Numri 2 i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, të gazetares Nisida Tufa, deklaroi se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme, organizative dhe ligjore, nëse ish-kryeministri Sali Berisha do të deklarojë protestën e ardhshme.
“Të gjitha masat ligjore dhe organizative për të shmangur dëmtimin apo sulmin e pa precedentë që ndodhi në 8 janar. Do të marrim të gjitha masat. Padiskutim do të thërrasim edhe policinë. Kush kryen krim, të gjithë duhet të ndëshkohen”, u shpreh Bardhi.
Sakaq, Bardhi tha se nuk kishte asnjë informacion lidhur me ndërtimin e kullave në selinë e PD. Ai tha se pas deklaratave të zotit Berisha mbi këtë çështje, ka kërkuar
informacion në Bashkinë e Tiranës lidhur me këtë projekt, por deri më tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ai siguroi demokratët, se kontrata me shtetin shqiptar do të vijojë të respektohet dhe godina do i mbetet PD.