Thellohet edhe më tej çështja e hetimit të dosjes “DIA-CEZ” dhe Kastriot Ismailajt. Ditën e sotme Prokuroria e Krimeve të Rënda në fakt i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për konfiskimin e pasurisë prej 2 milionë eurosh që rezulton në emër të Kastriot Ismailajt dhe nënës së tij Lutfie Ismailaj.
Sipas organit të Akuzës, nga hetimet e kryera nuk vërtetohen burimet e ligjshme të pasurisë, që dyshohet se buron nga aktivitete të paligjshme.
Nga ana e tij, avokati i Ismailajt sqaroi se kjo pasuri është vënë përpara vitit 2010. Ai kërkoi kohë për mbledhjen e provave, çka bëri që seanca e radhës të caktohet për në datën 14 tetor. Sipas ligjit antimafia, në momentin që një person hetohet për pastrim parash, të gjithë personat e lidhur me të, u verifikohen pasuritë. Pas vënies nën akuzë të biznesmenit Ismailaj, për pastrim parash, prokuroria u përball me faktin se në llogaritë e nenës së tij ndodhej një shumë e majme parash, por që gruaja nuk e justifikonte dot mënyrën sesi e kishte vënë këtë pasuri.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Krimeve të Rënda do të vendosë në seancën e 14 tetorit, lidhur me kërkesën e organit të akuzës për konfiskimin e pasurisë së Kastriot Ismailajt, administratorit të kompanisë DIA.









