Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka kritikuar variantet e propozuara nga Partia Socialiste për reformën territoriale, duke i cilësuar si të paqarta dhe pa vizion.
Në një postim në rrjetet sociale ai shprehet se katër variantet e paraqitura nuk ofrojnë zgjidhje, por synojnë ruajtjen e status quo-së së krijuar nga reforma e vitit 2015. Boçi thekson se realiteti aktual ka ndryshuar ndjeshëm, me tkurrje demografike dhe boshatisje të zonave rurale, çka kërkon një qasje të re dhe më të thelluar.
Boçi argumenton se modeli aktual me 61 bashki ka dështuar të afrojë shërbimet me qytetarët, duke rritur varësinë nga qeveria qendrore dhe duke dobësuar pushtetin vendor. Si alternativë, Boçi propozon rritjen e numrit të bashkive, për të forcuar përfaqësimin lokal, konkurrencën dhe zhvillimin e balancuar.
Ai thekson se Shqipëria ka nevojë për një reformë të vërtetë që rikthen besimin te qeverisja dhe afron shtetin me qytetarin, jo për ndryshime sipërfaqësore me qëllime politike.











