Nga Elise Labott “Foreing Policy”
Ta quash 2021-in si“verën e pakënaqësisë” do të ishte një
nënvlerësim i madh. Nga Kuba në Afrikën e Jugut, nga Kolumbia në
Haiti, protestat e dhunshme po përfshijnë gjithnjë e më shpesh çdo
cep të globit, ndërsa qytetarët e zemëruar po dalin nëpër rrugë.
Secili vend ka histori dhe realitete të ndryshme në terren, sidomos
Haiti, ku vitet e dhunës dhe korrupsioni qeveritar arritën kulmin dy
javë më parë me vrasjen e presidentit Jovenel Moïse. Por të gjithë u
përballën me një stuhi të përsosur të vështirësive para-ekzistuese
sociale, ekonomike dhe politike, të cilat pandemia e Covid-19 vetëm
sa i rëndoi akoma më tej.
Dhe ato janë thjesht një paralajmërim i trazirave globale postkoronavirus që po afrojnë, teksa tensionet ekzistuese në vendet
anembanë botës po shndërrohen në trazira më të gjera civile, dhe
rebelime kundër vështirësive ekonomike dhe pabarazisë së thelluar
më tej nga pandemia.
Pandemia e koronavirusit ishte dikur një krizë që godiste një herë në
një shekull. Ajo tronditi jo vetëm sistemet shëndetësore të vendeve,
por kërkoi edhe një reagim që ndikoi – dhe u formësua nga
konsideratat ekonomike, politike dhe ato të sigurisë.
Përpjekjet për ta frenuar atë, mund të kenë frenuar vdekjet masive në
një periudhë afatshkurtër, por ato kanë thelluar pa dashje dobësitë,
të cilat kanë hedhur bazat për dhunë, konflikte dhe trazira politike
afatgjata. Ato duhet të shërbejnë si një shenjë rreziku për
udhëheqësit botërorë kur të rihapen vendet, përfshirë Shtetet e
Bashkuara.
Historia është plot me shembuj të pandemive si inkubatorë të
trazirave shoqërore, nga Vdekja e Zezë deri tek Gripi Spanjoll, apo
shpërthimi i madh epidemik i kolerës në Paris, i përjetësuar në
romanin “‘Të mjerët” të Victor Hugo.
Thelbi i saj gjatë gjithë kësaj kohe është një pabarazi e përhapur.
Covid-19 ka thelluar ndarjet e hapura ekonomike, dhe e ka bërë jetën
më të vështirë për grupet tashmë të rrezikuara, përfshirë gratë, vajzat
dhe pakicat. Po ashtu ai ka nxjerrë në pah dobësitë në sigurinë
ushqimore, dhe ka rritur në mënyrë dramatike numrin e njerëzve të
prekur nga uria kronike.
OKB vlerëson se rreth 1/10 e popullsisë globale – 720 deri në 811
milionë njerëz – ishin të keq-ushqyer vitin e kaluar. Ndikimet e
ndryshimit të klimës dhe degradimit të mjedisit vetëm sa e kanë
shtuar dëshpërimin. Vende si Etiopia dhe Sudani në Afrikë, po
përjetojnë krizat më të këqija humanitare në botë, me nivele
katastrofike të urisë.
Thatësira dhe karkalecat po vijnë në një kohë kritike për fermerët që
janë ti gati të vjelin të korrat. Mungesa globale e vaksinave po e nxit
më tej destabilitetin. Shumica e vendeve në Afrikë po mbetet shumë
prapa pjesës tjetër të botës me vaksinimet.
Kjo do të thotë se Covid-19 do të vazhdojë që të kufizojë ekonomitë
kombëtare, dhe nga ana tjetër, të bëhet një burim i
paqëndrueshmërisë së mundshme politike. E njëjta gjë është e
vërtetë për pjesën më të madhe të Amerikës Latine dhe Azisë, ku
vendet që nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të mbrojtur
popullsinë e tyre dhe burimet e protestës – si rritja e kostove të
jetesës dhe thellimi i pabarazive – me shumë gjasa do t`i shtojnë
pakënaqësitë.
