sh-Kryeministri Sali Berisha është përfshirë të enjten në debate të ashpra me deputetët e Partisë Socialiste, duke i akuzuar për lidhje të forta me eksponentë të krimit të organizuar. Berisha kërkoi të përballej me Kryeministrin Rama, por ky i fundit, pas fjalës në Kuvend, është larguar nga salla, gjë e cila u shoqërua me një batutë të ish-kreut të PD-së.
“Hajde këtu, mos u fshih pas fustanit të grave”, iu drejtua Berisha Ramës. Gjatë debatit, ish-kryeministri ka lexuar në Parlament një deklaratë të brendshme të Policisë për arrestimin e dy anëtarëve të bandës së Shullazit, të cilët kërcënuan një qytetar nga Librazhdi. Për ish-kreun e PD-së, drejtuesit e policisë prishën provat për të liruar dy eksponentët. Po ashtu, Berisha ka akuzuar Kryeministrin Rama se ka kërcënuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe se për të faktuar këtë akuzë, kishte në dispozicion 170 minuta bisedë telefonike.
DEBATI
Edi Rama: Unë nuk merrem me çfarë thuhen pas dyerve. Ka të tjerë që e kanë atë zanat. Lërini alibitë se nuk ju shpëton nga Reforma në Drejtësi as Frroku, as Rroku, as Noku, as Shulla, as Hazi, as Shullazi, as Saliu nuk ju shpëton dot nga Reforma në Drejtësi. ..
(Pas fjalimit, kryeministri largohet nga salla.)
Sali Berisha: Mos ik, hajde rri këtu, përballu. Mos ik të fshihesh pas fustanit të grave…
Taulant Balla: Ulu, ore hajvan…
Sali Berisha: Rri këtu, mos ik, apo s’ta mban të përballesh?
Taulant Balla: Lëre të flasë Mediu…
Fatmir Mediu: Për fatin e keq, na ka ngelur grupi i miqësisë me Kinën pa kryetar, se na ka ikur Koço Kokëdhima, ju lutem gjeni kryetar sa më shpejt që të forcojmë marrëdhëniet me Kinën…
Sali Berisha: Kreu i meduzës u largua, nuk pati burrërinë të qëndronte dhe të dëgjonte përgjigjet e problemeve që ai shtroi, akuzave që ai bëri, por kësaj here unë e justifikoj largimin e tij. Ai e dinte që unë sot kisha një përshëndetje për të. Kisha një përshëndetje të sinqertë: Urime, EdEskobar! Të mungonte ky titull, o EdEskobar, por e fitove, tani për tani je EdEskobar për Ballkanin, por ju garantoj se shumë shpejt do ta ketë për mbarë Europën, për mbarë kontinentin, madje do të shohë dhe hapësira të tjera.
(Berisha lexon në Parlament komunikatën operative të Policisë.)
Sali Berisha: Në datën 21/12/2015, shtetasi me iniciale X.X., nga Librazhdi, po qëndronte te Rruga e Kavajës, në afërsi të një lokali, duke pritur një të afërmin e vet. Në këtë kohë i janë afruar dy shtetas dhe e kanë pyetur se përse po qëndronte afër atyre ambienteve. Shtetasi nga Librazhdi ka deklaruar se po priste një të afërmin e vet. Të dy shtetasit i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit dhe i kanë bërë foto dokumentit dhe ia kanë nisur për verifikim “gjeneral” Emiljano Shullazit, për të konfirmuar nëse ky person është i rrezikshëm apo jo. Gjithçka nga këto janë në aktin e OPGJ. Pas konfirmimit nga shtetasi Shullazi, se ky person nuk ka rrezikshmëri, ata e kanë goditur disa herë shtetasin, qytetar të Librazhdit, dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Taulant Balla: Qenkam i persekutuar kësaj radhe.
