• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, November 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Protesta kundër Ramës, gazeta gjermane: Revolucioni i Flamingove nuk është shndërruar në revoltë popullore

by E B
18/09/2026 21:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Gazeta gjermane analizon protestën kundër qeverisë Rama dhe vëren se, me gjithë këmbënguljen, ajo nuk ka arritur të marrë përmasat e një revolte popullore. Kryeministri e sheh situatën si një “provë besimi” dhe argumenton se pakënaqësia është edhe pasojë e pritshmërive më të larta në një shoqëri që ka ndryshuar.

Nga Matthias Rüb, Frankfurter Allgemeine Zeitung

Prej më shumë se njëqind ditësh ata mblidhen çdo mbrëmje. Rreth orës 19:00 njerëzit grumbullohen në zemër të Tiranës dhe ecin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Afërsisht në gjysmën e rrugës ndodhet zyra e kryeministrit, dorëheqjen e të cilit kërkojnë. Pikërisht aty protesta bëhet më e zhurmshme. Hera herës, para godinës ka përplasje me efektivët e policisë dhe arrestime, por shumicën e kohës situata mbetet paqësore.

Kështu ndodh mbrëmje pas mbrëmjeje. Gjatë ditëve të javës, protestuesit janë dukshëm më të shumtë në numër sesa në fundjavë, kohë kur edhe protestuesit më këmbëngulës zgjedhin ndonjëherë detin, në vend që të qëndrojnë gjithmonë në rrugët e Tiranës. Këto të fundit mbushen nga të rinjtë që dalin për të festuar. Ata festojnë të paktën po aq zhurmshëm dhe gjatë sa protestuesit demonstrojnë. Janë dy botë paralele që duket sikur nuk priten me njëra-tjetrën.

I vetëshpalluri “Revolucion i Flamingove” në Shqipëri, deri tani nuk është shndërruar në një lëvizje masive. Megjithatë, ka treguar këmbëngulje. Të njëjtën gjë po bën edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Ai është në pushtet që prej vitit 2013 dhe është i vendosur të qëndrojë deri në fund të legjislaturës në vitin 2029. Cila palë do t’ia dalë të rezistojë deri në fund?

Protestat në kryeqytetin shqiptar nisën në fund të majit. Shkak u bë ndërhyrja e ashpër e punonjësve të një kompanie private sigurie pranë një gardhi kantieri. Gardhi ishte ngritur në skajin verior të gadishullit të Zvërnecit, ku do të nisnin punimet paraprake për një projekt turistik luksoz.

Kundër projektit, që po shtyhet përpara nga kompania e investimeve Affinity Partners e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit, kishin protestuar në vend disa qindra persona. Gjatë protestës pati përplasje pranë gardhit. Rojet tërhoqën zvarrë disa protestues mbi zhavorr për t’i larguar nga gardhi i kantierit. Pamjet e regjistruara me celular të ndërhyrjes, ku askush nuk u lëndua rëndë, u bënë virale.

Por si mundi një incident relativisht i parëndësishëm të shndërrohej në një lëvizje proteste kombëtare, që madje e quan veten revolucion? Kjo lidhet edhe me flamingot, të cilët lëvizja i ka zgjedhur si simbolin simpatik të ndryshimit që synon. Ambientalistët druhen se kolonitë e flamingove rozë dhe të shpendëve të tjerë shtegtarë mund të rrezikohen nga bumi turistik në jug të Shqipërisë – veçanërisht nga resortet luksoze të planifikuara nga investitorët arabë dhe nga Katari të lidhur me grupin e Kushnerit. Habitati i flamingos rozë është pikërisht Laguna e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë Zvërnecit.

Lëvizja e Flamingove e akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon zgjerimin e zonave të mbrojtura, fundin e favorizimit të investitorëve të mëdhenj dhe zgjedhje të reja demokratike.

Fillimisht Rama, i cili drejton Partinë Socialiste që prej vitit 2005 dhe qeverinë që prej vitit 2013, u përpoq t’i linte protestat të vetëkonsumoheshin. Protestuesve u tha se nuk mund të shfaqeshin një ditë të bukur dhe të rrëzonin nga detyra kryeministrin e zgjedhur dhe qeverinë e tij. “Kështu nuk funksionon. Duhet të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme.”

