Ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga protesta e dhunshme e 2 prillit 1991, ku humbën jetën 4 të rinj shkodranë, ndonëse u ngritën akuza dhe u dënuan pa prova disa funksionarë të shtetit shqiptar, autorët e vërtetë të vrasjeve nuk janë zbuluar ende. Në qendër të kësaj ngjarje të rëndë u vu zëvendësministri i asaj kohe, Aredin Shyti. Pas 30 vjetësh, drejtuesi kryesor i Policisë shqiptare në vitet ‘90, një nga ekspertët më të mirë të luftës kundër krimit, pasi i provoi të gjitha nga posti i ministrit deri në qelitë e Burgut të Bënçës, nga privimi i lirisë personale te privimi dhe represioni familjar, përfshi akuza shumë të rënda për djemtë, A. Shyti flet hollësisht përmes librit me kujtime “Përballë së keqes”, publikuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”.
Një galeri personazhesh të politikës dhe drejtësisë, nëpunës dhe zyrtarë të thjeshtë të shtetit shqiptar apo funksionarë fodullë e militantë të llum-lumpenit bëhen pjesë e jetës së autorit; disa duke e dhunuar dhe disa duke e krenuar. Ngjarje si ajo e rebelimit në Shkodër kundër rezultatit zgjedhor të 31 marsit 1991, kush e organizoi dhe pse, kujt i interesonte vrasja e protestuesve, roli i Pjetër Arbnorit, Ali Spahisë; rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, takimi i tensionuar i Ramiz Alisë me oficerët në Ministrinë e Brendshme, roli i Neritan Cekës për uljen e tensionit pas lajmit “për vrasjen e Ramiz Alisë”, djegia e klubit të Ministrisë së Brendshme apo “revolta” në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.
Dhe jo vetëm pushteti por edhe faktorë të tjerë të jashtëm si të ashtuquajturat “institucione të shoqërisë civile” apo media shfaqen lehtësisht apo qëllimisht të manipuluara prej pushtetit apo shitblerjes. Sipas botuesit të librit, Naim Zoto, nëse doni një arsye plus për të mësuar pse degradoi aq shpejt qeverisja e Sali Berishës dhe pse demokracia shqiptare është në këtë gjendje ku është lexoni refleksionet e Aredin Shytit. Pastaj do të thoni pse është kaq e vonuar reforma për drejtësi dhe pse shpallen kaq vonë dhe kaq me kursim “non gratat” në Shqipëri.
PJESË NGA LIBRI
ÇMONTIMI I NJË KRIMI TË SHUMËFISHTË SHTETËROR
Aredin Shyti, ish-ministër i Brendshëm dhe drejtues i Policisë në periudhën 1990-1991.
Për një kohë të gjatë kam qenë i bindur se duhet t’i lë të shkruara ato që ndodhën gjatë ndryshimeve të sistemit politiko-shoqëror në Shqipëri në vitet 1990. Dokumentimin e atyre që ngjanë para syve të mi e shikoja edhe si detyrim ndaj kolegëve, oficerë të policisë dhe efektivave të saj. U jam mirënjohës se më besuan dhe i zbatuan urdhrat e porositë e mia dhe të kolegëve drejtues gjatë gjysmës së parë të vitit 1991, kohë kur kryeja detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme për Policinë. Ata nuk kanë nevojë për lavde; as unë nuk dua t’ju thur të tilla, por kam dashur t’u shpreh mirënjohje që besuan te ne që drejtonim, madje, duke sakrifikuar.
Pas dënimit me burg nga regjimi i ri, si vrasës i katër të rinjve në trazirat e dhunshme në qytetin e Shkodrës në 2 prill 1991, më çuan në burgun e Bënçës. Aty pata skicuar një projekt për të shkruar për çfarë kishte ngjarë para, gjatë dhe pas ngjarjes. Mbështetur kryesisht në kujtesë, poshtë titujve të krerëve të ideuar, pata shkruar pak lëndë. Ndonëse shumë faqe të lidhura, teksti nuk qe voluminoz; koha e kaluar nga ngjarjet e ndodhura ishte e shkurtër dhe besoja në saktësinë e “mbushjeve” të bëra nën çdo ndarje dhe nënndarje. Por nuk e kisha parashikuar që fletët e shkruara do më merreshin vjedhurazi në dhomën e izolimit. Nuk e di saktë se kujt iu deshën dhe kush urdhëroi marrjen e tyre. Kjo ndodhi një pasdite, kur më nxorën për ajrosje pas një izolimi absolut disaditor. Izolimi i skajshëm nisi në datën 16 tetor 1996, atë ditë kur pushteti shpalli me bujë se zbuloi një organizatë kriminale me emrin “Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi”, gjoja e frymëzuar nga unë dhe e themeluar nga djemtë e mi, Leart dhe Orik Shyti. Por, për fat, nuk i kishin marrë disa shënime të tjera të mbajtura pas datës 15 tetor dhe në vazhdim… Në komunikatat zyrtare të shpërndara shtypit, në lajmet e TV Shtetëror (i vetmi televizion në atë kohë) dhe në pamjet filmike të përcjella prej tij një mendje e ftohtë mund të identifikonte lehtë “gropa” që krijonin dyshime…
Pamundësitë për t’u informuar më shkurajonin për të shpresuar se do mundesha të gjeja hapësirë për të folur në media, aq më pak për t’u bërë ndihmës i avokatëve. Por nuk mendova as atëherë, as kohë më vonë, se ky konceptim fillestar për volumin dhe cilësinë e punës që do duhej kryer, do të mbetej i njëjtë edhe kur pathemelësia e akuzave do të qartësohej. Ndodhi kështu, ngaqë trysnia politike rritej që hetime të mos bëheshin, pastaj gjykimi të zvarritej dhe, më pas, dënimet të jepeshin me çdo kusht.
