Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për shtimin e 630 punonjësve të rinj në Policinë e Shtetit, duke pretenduar se ky vendim lidhet me frikën e kryeministrit Edi Rama përballë protestës studentore.
Në reagimin e saj, Zhupa akuzon kryeministrin se po përdor paratë publike për të shtuar forcat policore, të cilat, sipas saj, do të shërbenin për të ushtruar presion ndaj protestuesve dhe për të mbajtur pushtetin.
Reagimi i Ina Zhupës:
“Edi Rama është tmerruar nga protesta studentore. Dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ka marrë një vendim për të shtuar 630 punonjës të rinj në Policinë e Shtetit. 630 vetë, të cilët t’i përdorë për të dhunuar qytetarët shqiptarë, t’i përdorë si milici për të mbajtur karrigen me çdo kusht.
Përdor paratë e buxhetit të shtetit, paratë e shqiptarëve, që të marrë më shumë forca që kundërshtojnë protestën, që dhunojnë protestuesit dhe që mbrojnë Edi Ramën.
Ky është fundi i një diktatori. Kur frika bëhet aq e madhe sa duhet të shtosh forcat policore, e kupton që ora po të vjen.
Qytetarët shqiptarë, studentët shqiptarë, nuk ndalen në protestën e tyre, pavarësisht masave ligjore që ti merr, shtimit të numrit të policëve apo çdo represioni tjetër që përdor në institucionet ku ata kryejnë shkollën apo kanë punën e tyre.
Çdo ditë e më shumë, çdo ditë në protestë për të kërkuar largimin e Edi Ramës”.










