Nga Ylli Pata
Partia Demokratike e Sali Berishës ka kandiduar për deputetë Gjin Gjonin në Lezhë dhe Arjan Ndojën në qarkun Durrës. Sikur të ekzistonte mundësia ligjore, PD do të kandidonte edhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili së bashku me dy të parët janë të vetmit që kanë qenë aktivë në tubimet politike të Berishës.
Kandidimi i Gjonit dhe i Ndojës, nuk ka të bëjë me logjikën e një kritike të opozitës mbi zbatimin e reformës në drejtësi. E cila ka qenë e fortë dhe e vrazhdë në dy aspekte të saj, vettingun dhe emërimet apo konfirmimet në detyrë.
Në procesin e vettingut, i cili ka pasur debatet e polemikat e tjera, nuk kemi pasur asnjëherë një betejë të opozitës për të mbrojtur ata gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë ndëshkuar në ekzagjerim apo pa të drejtë nga vettingu.
Ka pasur qëndrime të përgjithshme duke hedhur poshtë procesin, i cili en block nuk është i padrejtë apo gabim, por ka pasur shumë raste që ka pasur vendime jo të drejta. Të cilat janë konfirmuar edhe në ato pak raste të çuar në Strasburg.
Në fjalë të tjera, PD nuk ka marrë asnjë prej këtyre rasteve si kandidatë për deputetë, por ka sjellë kryeimazhin e sistemit të vjetër, Gjin Gjonin.
I cili nuk ka qenë thjesht një gjyqtar, por një gjyqtar i rëndësishëm, që ka qenë edhe anëtar i Këshilit të Lartë i Drejtësisë. Madje është anëtari i vetëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që mori leje lindjeje nga presidenti i Republikës i asaj kohe Ilir Meta, që drejtonte edhe KLD.
Gjin Gjoni është ikona e gjyqtarëve të sistemit të vjetër, siç është edhe Arjan Ndoja për prokurorët. Domethënë një magjistrat që ka qenë jo një përfaqësues i akuzës për ngjarje ku ka luftuar krimin, por e kundërta, ka përfaqësuar amnistinë e lobit të pronave në Gjirin e Lalzit.
Natyrisht PD nuk mund të bënte kandidatë për deputetë të gjithë trupën e gjyqtarëve e prokurorëve të sistemit të vjeër, apo të rrëzuar nga vettingu.
Një-dy apo tre është një masë përfaqësuese e asaj logjikës politike që ka mbrojtur PD kundër reformës së drejtësisë që e quan Rama-formë.
Por kë ka zgjedhur nga e gjithë ajo trupë e gjyqtarëve e prokurorëve? Gjin Gjonin dhe Arjan Ndojën! Cila është arsyeja e kësaj përzgjedhjeje? Duket se nuk është fare politike, duket më shumë tribale, dh simbolike për të treguar se kush është profili i personazhit që i pëlqen Sali Berishës dhe lobit të tij.
Në morinë e gjyqtarëve e prokurorëve të ndëshkuar nga reforma e re, ka mjaft personazhe, që kanë qenë pjesë e debatit publik, ku janë djegur i njomi të thatin. Ndërkohë si Gjin Gjoni që nuk hyri farë në vetting, si Arjan Ndoja që u rrëzuan, përfaqësojnë një simbol politik dhe të lidhur familjarisht me Sali Berishën e klanin e tij.
Në drejtësinë e vjetër, Berisha dhe famlja e tij kanë pasur mjaft gjytarë e prokurorë që ishin pjesë e lidhjeve nepotike, që normalisht mund të ishin pjesë e grupit politik, siç kanë qenë edhe në panelet e televizioneve.
Nëse bëhet një sondazh kë përfaqësojnë këta dy përfaqësues në drejtësinë e vjetër? Natyrisht që shumica konsideron që këto janë pjesa më e frikshme e asaj drejtësie. Pikërisht këto zgjodhi Berisha, e kjo është zgjedhje politike.