Mendimin për të shkruar librin nuk e kishin plogështuar vështirësitë që krijoheshin enkas për të penguar njohjen e pafajësisë së djemve. Gjithsesi, prisja të lirohesha nga ajo që më mbante të ngërthyer dhe pastaj të shkruaja. Ndërkohë droja, pak e hershme, se mos dhimbja do të më shtynte të isha i padrejtë në vlerësimin e të tjerëve qe fashitur. Tani që kanë kaluar kaq shumë vite gjërat kanë ndryshuar. Bashkëjetesa me të keqen për një kohë të gjatë ka bërë që dhimbja të tretet së bashku me valët e zemërimit. Qe e vështirë për të arritur këtu, sepse duhej që të keqes t’ia ulja hovin te vetja dhe veçanërisht te djemtë e mi ditë pas dite. Por ishte e domosdoshme dhe e arritëm…
Kam punuar për gati 30 vjet në Policinë e shtetit shqiptar. E kam filluar karrierën si punëtor operativ për Ndjekjen e Krimeve dhe e kam mbyllur si shef i Katedrës për Policinë në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme (sot Akademia e Rendit). E mbylla karrierën siç nuk do ta dëshironte askush ta mbyllte: U arrestova për shpërdorim detyre dhe u dënova për vrasje me dashje në vitin 1992 për ngjarjen e ndodhur në Shkodër në 2 prill 1991, në kapërcyell të ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri…
Në këtë libër janë dy ngjarje të veçanta, të cilat, për shkak të kohës kur ndodhën dhe karakterit politik të tyre, kanë ndikuar në shoqëri. Të dyja janë të lidhura ngushtësisht me zëvendësimin e sistemit “komunist” me sistemin “demokratik” dhe me mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e kundër vullnetit të popullit. Ndërkohë, varësisht, por edhe pavarësisht këtyre ngjarjeve, për 6 muaj kam qenë në funksione shtetërore që shikoja më nga afër se të tjerët se çfarë ndodhte, si po ndodhte, si duhet dhe s’duhej ta ushtroja detyrën funksionale dhe si e ushtrova.
Njëra prej ngjarjeve është ajo e ndodhur në 2 prill 1991 në Shkodër, ku humbën jetën në rrethana të pahetuara katër djem të rinj. Ngjarja nuk kishte lidhje me vullnetin tim, as me veprimet e mia. Ajo nuk kishte lidhje të qenësishme- jo vetëm në kuptimin juridik të kësaj fjale- as me vullnetin dhe veprimet e katër personave të tjerë, me të cilët u dënova si bashkëpunëtor për “vrasje me dashje indirekte”. Rrethanat politike më bënë “protagonist” të kësaj ngjarjeje dhe do të shprehem si dëshmitar, ashtu si i kam marrë vendimet dhe si i kam kryer veprimet, si i kam parë e përjetuar ngjarjet para dhe pas ndodhjes, çfarë mbaj mend se u kam thënë dhe çfarë më kanë thënë personazhe të rëndësishëm apo me ndikim në zhvillimet politiko-shoqërore që sollën rënien e sistemit socialist. Përtej kësaj ngjarjeje, por si zgjatim i saj, për shkak të lidhjeve që besoj se lexuesi do t’i gjejë gjatë leximit, u shpërfaq “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë” e paraqitur nga propaganda dhe proceset gjyqësore të imponuara prej politikës si “organizatë kriminale” e themeluar nga djemtë e mi. As kjo mynxyrë nuk ka të bëjë me mua, por unë edhe në këtë rast jam i përfshirë si “protagonist” dhe duhet të them të vërtetat e mia të mbështetura në dokumente.
Nuk i përgjigjem dot në mënyrë të prerë pyetjes: në ç’masë ishin të qëllimshme mosveprimet e hetuesisë, por ato që di do t’i paraqes këtu. Lexuesi le të gjykojë mbi të vërteta të dokumentuara pse mbeti në terr mekanizmi i kryerjes së vrasjeve në 2 prill 1991, si dhe autorët e këtyre vrasjeve. Periudhat me rend të trazuar bëhen inkubatorë për veset dhe, në kushtet që veset buisin, e vërteta martirizohet e para dhe me sukses, ndonëse përkohësisht. Në Shqipëri tronditja shoqërore po vazhdon edhe pas 30 vjetëve. Dhe kjo është unike; është vetëm shqiptare.
