023
Sa humbasin familjet nga rënia e euros? Rreth 4 mijë lekë në muaj, për ata që marrin dërgesa nga emigrantët

Sa humbasin familjet nga rënia e euros? Rreth 4 mijë lekë në muaj, për ata që marrin dërgesa nga emigrantët

June 10, 2023
Kosova nuk ka presidente

Kosova nuk ka presidente

June 10, 2023
Lulzim Basha ndan foton me Aurelën nga Universiteti i Utrehtit në Holandë, u ftuan nga Rektori…!

Lulzim Basha ndan foton me Aurelën nga Universiteti i Utrehtit në Holandë, u ftuan nga Rektori…!

June 10, 2023
Kurti për zgjedhjet në veri: Së pari të ndalet dhuna dhe të zbatohet marrëveshja bazike

Përjashtimi nga ‘Defender 2023″, reagon ashpër Kurti: Presion në rritje nga SHBA e BE, Kosova po bullizohet. Nuk tërhiqemi

June 10, 2023
Emrat/ Tjetër sherr në Tiranë! Dy persona përfundojnë në spital, konflikti në sytë e gruas shtatzënë të njërit prej të dëmtuarve

Emrat/ Tjetër sherr në Tiranë! Dy persona përfundojnë në spital, konflikti në sytë e gruas shtatzënë të njërit prej të dëmtuarve

June 10, 2023
“Më ndjek çdo moment me GPS”/ Kush është gruaja që nuk i ndahet Arbërit?!

“Më ndjek çdo moment me GPS”/ Kush është gruaja që nuk i ndahet Arbërit?!

June 10, 2023
FOTOT/ Shqiptarët e Amerikës “pushtojnë” Nju Jorkun, ‘skuqet’…!

FOTOT/ Shqiptarët e Amerikës “pushtojnë” Nju Jorkun, ‘skuqet’…!

June 10, 2023
Spanjollët “zbulojnë’ Shqipërinë: Rritje e fortë e numrit të pushuesve nga gadishulli iberik

Spanjollët “zbulojnë’ Shqipërinë: Rritje e fortë e numrit të pushuesve nga gadishulli iberik

June 10, 2023
Sherr mes 3 të miturve tek “5 maji” në Tiranë, njëri prej tyre përfundon në spital

Sherr mes 3 të miturve tek “5 maji” në Tiranë, njëri prej tyre përfundon në spital

June 10, 2023
Kurti nuk i ‘ndahet’ Escobarit: Kemi sfida me të dërguarit e posaçëm, por marrëdhëniet me BE e SHBA janë të shkëlqyera

Albin Kurti: Lidhja e Prizrenit do na ndihmojë të rregullojmë marrëdhëniet me aleatët evropianë e amerikanë

June 10, 2023
Gruaja gjermane që dashuron Beratin: Dua nënshtetësinë shqiptare, jetoj këtu që 23  vite

Gruaja gjermane që dashuron Beratin: Dua nënshtetësinë shqiptare, jetoj këtu që 23 vite

June 10, 2023
Kur ‘revolucionari’ i Kosovës i bashkohet PD-LSI-së

Pseudo-sovranizmi anti-amerikan është në thelb antipatriotik

June 10, 2023
Gjenden të vdekur burrë e grua në Lushnje, dyshohet të jenë asfiksuar nga gazi

Tragjike/ Gjenden të varur dy efektivë policie, dalin detajet tronditëse

June 10, 2023
“Ik o surrat qofte…”/ Jori Delli i kthehet keq Ronaldo Sharkës, çfarë ndodhi mes tyre?

“Ik o surrat qofte…”/ Jori Delli i kthehet keq Ronaldo Sharkës, çfarë ndodhi mes tyre?

June 10, 2023
Artistët, politikanët apo biznesmenët? Detektivja Shkënda Lili tregon kush tradhton më shumë

Artistët, politikanët apo biznesmenët? Detektivja Shkënda Lili tregon kush tradhton më shumë

June 10, 2023
Një trung i lartë me kurorë freskuese për Manastirin

Një trung i lartë me kurorë freskuese për Manastirin

June 10, 2023
Tensionet në veri/ KFOR mesazh protestuesve serbë: Mbi 90 efektivë nga ne humbën jetën për të krijuar një ambient të sigurtë

Tensionet në veri/ KFOR mesazh protestuesve serbë: Mbi 90 efektivë nga ne humbën jetën për të krijuar një ambient të sigurtë

June 10, 2023
Arbër Hajdari përlot me rrëfimin e kalvarit të vuajtjeve në familje: Mami ka pësuar disa herë vdekje klinike

Arbër Hajdari përlot me rrëfimin e kalvarit të vuajtjeve në familje: Mami ka pësuar disa herë vdekje klinike

June 10, 2023
JavaNews.al

  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2015 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
    • Exlibris
    • Intervistë
    • Kuzhinë
    • Në plan të parë

© 2015 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com