Prokurori federal i Belgjikës ka konfirmuar se Ibrahim el-Bakraoui ishte përgjegjës për shpërthimin e parë në aeroportin Zaventem dje në mëngjes, njofton Gazeta Express.
I dyshuari i dytë, ishte përgjegjës për një bombë të dytë vetëvrasëse në aeroport, emri i të cilit ende nuk është identifikuar.
Shpërthimi në stacionin e metrosë Maelbeek është kryer nga sulmuesi tashmë i identifikuar si Halid el-Bakraoui.
I dyshuari i tretë, shihet në të djathtë të fotografisë CCTV, i cili është i veshur me të bardha, por që ende nuk është identifikuar thotë prokurori federal, pavarësisht se disa media kanë raportuar se ishte terroristi Najim Laachraoui.
Van Leeuw gjithashtu ka konfirmuar se sulmuesit kishin udhëtuar për në aeroport me taksi nga komuna e Brukselit, Schaerbeek, njofton Gazeta Express.
Gjatë kontrollit të një banese nga policia e Schaerbeek, është gjetur një laptop që përmban një shënim të shkruar nga Ibrahim el-Bakraoui. Prokurori bën të ditur se policia ende është në kërkim të Ibrahimit.
Megjithatë, një person është dërguar për t’u marrë në pyetje nga policia në Schaerbeek, i cili ende është duke u hetuar nga policia, ndërsa një person tjetër është liruar pasi u mor në pyetje.
Prokurori konfirmoi edhe numrin e të vdekurve nga këto sulme. Ai thotë se deri më tani numri i të vdekurve shkon në 32 persona ndërsa numri i të plagosurve në 270 persona.