Ishte një argument i vështirë për t’u hedhur poshtë. Në zgjedhjet parlamentare të majit 2025, Rama dhe socialistët e tij kishin fituar më shumë se 52 për qind të votave. Ishte fitorja e katërt radhazi e socialistëve në zgjedhje, ndërsa Rama dhe partia e tij kishin rritur vazhdimisht përqindjen e votave.

Megjithatë, pikërisht pasi kishte marrë mandatin më të fortë nga zgjedhësit, Rama u përball papritur me kërcënimin më serioz ndaj pushtetit të tij. Pak më pak se dy muaj pas nisjes së protestave, ai ndryshoi taktikë. Në vend që t’u tregonte më tej “grushtin” protestuesve nëpërmjet retorikës, tani po përpiqet t’u rrahë shpatullat. Protestat, thotë tani, janë shenjë e vitalitetit dhe stabilitetit të demokracisë shqiptare.

Ai bën dallimin mes atyre që paraqesin kërkesa legjitime dhe duhen dëgjuar, dhe atyre që, sipas tij, po përdoren nga kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë vendit për qëllime politike.

Në një fjalim të fortë para grupit parlamentar të socialistëve në fund të korrikut, Rama paraqiti strategjinë e re të qeverisë. Ai foli për një krizë të thellë të besimit publik. Përpara figurave të partisë së tij, të mësuara me fitore elektorale, Rama u ankua për “paradoksin e suksesit”: sa më shumë zhvillohet dhe begatohet një shoqëri, aq më pak ajo gjykon atë që është arritur dhe funksionon, dhe aq më shumë përqendrohet te ajo që mungon dhe nuk funksionon.

Shoqëritë e varfra, tha ai, janë më tolerante ndaj mangësive, sepse mbizotëron mendësia se “mund të ishte edhe më keq”. Shqipëria, sipas Ramës, e ka lënë pas këtë fazë dhe ka hyrë në një tjetër, ku mbizotëron ideja se “mund të ishte edhe më mirë”.

Prandaj, sipas tij, tani nevojitet një “shtet përkujdesës”, që të dëgjojë dhe marrë seriozisht përvojat e qytetarëve, të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe investimeve dhe në këtë mënyrë të forcojë besimin e qytetarëve te shteti.

Fjalimi i Ramës u prit, sipas rregullit, pozitivisht nga deputetët dhe funksionarët e Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e Lëvizjes së Flamingove e hodhën poshtë si një manovër retorike për të shmangur vëmendjen nga problemet themelore: korrupsioni, mungesa e transparencës dhe shkatërrimi i mjedisit.

Sali Berisha, kreu i opozitës konservatore nga Partia Demokratike, hodhi dyshimin se Rama kishte përdorur inteligjencën artificiale për të hartuar dokumentin 40-faqësh, të cilin e cilësoi pa përmbajtje dhe të shkruar keq.

Vetë Rama nuk të jep përshtypjen se ndihet i vënë në mbrojtje nga “Revolucioni i Flamingove”. Ai pret në zyrën e tij në Kryeministri. Atletet e bardha i ka poshtë tavolinës. Me pantallonat e gjera të zeza dhe pulovrën e zezë mban çorape të zeza. Në një varëse rrobash varen fanella basketbolli që ish-lojtari i kombëtares shqiptare i ka marrë dhuratë. Dollapët dhe raftet janë të mbushura me objekte të ndryshme arti.

Rama nuk beson se vendi ndodhet në një pikë kthese, e aq më pak në një pikë thyerjeje. “Por pa dyshim është një provë besimi.”

Ai thotë se përpiqet ta shohë gotën njëkohësisht gjysmë plot dhe gjysmë bosh. “Nëse dikush tjetër e sheh gotën gjysmë bosh, është në rregull. Ai sheh më pak atë që kemi arritur dhe kërkon më shumë. Ndërsa ai që e sheh gotën gjysmë plot, sheh pikërisht atë që kemi arritur.”

