• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, April 29, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

PS dhe PD në spiralen e cinizmit

by Ben Andoni
28/04/2026 17:58
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni

Pak ditë më parë, Berisha, kryetari i PD-së ankohej për median se po e ndihmonte Ramën. Në përgjigje të ankimit publik të paraardhësit, kryeministri shqiptar, duke iu referuar një matësi statistikor nga AMA, theksonte me cinizëm epërsinë e Berishës dhe opozitës në media, kundrejt mëtimeve të tyre se ishin të kufizuar!

Paradoksalisht, gjuha cinike dhe e mbushur me hoka e tandemit Rama-Berisha, dendur pa asnjë referim kulturor, është tejet larg retorikës që kanë përdorur në kohët më të mira, njerëzit e pakët por të vyer të mendimit shqiptar. Më shumë duke shfrytëzuar fjalorin urban dhe personazhe urbane apo folku, politikanët e sotëm, pa përjashtuar dhe Ramën me Berishën, të trandin për nivelin e tyre kulturologjik dhe pamundësinë e bërjes së sintezave, njohjen e kufizuar dhe tejet sipërfaqësore, por më shumë se çdo gjë mungesën e vizionit për Shqipërinë e të ardhmes. Pasoja: Shqiptarët e ikur masivisht jashtë vendit. Etikën e komunikimit e ka zëvendësuar retorika e sotme agresive e politikës shqiptare, e cila nuk njeh më fare skrupuj. Qoftë edhe kur flitet për interesa madhore të vendit. Laboratori i studimit të këtij fenomeni është monologu, dialogu dhe fjalët në parlament i shumicës pjesëmarrëse që eklipsojnë dhe ato pak mëndje të kthjellëta, të cilat tentojnë më kot të ndryshojnë rrjedha.

Kuptimi i cinizmit të politikanëve tanë të sotëm, çuditërisht dhe i gjithë botës ku jetojmë, është tek mungesa e kulturës bazike dhe ngatërrimi i termave dhe gjendjeve. Berisha bën lapsuse të vazhdueshme, kurse sipërfaqësia e Ramës me fjalitë e gjata të lodh.

Për parantezë, cinizmi i sotëm është tejet larg cilësimit të vërtetë të Filozofisë Cinike. Kjo Shkollë, konsideruar si një nga rrymat filozofike më interesante (lindi në shekullin IV p.e.s.), kishte në themel jetën e thjeshtë, të harmonizuar me natyrën, pa konvencionet shoqërore, pasurinë dhe pushteti. Urdhrat e ndryshëm të klerit katolik e përshtatën me përkorjen e tyre për ndjekësit. Cinikët klasikë i konsideronin njerëzit si kafshë arsyetuese, ku qëllimi i jetës dhe arritja e lumturisë lidhej me virtytin, gjithnjë në paqësi me natyrën dhe me ndjenjën e arsyes për të jetuar skajshmërisht të lirë nga kufizimet shoqërore.

E vetmja gjë që ka bërë politika jonë (me kohë i ka t’larguara figurat stilistike) është se i ka shndërruar njerëzit në po kaq cinikë. Cinizmi politik i qytetarëve po shfaqet duke mos e përfillur PD-në në protesta dhe indiferenca për daljet e përditshme të Berishës; ashtu si shpërfillja e hapur e retorikës lodhëse (monologët e stërgjatë, para njerëzve të detyruar ta ndjekin), arrogante dhe tejet të vetëkënaqur të kryeministrit Rama. Në masë, po për të vërtetuar këtë pohim do të duhej një anketim kombëtar, bindja prej njerëzve të ndryshëm është se: Politikanët, institucionet dhe sistemi ynë demokratik nuk përmban shumë vlera besimi, si rrjedhojë e egoizmit dhe imoralitetit të gjendjes së sotme. Ushqimi i këtij mentaliteti vjen nga korrupsioni, zhvatja e parasë publike, qesëndia e një grupi burokratësh zhvatësish të pashoq (kolonia e verërave dhe tenderët e AKSH-it të trandin) dhe nga dështimi i politikës për të ndërtuar një Shqipëri normale. Media, nga ana tjetër, i jep një dorë me masën e lajmeve pafre negative dhe ndaj, kushdo mund të shohë sot se: individët jo thjesht po shkëputen nga pjesëmarrja(jo më kot, partitë kanë nisur fushatat e rekrutimeve!!), por po e urrejnë politikën. Ky është në fakt, shqiptari modern, ai që po vidhet, ai që po përçudnohet nga zyrat (kadastra është shembulli më i pashpirt), nga cinizmi i Drejtësisë (e cila po shton pa masë dosjet e saj të pashqyrtuara), nga një politikë që mban të cikluar të njëjtit njerëz, uzurpimi i gjithçka prej tyre (Akuzat e Ahmetajt për PS-në do nxirrte në pah këtë realitet), mungesës së dukshme të vendeve të punës, për të cilat duhet të kesh reference politike e pafund e një numri tjetër të madh gjërash.

