David Schwendiman ka mbajtur një fjalë në Qendrën Grotius të Universitetit të Leidenit në Hagë, ka folur për reflektimet e tij mbi përvojat dhe sfidat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Kjo është konsideruar si fjalë lamtumirëse meqë mandati i tij përfundon në mesnatën e 31 marsit.
Në njoftimin për media thuhet se në fjalën e tij të fundit publike si Prokuror i Specializuar që përfshiu një spektër të gjerë temash, David Schwendiman foli për zanafillën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, (ZPS), sfidat me të cilat është përballur si Prokuror i Specializuar, sfidat me të cilat do të përballet institucioni në vitet e ardhshme, si edhe shkaqet pse puna hetimore e udhëhequr prej tij është e veçantë, kërkon kohë dhe mjete e punë intensive.
Ai shpjegoi me hollësi disa nga politikat e ndjekura që shënuan mandatin e tij si Prokuror i Specializuar.“Në bazë të rregullës 86 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave shpallur nga Dhomat e Specializuar në korrik të vitit 2017, para dorëzimit të një aktakuze, Prokurori i Specializuar duhet të bindet se “ekziston dyshim i bazuar mirë se një i dyshuar ka kryer, ose ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin për media.
Krahas kësaj dhe duke u nisur nga përvojat më të mira profesionale, Schwendiman theksoi se kishte udhëzuar punonjësit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të bëjnë një vlerësim të mëtejshëm për të përcaktuar nëse duhet të ngrihen aktakuza; me fjalë të tjera, nëse aktakuza e propozuar mbështetet nga: prova që janë të disponueshme për t’u paraqitur gjatë gjykimit dhe prova të cilat pasi të jenë ekzaminuar nga një mbrojtje e mirinformuar, e përgjegjshme dhe e fuqishme, me gjasë të jenë të mjaftueshme në aspektin sasior dhe cilësor që të çojnë në vendim fajësisë të konfirmueshëm edhe në fazën e apelit në lidhje me çdo të akuzuar dhe akuzë të propozuar.
Sipas njoftimit, Schwendiman gjithashtu shpjegoi se në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut së bashku me instrumente të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë detyruese për Prokurorin e Specializuar dhe Dhomat e Specializuara.
Kjo do të thotë se Prokurori i Specializuar gjithashtu ka detyrimin që t’u mundësojë viktimave të përfitojnë të drejtat që u garantohen prej instrumenteve të tilla, thuhet në njoftim, përgatiti Koha. (b.an)