Prokuroria e Tribunalit të Hagës u bëri thirrje gjyqtarëve të refuzojnë një kërkesë nga mbrojtja e ish- komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiq për të shtyrë vendimin në gjyqin e tij për shkak të shëndetit të tij të dobët.
Prokuroria të enjten kërkoi nga gjykatësit e Tribunalit të Hagës të refuzojnë shtyrjen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Mlladiqit, i cili aktualisht është planifikuar të shpallet më 22 nëntor, duke argumentuar se kërkesa e mbrojtjes është e pabazuar.
Prokurorët thanë se mbrojtja “nuk ka ofruar justifikimin e kërkesës së saj dhe pretendimeve që mbështesin atë kërkesë”.
Ata thanë se avokatët mbrojtës kishin dështuar të ofrojnë një listë të provave për të mbështetur pretendimin e tyre se “gjendja shëndetësore e trurit të Mlladiqit është përkeqësuar ndjeshëm sipas mendimit të profesionistëve mjekësorë” dhe se gjenerali mund të jetë “i paaftë për të marrë pjesë” në gjykim për shkak të sëmundjes së tij.
Ata theksuan se mjekët në njësinë e paraburgimit të gjykatës së OKB-së, ku Mlladiq po mbahet dhe specialistë të pavarur kanë monitoruar nga afër shëndetin e tij gjatë gjykimit.“Raportet e tyre gjetën se i pandehuri ishte i aftë të merrte pjesë në gjyq dhe të dëgjonte vendimin për akuzat kundër tij”, thanë prokurorët.
Ata gjithashtu thanë se raporti i fundit nga specialistët mjekësorë më 22 shtator konfirmoi se “gjendja shëndetësore e të pandehurit është e qëndrueshme”.Prokurorët më tej vunë në dukje se në një vendim të kohëve të fundit, gjykata e Tribunalit të Hagës tha se Mlladiq “nuk ka probleme akute mjekësore” të cilat nuk janë trajtuar me trajtim mjekësor
Mbrojtja e Mlladiqit të mërkurën kërkoi nga gjykata e OKB-së që të shtyjë vendimin e shkallës së parë derisa të ishte përcaktuar nëse Mlladiq ishte mentalisht dhe fizikisht i aftë për pjesëmarrje të mëtejshme në gjykim.Avokatët e tij gjithashtu thanë se pavarësisht kërkesave të përsëritura ende nuk e kanë marrë dosjen e plotë mjekësore të Mlladiqit nga sekretariati i gjykatës.
“Siç tregohet në të dhënat e kufizuara mjekësore dhe imazhet të cilat na janë ofruar, profesionistët mjekësorë janë të mendimit se gjendja e trurit të të pandehurit është dëmtuar ndjeshëm, duke përfshirë të paktën një goditje që ndodhi gjatë paraburgimit të tij”, tha mbrojtja në mocionin për gjykatën.
Mbrojtja gjithashtu tha se radiologu i tij, i cili i shqyrtoi imazhet e paraqitura nga gjykata, vuri re “një përkeqësim të ndjeshëm të indeve cerebrale të Mlladiqit që nga fillimi i gjykimit” dhe pohoi se “e vërteta është potencialisht e paraqitur gabimisht” në shënimet e shkruara të bëra nga mjekët e gjykatës.Para arrestimit të tij në fund të majit 2011, Mlladiq, i cili tani është 74 vjeç kishte pësuar tri goditje.
Mbrojtja kërkoi në mars që Mlladiq të lirohet dhe lejohet të shkonte në Rusi, duke pretenduar se trajtimi i sëmundjes së tij në Hagë ishte i pamjaftueshëm.Dhoma e gjykatës e hodhi poshtë kërkesën, duke thënë se Mlladiqi kishte marrë trajtim të duhur në Hagë.
Arsyeja kryesore për hedhjen poshtë të kërkesës lidhej me paqartësinë e gjyqtarëve nëse Mlladiqi do të kthehej në Hagë për shkak se ai kishte qenë në arrati për 16 vjet përpara se të arrestohej.Mlladiqi po gjykohet për gjenocid në Srebrenicë, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, që pretendohet se ka arritur shkallën e gjenocidit në disa komuna të tjera.Gjithashtu Mlladiq akuzohet për terrorizim të popullatës së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së, përgatiti ”Kallxo.com”. (b.an)