Realiteti i dëmshëm ka bërë që në mjedisin shqiptar të vëresh shumë individë që e flijojnë të vërtetën për interesa të ndryshme, pa përjashtuar pagesat. Deklaratat e tyre me të pavërteta janë aq të shumta në llojshmëri dhe të dendura në shpeshti sa kushdo do ta kishte të pamundur të bënte kritikën, qoftë edhe vetëm të atyre që kanë qenë njerëz të shquar në shoqërinë tonë të para vitit 1990. Unë do të kufizohem vetëm tek ata që më kanë “cituar”, që hamendësimet i kanë “ndriçuar” si të vërteta dhe, më pak do të shënoj, për ata që fantazinë e tyre e çmojnë si histori. Dëshiroj t’u them lexuesve me argumente se e vërteta është herë disi dhe herë krejtësisht ndryshe nga ajo që ata kanë shkruar apo thënë…
Megjithëse nuk e realizoj dot dëshirën për të shkruar për të gjithë ata, ndaj të cilëve ndihem i detyruar, prapëseprapë lexuesi do të ndeshet me mjaft personazhe realë që kanë qenë bashkëpunëtorë të mitë, persona të tjerë me të cilët më ka lidhur puna, të tjerë që kanë qenë protagonistë në dy ngjarjet kryesore, qoftë si zyrtarë të shtetit, qoftë si dëshmitarë. Tema e rrëfimit i bën të pashmangshëm disa shokë, miq dhe ish-funksionarë të shtetit që i kam njohur në burg, nëpunës të administratës së burgjeve etj. Për disa prej tyre do ta shpreh vlerësimin tim për aq sa i kam njohur në marrëdhënie të drejtpërdrejta, pa marrë parasysh vlerësimet e të tjerëve që kanë ardhur tek unë nëpërmjet dëgjimit apo leximit.
Ditën e zgjedhjeve nuk u regjistrua asnjë incident që të cenonte rregullin në qendrat e votimit në gjithë vendin. Policia e kreu me sukses detyrën e saj. Mbarëvajtja e procesit zgjedhor ishte e atillë sa mund t’i thoshe vetes: kot qenkam trembur! Në orët e vona të mbrëmjes së datës 31 mars 1991, shumica e qendrave të votimit në shkallë vendi i kishin numëruar votat dhe rezultati u mor vesh. Lajmi i humbjes së Ramiz Alisë (kreut të partisë në pushtet-Shën. i botuesit) në zgjedhje, përballë një inxhinieri të panjohur nga publiku i gjerë, ishte krejt i papritur.
Reagimet e punonjësve në gjithë sistemin e organeve të Punëve të Brendshme përcilleshin nga drejtuesit e bazës me shqetësim dhe paqartësi… Në kushtet që u krijuan shkrova telegramin me këtë përmbajtje: “Në votimet e 31 marsit fitoi 2/ 3 partia e Ramiz Alisë. Kjo ka rëndësi përcaktuese për të ardhmen. Gjithë të tjerat, si çështja e Kushtetutës e Presidentit etj. varen nga PP. Ajo që kërkohet nga ne, është të shtrëngojmë radhët dhe çelja e syve për t’u treguar vendin armiqve dhe keqbërësve. Organizoni shërbimet që të jemi të kudondodhur. A. Shyti”. Pas dërgimit të telegramit thuajse nuk pati më telefonata për këtë çështje nga rrethet. Por po bëheshin pyetje krejt pa vend. Pyetjet që bëheshin gati po përcillnin idenë se zgjedhjet u bënë, policia e kreu detyrën e saj dhe tani e tutje do kthehej në shërbimet e traditës. Lodhja e tejskajshme, pasojat e provuara në trupat e tyre dhe rreziqet e përjetuara i bënin të shpjegueshme këto mendim të kuadrove dhe efektivave të policisë, por jo edhe të pranueshme…
Ndërkaq, në dy apo tri qytete të vendit kishte pasur grumbullime të paligjshme dhe të dhunshme. Polica nuk kishte ndërhyrë për t’i shpërndarë në zbatim të ligjit dhe përputhje me të. Nuk po ndalem për të përshkruar pretekstet që përdornin të grumbulluarit në datën 1 prill dhe veprimtarinë e tyre sepse veprimet dhe motivet e shqiptuara përmes parullave ishin të njëjta, gati e njëjtë ishte edhe dhuna e ushtruar prej tyre. Por, po ndalem në tubimin e qytetit të Shkodrës.
Këtu nuk po ndaloj thjesht se tubimi i ndodhur në 1 prill i parapriu tubimit të datës 2 prill ku humbën jetën katër të rinj. Po ndalem te rasti i Shkodrës, sepse kishte të dhëna paraprake që flisnin për rrezikshmëri të lartë të pjesëmarrësve në tubim. Kjo veçanti e bëri 1 prillin e Shkodrës parësor për policinë. Policia tashmë e dinte se në grumbullimet relativisht të vogla shumicën e përbënin kontingjente keqbërësish. Pjesa tjetër e pjesëmarrësve ishin qytetarë normalë. E kundërta ndodhte në grumbullimet e mëdha, populli përbënte shumicën./panorama