Sali Berisha: Qytetari, pasi është shkëputur dhe ka përshkruar një distancë rruge prej afro 10 minutash, ka takuar një patrullë policie dhe i thotë se dy qytetarë, të cilët nuk i njihte, e kishin kërcënuar me jetë dhe u tregoi atyre vendin se ku kishte ndodhur ky kërcënim. Kjo konfirmohet dhe nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, që “në datën 21/12/ 2015 ka mbërritur telefonata në këtë sallë se dy persona po kanosin me armë zjarri një person te Rruga e Kavajës, në afërsi të një lokali. Policia ka mbërritur menjëherë në adresën e dhënë dhe ka bërë shoqërimin e shtetasve Valmend Pelivani, 24 vjeç, të cilit iu gjet një pistoletë ‘TT’ e mbushur dhe gati për qitje, si dhe Bekim Zelollari, 32 vjeç, të cilit iu gjet një armë, pistoletë ‘TT’, me fishekë në gojë, por që pretendonte se ishte polic burgjesh dhe kishte dy dokumente policie”. Në fakt, e vërteta është se ai ishte polic burgjesh.
Piro Lutaj: Je bërë si topçi, ore…
Sali Berisha: Këto të dhëna janë të shkruajtura në procesverbalin e kapjes në flagrancë. Në akt thuhet se këta shtetas, Valmend Pelivani dhe Bekim Zelollari, dyshohet se kanë kanosur një tjetër shtetas, i cili ka depozituar një kallëzim në Komisariatin nr. 2. Pra, kjo thuhet në komunikatën e Komisariatit nr. 2, në Tiranë.
Taulant Balla: Çfarë janë këta, çfarë janë?!
Sali Berisha: Burime të sigurta brenda Policisë dëshmojnë se pas një ore që Shullazi është vënë në dijeni se janë shoqëruar dy rojet e tij të shërbimit në lagje, i është kërkuar punonjësit të policisë që ka kryer veprimet, të paraqitet në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku u prit nga shefi i Komisariatit nr. 2, një Arsen Sinemati, të cilin e ka zhdëpur Shullazi njëherë se e ka dhe mik atë. Ky oficer policie është pritur dhe nga zv/drejtori Ermal Muço dhe drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, famozi, Shullazi tjetër, Artjon Duka. Me këta ishte dhe Arsen Sinemati dhe ata i kërkojnë oficerit të Policisë Gjyqësore se ku është arma. Ai u thotë se e ka dërguar në laboratorin shkencor të Policisë. I kanë thënë shko tërhiqe menjëherë armën. Oficeri ka zbatuar urdhrin, ka marrë armën nga laboratori. Këta zotërinj, pra, Arsen Sinemati, Ermal Muço, Artjon Duka, anëtarë të bandës së “gjeneralit”, e kanë nxjerrë jashtë oficerin dhe e kanë mbajtur 30 minuta pistoletën. Çfarë kanë bërë si kriminelë të pafytyrë? I kanë prishur gjilpërën pistoletës, në një kohë kur në këtë akt është përshkruar intakte arma dhe me fishekë në grykë…
Arben Çuko: Çoje në Prokurori gjilpërën.
Sali Berisha: O avoketër të krimit, o EdEskobarë, pushoni të flas unë, pastaj hajde flisni ju.
Flamur Noka: Ore, çfarë keni ju që kërceni përpjetë dhe mbroni Shullazin? Ju ka tredhur të gjithëve Shullazi.
Sali Berisha: Pra, pasi e prishin armën, i thonë ta dërgojë në laborator. Akti i ekspertimit natyrisht doli revolveri me gjilpërë tjetër. Valementi dhe si quhej ai tjetri…
Taulant Balla: Arseni, Arseni… A si qenke sot ti, rëndë fare.
