Nga Ben Andoni
Në një artikull me titullin gati të tillë, sigluar nga William H. Janeway për Projekt Syndycate, argumentohet se pse koha e Luftës së Dytë Botërore nuk ka aq shumë dallime me stopimin e menjëhershëm ekonomik të javëve të Covid-19, siç na sugjerohet sot aq shumë nga politikanët. Ta themi thjesht, shprehet autori: Lufta e Dytë Botërore vendosi kërkesa shumë më të mëdha për qeveritë, të cilat ishin vërtetë kompetente për t’i trajtuar ato. Kuptohet se rasti ka të bëjë me përballjen e Shteteve të Bashkuara, mënyrën sesi përshtatën ekonominë që sapo ishte ngritur nga Depresioni i Madh i viteve ’30 në një ekonomi të dedikuar direkt që do t’i shërbente vetëm Luftës.
Për shqiptarët në këto ditë është përmendur shpesh nga qeveria Rama se kjo është një luftë dhe nga më të ashprat që kemi përballur. Madje, edhe bonuset që janë përdorur për disa kategori banorësh, janë njohur si pagë lufte. Qeveria e Shqipërisë, si shumë vende të tjera madje shumë më të zhvilluara sesa ajo, nuk e kanë përballur dot si duhet krizën mjekësore, sepse prej vitesh e kanë neglizhuar atë.
E vërteta është se lufta e vërtetë me të cilën është përballur ndonjëherë Shqipëria është ajo e Luftës së Dytë Botërore. Kuptohet ajo është e përfolur nga shumë përfaqësues dhe sidomos nga ata që janë pasardhës të forcave që bashkëpunuan me fashizmin, si edhe kundërshtarët e Socialistëve, që i lidhin këta me trashëgiminë e shkuar. Paradoksi është se Socialistët po sjellin koncepte të luftës dhe ngjasime, që në fakt kanë kohë që i kanë lëshuar.
Por, të kthehemi një moment në atë që quhet Luftë e sotme dhe situatë lufte. Shqipëria e ka përjetuar sërish këtë gjendje të vështirë të stopimit ekonomik me provokacionet e Kufirit në Jug të vendit në fundvitet ‘40, me situatat e varfërisë ekstreme pas lufte dhe vdekjet masive, për të mos përmendur tërmetet dhe përmbytjet e frikshme dhe deri në vitet e fundit me batërdinë e vitit ’97.
Mësimi i parë nga kujtesa historike, që i shkon kësaj epoke, është se ajo që përballim sot nuk ka fare lidhje me atë që përballi brezi i Luftës së Dytë Botërore. Një paralele mund të hiqet me vendet si SHBA, BRSS dhe Anglia që bënë mbyllje të detyruar të ekonomisë së tyre civile. Por, ekonomia jonë, që mbështetej kryesisht në atë rurale, nuk mund të krahasohet me ekonomitë e asaj kohe, që e pësuan realisht. Pas vitit 1940, kërkesa civile për produkte dhe shërbime në vendet e fuqishme kapitaliste u zëvendësua në mënyrë dërrmuese nga kërkesa ushtarake, citojmë Janeway. Një gjë e tillë ishte e pamundur tek ne, që humbjen e pësoi nga vështirësia e shkëmbimit ekonomik në vend dhe rënia e fuqisë blerëse prej bllokimit ushtarak.
Shqipëria, e përsërisim, kishte biznese që përjetuan dhe madje u fuqizuan shumë gjatë fashizmit, deri në momentin kur vetë Italia filloi rënien prej humbjeve katastrofale dhe përfshirjen e madhe në Luftë. Kufizimet në vendin tonë ishin të pjesshme sepse ato biznese dhe ajo lloj ekonomie, ku biznesi i madh ishte krejt i papërfillshëm, nuk lidhej me situatën e re të vendit. Pothuaj pjesa më e madhe ishte e lidhur me fshatin dhe tokën, një lidhje që pak ndryshoi me luftën. Kufizimi dhe humbjet dërrmuese i pësoi fshati, e kjo lidhej me faktin se shumica e banorëve që prodhonin u vunë nën presionin e forcave që luftonin për interesat e tyre. Duhet të ishte pak i zgjuar që të mbijetoje por edhe të ruaje një lloj status quo. Gjithsesi fshati u varfërua frikshëm prej mungesës së fuqisë dhe mjeteve prodhuese. Viktimat ishin të mëdha dhe po kaq baza materiale e një ekonomie gati në nivele të ulëta. Kurse ndryshe ndodh sot, kur fshati po punon normalisht, madje raportohen shkëmbime pozitive dhe rritje të tyre në kohën e Covid-19.
Megjithë atë që ne tregojmë për Luftën e Dytë, qytetet tona i ndjenë kryesisht në Nëntorin e vitit 1944, kur forcat gjermane morën urdhër të iknin nga vendi dhe forcat partizane i ndoqën këmba-këmbës për të bërë një luftë pa kompromis për Çlirimin e Tiranës. Duhet një analizë mirëfilli për ta treguar dhe me argumentin e shifrave, por ekonomia jonë e luftës për shkak të natyrës së saj, ishte ndalur, sepse filloi të pengohej tregtia. Veçse, ajo, më shumë u prek nga logjika që erdhi pas lufte dhe përpjekja për të ndryshuar skemën e marrëdhënieve ekonomike në vend, me shtetëzimet dhe politikat që pak dekada më vonë do ta përcillnin vendin në zgripin e frikshëm të fundviteve ’80.
Kuptohet se analiza jonë e thjeshtë nuk mund ta përfshijë dot krahasimin me vendet e tjera shumë më të zhvilluara, por një gjë shkon. Në atë kohë, kishte shumë kërkesë për shumë mallra të llojeve të ndryshme, ndërsa problemi sot është shumë më i thjeshtë, sepse numri i mallrave të nevojshëm që kërkohet medoemos është tejet i vogël, dhe afati kohor në të cilën ato janë të nevojshme është e dukshme, citohet Janeway.
Duke lënë pas leksikun me luftë, që përdorin shpesh politikanët por edhe epidemiologët, tashmë prioritetet janë të qarta e të thjeshta, shkruan i njëjti autor: Në fillim rritja e furnizimit me pajisje mbrojtëse personale, siç janë maskat N95 dhe veshjet e duhura mjekësore, si dhe aparatet e duhura mjekësore. Pas kësaj, teste efektive për infeksionet aktuale dhe të kaluara të COVID-19 në një shkallë kombëtare. Pastaj, në planin e afërt dhe të mesëm, vjen sfida e prodhimit të një vaksine, atë që e presim të gjithë me padurim. Kaq e thjeshtë, por edhe kaq sfiduese për politikat që i gjen gjithmonë zbuluar në vende si Shqipëria, ku flitet për çdo gjë por jo për jetën dhe mbrojtjen e saj. (Homo Albanicus)