Kompania e vlerësimit të riskut “Verisk Maplecroft”, paralajmëron se
deri në 37 vende të botës mund të përballen me lëvizje të mëdha
proteste nga tani deri në 3 vitet e ardhshme.
Një studim i ri nga “Mercy Corps” që shqyrton ndërlidhjen midis
Covid-19 dhe konflikteve,zbuloi tendencat që paralajmërojnë
shpërthimin e konflikteve të reja, thellimin e atyre ekzistuese, si dhe
përkeqësimin e nivelit të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së
shkaktuar nga reagimi ndaj pandemisë.
Grupi identifikoi rënien e besimit të publikut tek qeveritë dhe
institucionet, si një faktor kryesor të destabilitetit. Njerëzit në shtete
të brishta, që vuajnë tashmë nga besimi i zvogëluar ndaj qeverisë së
tyre, janë ndjerë më të braktisur, teksa po përballen me krizën e
shërbimeve publike, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe vështirësi të
mëdha ekonomike, si papunësia dhe ulja e pagave.
Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit gjatë pandemisë, ka sjellë rritjen
e çmimeve të ushqimeve, ndërsa për shkak të recesionit global po
shkurtohen buxhetet e ndihmës humanitare, duke i sjellë shumë
vende të varfra në pragun e urisë masive.
Për herë të parë në 22 vitet e fundit, varfëria ekstreme -me njerëz që
jetonin me më pak se 1.9 dollarë në ditë – ishte në rritje vitin e kaluar.
Oxfam International vlerëson se“mund të duhet më shumë se një
dekadë, që më të varfrit në botë ta marrin veten nga ndikimet
ekonomike të pandemisë”.
Goditjet e shkaktuara nga pandemia e kanë prishur kohezionin social,
duke shkatërruar më tej marrëdhëniet midis komuniteteve, dhe duke
e thelluar polarizimin. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Shtetet e
Bashkuara, ku presionet sociale dhe politike e thelluan krizën
shëndetësore dhe u përkeqësuan prej kësaj të fundit.
Kjo duhet të shërbejë si një zile alarmi për vendet, se ato nuk mund të
përgatiten, apo të reagojnë si duhet ndaj krizave të ardhshme
shëndetësore mbi një vakum. Përkundrazi, ato duhet ta parashikojnë
një krizë ekonomike, politike dhe sociale.
Dhe kjo gjë është e vërtetë për çdo goditje të rëndë, e cila bart me
vete potencialin për një prishje të rendit publik. Bllokimet dhe
shfaqjet e unitetit kombëtar të nxitura nga kriza, e kanë maskuar disi
efektin e plotë të pandemisë, që do të bëhet më i dukshëm me
rihapjen e plotë të ekonomive.
Ndikimet jo-shëndetësore të Covid-19 do të tejkalojnë dëmet nga
sëmundja. Është kjo arsyeja pse ndihma për parandalimin e
konflikteve duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të rimëkëmbjes nga
Covid-19, në mos pjesa më thelbësore për to.
SHBA ka në dispozicion një mjet të gatshëm për të ndihmuar:Aktin
Global të Brishtësisë 2019. Ky ligj konsensual nxit një përpjekje
bashkëpunimi midis agjencive ligj-zbatuese rreth parandalimit të
konfliktit në vende të paqëndrueshme, dhe e drejton ndihmën e huaj
drejt parandalimit të dhunës, duke investuar dhe mbështetur
programe të zhvillimit humanitar
dhe të ruajtjes së paqes, për t’i ndihmuar vendet të largohen nga kriza
dhe për të ndërtuar një qëndrueshmëri dhe stabilitet afatgjatë.
Shënim:Elise Labott ndihmës/profesore në Shkollën e Shërbimit
Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan. Si korrespondente e CNN për dy
dekada, ajo ka raportuar nga më shumë se 80 vende të botës.
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al