Prokuroria Themelore në Prishtinë akoma nuk ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit ndaj deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, pavarësisht se ka kaluar afati kur ata duhej të paraqiteshin në Gjykatë për t’u marrë në pyetje nga prokurorja e rastit.
Dy deputetët dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës veprim i cili sipas Prokurorisë është i kundërligjshëm. I kontaktuar nga gazeta, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar se janë plotësuar kushtet për një kërkesë të tillë, por nuk e ka justifikuar kohën e shtyrjes së këtij vendimi.
“Në këtë lëndë janë plotësuar kushtet që të kërkohet lëshimi i urdhërarrestit, por e tërë lënda do të shqyrtohet nga prokurorja e rastit e cila edhe do të marrë vendim nëse do të kërkojë arrestimin e tyre apo jo”, ka thënë kryeprokurori Beka.