Komisioni Parlamentar i Sigurisë është shoqëruar me debate në mbledhjen e tij ku u diskutua projektligji për trajtimin e të burgosurve.
Deputetët e opozitës kanë deklaruar se kushtet në burgje janë mizerabël, gjithashtu edhe trajtimi i të burgosurve. Deputeti i PD, Flamur Noka tha se janë shoqëruar 40 mijë persona jashtë kapacitetit, duke shtuar se po dhunohen qytetarët ndërsa po mbështeten bandat e trafikut.
“Trajtimi i të burgosurve ka qenë katastrofal. Janë shoqëruar 40 mijë persona jashtë kapaciteti. Dhunë ndaj qytetarëve, suport ndaj bandave të trafikut. Kushtet në burgje janë mizerabël, trajtimi mizerabël. Vendi i mbuluar me hashash, asnjë trafikant i kapur. Ministri me trafikantët livadhisin”, tha Noka.
Në mbledhje janë diskutuar edhe deklaratat e Presidentit, Bujar Nishani, i cili tha se është vënë në përgjim.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia tha se është i shqetësuar nga kjo deklaratë. “I shqetësuar që Presidenti thotë që përgjohem”, tha Qefalia.









