Krasniqi thotë se pamë që Kurti qëndroi parimin e tij se nuk do të vazhdojë dialogu aty ku e kishte lënë qeveria paraprake. “Me ish-kryeministrin Hoti ishin hapur disa tema që nga asociacioni, të pagjeturit e disa tema tjera ekonomike. Por sot ishte e pritshme që këto tema nuk do të shkonin më tej”, -tha ajo.
Menaxherja e projekteve në KDI, thotë se është e paqartë pse Kurti ka propozuar edhe një marrëveshje paqeje me Serbinë kur dihet se paqen e ruan KFOR-i. “Është e vërtet që Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar një marrëveshje paqeje, por ne nuk jemi në luftë që nga viti 1999 pasi këtu është KFOR-i dhe NATO që garantojnë paqen…Ndoshta Kurti do ta sqarojë më tepër në të ardhmen këtë pikë”, deklaroi Krasniqi.
Megjithatë Krasniqi thotë se Kosova duhet të ketë kujdes në kërkesat e saj pasi mund të dëmtojë raportet me shtetet mike siç ishte rasti me SHBA-në për reciprocitetin. Anëtari i Bordit i Kongresit Panshqiptar Amerikan PAAC, Uk Lushi në një postim në Facebook duke komentuar këtë pikë të propozuar nga Kurti ka thënë se Traktati më i mirë i paqes për Kosovën dhe Serbinë është njohja reciproke.