Ky lloj cinizmi është i gjallë, ndaj njerëzit e ndjejnë shumë larg politikën dhe premtimet e saj, kurse urrejtja ndaj zhvatësve po merr përmasë që përkthehet në një apati të paparë publike (tek e fundit, asgjë nuk ndryshon). Amplifikimi pastaj i historive të tyre dhe i të tjerëve që qesëndisin publikun në mediat sociale, ku dezinformata përhapet qëllimi dhe lirisht, e ka shkatërruar krejtësisht besimin në institucione. Si për ironi, në Shqipëri mungojnë tashmë adresime të thella të problemeve të arsimit dhe sistemit të logjikës sesi do të veprohet me të gjithë ngrehinën e Arsimit; si do të zbutet barra e qytetarit para shëndetësisë; ashtu si nga ana tjetër, premisat e ardhshme të zhvillimit të ekonomisë, ku gjithnjë fitojnë pak duar që ndikojnë pastaj edhe deri për bërjen e ligjeve.

Politika po merr direkt dhe hapësirën e medias duke na e kthyer “Politikën si Spektakël”, ku veç podcastit të Ramës që është kthyer në monolog sepse vetëm kjo përcillet dhe fjalimet e përditshme të Berishës, kemi politikanët që janë prezent në çdo moment, larg debateve të vërteta intelektuale. E nuk mbaron këtu: Populistët e dy krahëve e përdorin retorikën anti-intelektuale dhe tallen me debatin tradicional që i shërben vendit, duke na e shndërruar politikën në “argëtim”. E vërteta nuk ka më asnjë vlerë. Retorika e Berishës dhe Ramës sot e injoron faktin dhe situatën e shqiptarit në favor të krijimit të miteve të pastërtisë dhe gjërave abstrakte. Po “harrohen” sot çudirat e Ramës me satelitët, anijet e energjisë e gjëra të tilla, ashtu si ato të Berishës. Ky i fundit nuk e lëshon fronin e PD-së, Rama e mban fort PS-në, madje me një diskurs që të dhemb për egoizmin dhe vetëkënaqësinë dhe njëjtësimin e tij me shtetin. Adresimi ndaj Spiropalit, po të jetë i vërtetë ai që përcjell media, është më shumë se shqetësues. Pasojat: Parlamenti mbushur me deputetë të tipit Zeqine dhe të tjerë që përdorin përbuzjen dhe fyerjet mbi argumentet koherente dhe të bazuara në prova. Cinizmi politik sot në demokraci, referuar teorisë, përbën një qëndrim të rrënjosur thellë dhe të qëndrueshëm që i sheh politikanët, institucionet dhe sistemin si të pabesueshëm, të korruptuar dhe egoistë. Ky zhgënjim e nxit shkëputjen ndaj çështjeve politike, apatinë dhe një ndjeshmëri ndaj dezinformimit, ku media e përcjell të gjithën me një “spirale cinizmi”. Kjo është në një nga tablotë e historisë politike shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XXI (me gjasë ky trend do vazhdojë në këto 50 vite). Jeta që edhe pa këto është cinike, thoshte Trocki për kohën e tij, vetëm nëse nuk do lindte një… “ide e shkëlqyer që të ngre mbi mjerimin personal, mbi dobësinë, mbi të gjitha llojet e pabesisë dhe poshtërsisë”. Por idetë kanë kohë që janë tretur tek ne. Patër Anton Harapi e tentoi një shpjegim dikur në artikullin e tij të njohur. ‘Prej kahë do të nisemi e ku do të kapemi’, duke kërkuar se duhet ta njohim mirë bazën shpirtërore mbi të cilën duhet të startojmë kulturën e vërtetë. “Tue e shikjue me prizem shpirtin e shqyptarit, gjêjm se atij i ká dalë vetja qefit porsì shqyptár, as s’e mêrr me mend se shqyptari porsi shqyptár âsht i zoti i vetit e i aftë për organizim e qytetnim, e se në vend tonë, posë nesh s’ká gjel qi këndon, por na do t’urdhnojm, na jemi të zotët me rregullue pûnë të mbara e të mira per shtet e per komb aq, sá me na pas lakmì edhe të huejt. Ai i bindet mâ fort të huejit, se të vetit, e sado i stolisun të jét nji nieri me zotsì e cillsì të pashoqe, mjaft t’ia njohin babën e nanën, t’a dijë se âsht shqyptár, per me e bjerrë çmimin e randsìn per tê. Per me dashtë me tregue nji pûnë të párandsì e të pathemel, ká per të thânë: “pûnë shqyptarësh”, ‘si në Shqypni’ etj., etj” (Hylli i Dritës VI, 1930). Pas një qind vitesh, shqiptarët ndihen të shkëputur nga të ashtuquajturat elitat e tyre politike që përcjellin vetëm boshësi dhe me apatinë, ose më saktë të dhunuar nga një spirale cinizmi e lodhshme, ku nuk besohet më asgjë. (Homo Albanicus)