Flamur Noka: Pse e kruan, apo ta mban b**tha ty…
Sali Berisha: Ju bërtisni dhe në këtë mënyrë tregoni se jeni valmendër, ju tregoni se jeni shullezër, tregoni se jeni cenollarë, ju tregoni se jeni ushtarë të turpshëm. Çfarë deputetësh jeni ju? Ju jeni mjerim. Po ky që po lexoj është akt shtetëror, akt i Policisë që drejtoni ju. Ja ku e keni. Urdhri për të bërë këtë falsifikim erdhi direkt nga Saje Qorri, me dijeninë e plotë të Edvin Shullazit…
Taulant Balla: Të mbaroi koha…
Sali Berisha: Do t’ju nxjerr vrasësit që mbani pas vetes një nga një, të cilët, sado që janë vrasës, por janë burra dhjetë herë më të mirë se ju, se nuk janë frikacakë si ju. Ju kanë gjetur ju njerëz pa karakter, njerëz pa fytyrë, që përdorni imunitete për të mbrojtur vrasës. Ju kanë gjetur ju, se ata vrimë miu nuk do të gjenin nëse s’i mbronit ju. Do t’jua nxjerr këtu siç jua kam nxjerrë…
Flamur Noka: Ju ka tredh Shullazi të gjithëve, rrini sustë, janë bërë burrat si lepuj…
Sali Berisha: Lidhur me Reformën në Drejtësi, Edi Rama ka fiks 170 minuta biseda telefonike me gjykatës të Gj. Kushtetuese për të shpëtuar sivëlla Kokëdhimën. Përveç bisedave telefonike dhe kërcënimeve nga më të ulëtat ndaj gjykatësve, ka dërguar jo një herë, por disa herë, sekretarin e përgjithshëm të mafies qeveritare, njeriun që i përshtat atij fjalimet e Bennito Mussolini-t, mafiozin Engjëll Agaçi. I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të marrë kamerat e Gjykatës së Lartë e të shohë se sa herë e viziton ky mafioz i paskrupullt. A e dini ju që ky me Gysin, që i jep vizat e kokainës Ramës…
Taulant Balla: Je në rregull, ti mo? Ooo, mbush mirë ti??!
Sali Berisha: Pra, kjo është drejtësia. Ajo kulmoi dje me fytyrën tuaj të vërtetë. Një rrugaç kushtetues, që s’njeh normë e s’njeh ligj, organizon për herë të parë në historinë e këtij shteti, një protestë shtetërore para Gjykatës Administrative. I bëj thirrje Grupit parlamentar të PD-së të nisë menjëherë procedurën për shkarkimin e këtij rrugaçi që rrethon gjykatat, e këtij eksponenti të shpërfytyruar nga çdo lloj norme dhe standardi. I bëj thirrje të kërkojnë me urgjencë shkarkimin e tij, ndërprerjen, duke iu referuar neneve përkatëse të Kushtetutës, ligjeve të këtij vendi, të cilat ndalojnë në mënyrë kategorike dhe e kanë shpallur si vepër penale presionin ndaj gjykatësit dhe ndaj gjykatave.
(Berisha kërkon Ipad-in për të treguar pallatet e Sadri Abazit)
Taulant Balla: Po lëri tani, mbaro fjalën, do të të presin ty të gjesh I-padin.
Sali Berisha: Qytetarët kanë nevojë, se të rrethosh gjykatën ti që ke 5 pallate pa leje… Askush nuk duhet të ketë frikë nga të vërtetat.
Saimir Tahiri: S’ka nevojë për foto, po vazhdo fol…
Sali Berisha: Pse e humbisni ju durimin, kur unë e kam durimin?!
Saimir Tahiri: Të besojmë ne ty, po vazhdo fol. Ose merr 5 minuta pushim.
Sali Berisha: Kam nevojë që të keni durim, se unë do t’i gjej pallatet e Sadri Abazit, të cilat janë 5 dhe jo më pak… 5 pallate pa leje.
Sadri Abazi: Nxirre dhëndrin në protesta. S’kam pallate pa leje…
Sali Berisha: S’po i gjej, por do t’ua nxjerr në media. Tani për sa i përket asaj që shpifni e trilloni nga vendi, ta dini mirë se ato leje i ka dhënë Edvin Kristaq Rama. Unë kam qenë Kryeministër dhe Edvin Rama ka sjellë në KKRRT studimin e pjesshëm për ndërtimet në atë zonë. E kam miratuar propozimin e Ramës, cilido të shkojë të marrë vendimin dhe do të shohë se kam miratuar pallate 5-katëshe, ndërkohë që Rama i çoi në 17-katëshe, jo Berisha, por Rama i çoi në 17-katëshe… panorama/ a.k