Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kreu i lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilal Kasami përgëzoi sot studentët shqiptarë që dolën në protestë për të kërkuar mbajtjen e provimeve të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në një postim në Facebook, Kasami thotë se kërkesa e tyre është e drejtë. Ndërkohë, ai akuzoi edhe elitën milionere të pushtetit që sipas tij, u përpoq ‘të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore.”
Postimi i plotë i Kasamit në Facebook
“I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! Ndërsa elita milionere e ish-pushtetit, e cila tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë” -tha ai.