Next Post
Peleshi nga Dublini: Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pakthyeshme

Peleshi nga Dublini: Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pakthyeshme

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ndreca: Kafazi i xhamit cenon barazinë dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, GJKKO po aplikon dy standarde

Ndreca: Kafazi i xhamit cenon barazinë dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, GJKKO po aplikon dy standarde

April 28, 2026
Turp t’keni që bëni si histerika për pamjen dhe kafazin ku rri Ilir Meta

Turp t’keni që bëni si histerika për pamjen dhe kafazin ku rri Ilir Meta

April 28, 2026
Lorenc Vangjeli: Gjyqet e mëdha të politikës po helmatisen

Lorenc Vangjeli: Gjyqet e mëdha të politikës po helmatisen

April 28, 2026
Analisti Preç Zogaj: Publiku pret të vërtetën për akuzat ndaj zyrtarëve

Analisti Preç Zogaj: Publiku pret të vërtetën për akuzat ndaj zyrtarëve

April 28, 2026
Banka Botërore: Lufta mund të shkaktojë rritjen më të madhe të çmimeve të energjisë në 4 vitet e fundit

Banka Botërore: Lufta mund të shkaktojë rritjen më të madhe të çmimeve të energjisë në 4 vitet e fundit

April 28, 2026
Ndryshimi drastik i Ilir Metës, Baton Haxhiu: Nga se ka frikë ish-presidenti në burg

Ndryshimi drastik i Ilir Metës, Baton Haxhiu: Nga se ka frikë ish-presidenti në burg

April 28, 2026
Popullariteti i Trump bie ndjeshëm, vetëm 34% e të anketuarve e miratojnë luftën me Iranin

Popullariteti i Trump bie ndjeshëm, vetëm 34% e të anketuarve e miratojnë luftën me Iranin

April 28, 2026
Gjyqet e mëdha të politikës duhet të jenë Live, pa kafaz, me prova

Gjyqet e mëdha të politikës duhet të jenë Live, pa kafaz, me prova

April 28, 2026
Të gjithë duan të punojnë në shtet në Shqipëri/ Raporti i DAP për 2025 tregon rritje të ndjeshme të interesit

Të gjithë duan të punojnë në shtet në Shqipëri/ Raporti i DAP për 2025 tregon rritje të ndjeshme të interesit

April 28, 2026
Provokimi në Shkup/ Ministri maqedonas përulet para përkujtimores ku shqiptarët etiketohen si terroristë

Provokimi në Shkup/ Ministri maqedonas përulet para përkujtimores ku shqiptarët etiketohen si terroristë

April 28, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In