EKSKLUZIVE JAVANEWS/Për ligjin e vetingut, Gjykata Kushtetuese mund të ketë më shumë se një ankimim, në seancën e parë të shqyrtimit të kësaj çeshtjeje. Javanews ka mësuar se pas opozitës, edhe prokuroria po bëhet gati ta kontestojë zyrtarisht ligjin e kontrollit të gjyqtarëve e prokurorëve. Sipas informacioneve të sigurta, disa prokurori në rrethe dhe Tiranë, me urdhër të titullarëve të tyre kanë nisur të mbledhin firma prokurorësh, për t’ja shtuar ankimmiit zyrtar që do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese.
Qëllimi i kësaj nisme ekstreme të një kategorie që preket direkt nga ligji i vetingut dhe më gjerësisht nga reforma në drejtësi, është që të sjellë në tryezën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese një ankimim zyrtar të një grupi interesi. Kjo do ta shkarkonte kushtetuesen nga barra e shqyrtimit të një ankimimi me natyrë politike, duke e kthyer rastin në fjalë në një aferë të drejtësisë, e jo vetëm të politikës.
Burime nga prokuroria i thanë Javanews se deri tani në listën e firmosësve ndodhet një pjesë e madhe e kontigjentit të prokurorëve në shkallë republike, ndoshta mbi 50% e listës totale. Çka do të thotë se edhe nisma konkrete për të anikimuar zyrtarisht vetingun, nuk është një iniciativë dosido e një grupi anonim prokurorësh, por një gjest që ka brenda vullnet të lartë politik brenda institucionit. Mësohet gjithashtu se ankimimi po synohet të bëhet si trupë prokurorësh, e jo si shoqata. Pra po kërkohet të jepet idea që pas kësaj kërkese ndodhen të gjithë prokurorët e republikës, e jo vetëm shoqatat që i përfaqësojnë ata. Përveç kësaj mësohet se shoqatat e prokurorëve kanë refuzuar të bëhen palë në këtë nismë.
Nëse kundër vetingut do të rreshtoheshin zyrtarisht prokurorët, do të ndodheshin përballë të parit rast kur kategoritë e prekura nga vetingu do të ankimonin ligjin në fjalë. Kjo sepse deri tani nuk ka një nismë të ngjashme nga gjyqtarët, të cilët janë shprehur në të shkuarën në favor të vetingut dhe të paketës së reformës në drejtësi. Lajmi për ankimimin e vetingut nga prokurorët vjen pas deklaratave të fundit të kryeprokurorit Llalla, i cili u tha prokurorëve të mos tremben nga vetingu, por të hetojnë hashashin.










