Analisti politik Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Trialog”, ka komentuar protestat e shpeshta të opozitës dhe Partisë Demokratike, duke i cilësuar ato si një “matje temperature” për reagimin e shoqërisë.
Për analistin Preç Zogaj, mënyra se si po i organizon PD-ja këto protesta nuk të çon askund, madje është paradoks që një parti politike që synon të vijë në pushtet përdor metoda të dhunshme.
“Zhvillimi i këtyre protestave të shpeshta nga opozita dhe PD është si një matje temperature për reagimin e shoqërisë,” tha Zogaj.
Ai u ndal veçanërisht tek përdorimi i dhunës në protesta, duke theksuar se kjo metodë nuk e ndihmon opozitën në synimin e saj për të ardhur në pushtet.
“Unë mendoj se protestat me molotov, të një partie kryesore të opozitës e cila synon të vijë në pushtet, nuk e afrojnë por e pamundësojnë rrëzimin e qeverisë,” u shpreh analisti.
Sipas tij, vetëm një pjesëmarrje masive e qytetarëve mund të ndryshojë realitetin politik, ndërsa grumbullimet e vogla mbeten thjesht organizime partiake.
“Në qoftë se nuk ka një vërshim popullor, që të dalin një masë e madhe njerëzish, me 100 apo 150 mijë, organizimet e tjera janë grumbullime partiake,” tha Zogaj.