Në parim, sipas tij, është shenjë pozitive kur njerëzit dalin në rrugë – për biodiversitetin, për mbrojtjen e mjedisit dhe për çështje të tjera.

“Për mua është një sfidë. Por kjo është diçka e mirë. Gjatë gjithë jetës sime politike gjërat nuk kanë shkuar kurrë vërtet mirë kur nuk jam sfiduar. Zakonisht jam më i mirë kur sfidohem. A do të jem më i mirë edhe këtë herë? Shpresoj. Nuk e di. Koha do ta tregojë. E ardhmja do ta dëshmojë.”

Sa i përket shkakut të drejtpërdrejtë të protestave në rivierën shqiptare, Rama kujton se kontakti i parë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump për një investim të mundshëm në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit kishte ndodhur në një kohë kur Donald Trump nuk ishte ende sërish president.

“Jeta e Trumpit në atë kohë lëkundej mes burgut dhe Shtëpisë së Bardhë.”

Rama këmbëngul se fakti që, si kryeministër shqiptar, promovon investimet e huaja direkte në vendin e tij, veçanërisht në sektorin kyç të turizmit, nuk e bën atë një vegël të Trumpit.

Dhe perspektiva e më shumë se katër miliardë eurove investime në projektet e planifikuara nga Kushner dhe partnerët e tij, thotë Rama, nuk është diçka që ai si kryeministër mund ta refuzojë thjesht, nëse mendon për interesin e vendit.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të flitet për një “shitje” të Shqipërisë. Ishulli i Sazanit vazhdon të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të mbetet i tillë. Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje për zhvillimin e mundshëm të ish-zonës së mbyllur ushtarake nga investitorë privatë në një resort luksoz.

Në qershor, protestat sollën një ngadalësim të vogël në rritjen e turizmit shqiptar. Tani kjo duket se është kapërcyer. Këtë vit Shqipëria pritet të regjistrojë 14 deri në 15 milionë vizitorë, krahasuar me rreth 12.5 milionë një vit më parë.

Next Post
Zelensky pret udhëheqësit botërorë për samitin rajonal në Ukrainë mes pushtimit rus -

Zelensky pret udhëheqësit botërorë për samitin rajonal në Ukrainë mes pushtimit rus -

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kryeministri britanik: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale

Kryeministri britanik: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale

November 8, 2026
Rrjedhja e të dhënave nga Rosstat! Mbi 450 mijë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, zbardhen shifrat tronditëse

Rrjedhja e të dhënave nga Rosstat! Mbi 450 mijë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, zbardhen shifrat tronditëse

November 8, 2026
Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për të formuar qeverinë e re në Izrael

Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për të formuar qeverinë e re në Izrael

November 8, 2026
Iluzioni i rrëzimit të qeverive nga rruga

Iluzioni i rrëzimit të qeverive nga rruga

November 8, 2026
SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, tentoi të thyente bllokadën detare

SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, tentoi të thyente bllokadën detare

November 8, 2026
Përplasen dy trena në Giza, 4 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur (VIDEO)

Përplasen dy trena në Giza, 4 të vdekur dhe mbi 80 të plagosur (VIDEO)

November 8, 2026

Usman Nurmagomedov – Dagestani MMA Star – Undefeated Lightweight PFL

November 8, 2026
Analiza e REL/ Rruga e Kosovës drejt BE-së “kalon nga Serbia”

Analiza e REL/ Rruga e Kosovës drejt BE-së “kalon nga Serbia”

November 8, 2026
Sherri në Ujin e Ftohtë në Vlorë, 34-vjeçari nxori pistoletën për të qëlluar gjatë sherrit, ja si u parandalua ngjarja e rëndë

Sherri në Ujin e Ftohtë në Vlorë, 34-vjeçari nxori pistoletën për të qëlluar gjatë sherrit, ja si u parandalua ngjarja e rëndë

November 8, 2026
Berisha: Rama kërkon të provokojë konflikt civil! Doli sot si zëdhënës i Prokurorisë së monizmit

Berisha u del në krah studentëve, qytetarët e “masakrojnë” me komente: Nuk mbledh dot më shumë se 500 vetë, do të shfrytëzosh ata!

November 8, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In