Aktakuza e prokurorisë Speciale në Hagë Prokuroria ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, për politologun Adnan Beqiri është “qesharake, zhgënjyese dhe mllefonjëse”.
Në Dita Jonë në A2 CNN ai tha se kjo është një drejtësi selektive. Sipas tij në çdo situatë postkonfliktuale çdo krim duhet të gjykohet, drejtësia ndërkombëtare duhet të bazohet në parimet e një paqeje të drejtë, ku në qendër vendoset rehabilitimi i viktimës dhe jo ndëshkimi i saj.
“Unë prirem nga paqja e drejtë. Në çdo situatë postkonliktuale çdo krim duhet të gjykohet por këto teori të etika e ndërkombëtare të pranuar nga shumica. Duhet të kemi rehabilitim të viktimës dhe jo dënim të saj viktimë është populli kosovar e shqiptar dhe duhet të marrim masat e dënimet e duhura të agresorit. Në rastin konkret statistikat dalin që ndonëse viktima është populli i Kosovës kishte më shumë të dënuar nga ana e shqiptarëve. Është një situatë ku shihet se ka një lloj disproporcioni e drejtësie selektive”, tha Beqiri.
Ai akuzoi bashkësinë ndërkombëtare se nuk ka qenë kurrë për një paqe të drejtë, por për instalimin e një paqeje stabile dhe të brishtë. Në këtë kontekst, ai e cilësoi Gjykatën Speciale si një mekanizëm që vetëm sa e përforcon këtë qasje.
“Përfundimi i luftës ose instalimi i një paqeje të drejtë nuk ka qenë kurrë qëllimi i tyre. Kosova ende nuk e ka përmbushur kriterin për paqe të drejtë mbi gjykim të drejtë të krimeve. Kam bindjen se Bashkësia ndërkombëtare ka pasur qëllim të instalojë një paqe stabile të brishtë por aspak të drejtë. Dhe kjo që ndodhi me Gjykatën Speciale janë vetëm përforcim i saj”, theksoi ai.
Politologu bëri thirrje për solidaritet mbarëkombëtar dhe protesta masive për t’i bërë të qartë bashkësisë ndërkombëtare kundërshtimin ndaj drejtësisë selektive.
“Është një moment që duhet të ketë solidaritet dhe duhet të kishte miliona shqiptarë që duhet të protestonin dhe ti bënin të ditur bashkësisë ndërkombëtare se po kundërshtojmë drejtësinë selektive. Si ka mundësi që Gjykata Speciale të mos akuzojë asnjë serb të vetëm?”











