Prokuroria e Bullgarisë ka ngritur sot akuzat kundër ministrit të Mjedisit, Neno Dimov për keqmenaxhim të qëllimshëm në lidhje me mangësitë e furnizimit me ujë për rreth 100,000 njerëz për afro dy muaj në një rajon në perëndim të vendit.
Kriza e ujit në qytetin Pernik dhe rrethinat e tij ka shkaktuar një seri protestash dhe ka nxitur opozitën socialiste të kërkojë votë mosbesimi ndaj kryeministrit të qendrës së djathtë Boyko Borissov.
Borissov pranoi sot dorëheqjen e Dimov.
Prokurorët thanë se Dimov nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e tharjes së rezervuarit që furnizon me ujë Pernik megjithë paralajmërimet.
“Rreth 97,000 njerëz nuk do të kenë akses normal të ujit të pijshëm për pesë muajt në vijim, çka nuk do të kishte ndodhur sikur ministri të kishte ushtruar autoritetin e tij”, tha prokurori Angel Kanev.
Ata shtuan se Dimov i kishte dhënë prioritet furnizimi me ujë përdoruesve industrialë edhe kur ishte informuar në 2018 se nivelet po binin.
Dimov, i cili përballet deri me tetë vjet burg nëse shpallet fajtor, u arrestua të enjten pas një aksioni të policisë në ministrinë e mjedisit dhe disa institucione në Pernik, ku u sekuestruan dokumente e të dhëna. /e.s/