Procesi i rivlerësimit i prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela u fokusua kryesisht te kriteri i profesionalizmit, ndërsa ndaj subjektit u ngritën pyetje mbi kërkesën për zbutje të akuzës ndaj një bashkëshorti, të dënuar më pas nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për tentativë vrasje të gruas.
Prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela u përball të martën me pyetje mbi vendimmarrjen e tij në lidhje me dy çështje që kishte hetuar.
Njëra çështjet lidhet me një shtetasin nga Fushë Kruja, i akuzuar se kishte sulmuar me levë nënën e fëmijëve të tij, pasi ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se e dhunonte.
Çela i ka kërkuar gjykatës dënimin e Doçit për dhunë në familje. Ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e ka riklasifikuar veprën penale në tentative vrasje, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg.
Çëshjta e dytë lidhej me shoqërimin me forcë të një shtetasi nga policia e Beratit.
Për rastin e Doçit, prokurori Çela u mbrojt duke përmendur ‘bindjen e brendshme’ dhe rrethanat e rastit, ndërsa u justifikua me mbingarkesën për disa mangësi në çështjen e dytë.
Trupa që hetoi Çelën, e cila drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Xhensila Pine, vuri në dukje se nga hetimi i pasurisë ishin gjetur bilance negative në total prej 540 mijë lekësh, por që lidheshin me konsiderimin ose jo si të ligjshëm të pasurisë së prindërve të Çelës, të cilët i kishin dhënë dy hua. Ndërkohë që nuk u vunë në dukje probleme në kriterin e figurës. Marre nga BIRN