Një projektvendim i ri që rregullon procedurat për pagimin dhe transferimin e pensioneve sipas të gjitha llojeve dhe kategoritë e pensioneve, i ndërmarrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, synon të shkurtojë afatet dhe të rregullojë disa vonesa që ndodhnin për shkak se sistemi i ISSH-së nuk ishte i informatizuar. Kështu, ndryshimi të procedurave, përveç kërkesave për transferim të pensioneve në rajone të ndryshme, do të ketë edhe për kalimin e pensioneve nga Posta në Bankë. Për këto të fundit, institucioni merr përsipër të lehtësojë punën e çdo individi, duke ndryshuar rregulloren. Për shembull, në pikën 7 të projektvendimit, saktësohet se “Kërkesa për kalimin e pagesës së pensionit dhe përfitimeve të tjera nga Zyrat Postare në një degë të Bankave të Nivelit të Dytë, bëhet pranë degëve të këtyre bankave. Në këtë rast punonjësit e sporteleve të degës së bankës marrin funksione të inspektorëve pritës të Agjensisë të Sigurimeve Shoqerore”. Më tej, kjo pikë vijon; “Bazuar në kërkesën e përfituesit të cilës i bashkëlidhet fotokopje e Leternjoftimit Elektronik e nënshkruar nga pensionisti dhe Libreza e Pensionit, në prezencë të përfituesit dhe të personit të autorizuar prej tij, i cili është edhe në rolin e garantorit të marrëdhenieve financiare të pensionistit me Bankën dhe DRSSH-në, dega e bankës harton kontratën përkatëse dhe çel numrin e llogarisë së pensionistit”.
Ndërsa, sa i përket afateve të reja, ato përcaktohen një nen më poshtë, ku thuhet se “Sigurimet Shoqërore, menjëherë, me marrjen e kërkesës së pensionistit, të dërguar zyrtarisht përmes bankës, brenda 3 ditëve punë fillojnë dhe përfundojnë procedurën e transferimit të Qendrës Paguese. Gjithashtu, brenda 5 ditësh nga data e marrjes së kërkesës, ISSH, përfundon edhe gjenerimin e pagesave nga baza e të dhënave, në portalin elektronik të pagesave. Ndërkohë, brenda një jave nga data e marrjes së kërkesës, Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore i komunikon degës së bankës me e-mail, veprimet që janë bërë lidhur me kërkesat, i njofton të dhënat analitike të mandat pagesës dhe njëkohësisht i xhiron nëpërmjet urdhër transfertës edhe këstet mujore të përfitimeve të pa tërhequra të muajve të mëparshëm. “Kësti i përfitimit të muajit korent transferohet për pagesë në datën 20 të çdo muaji dhe po në këtë datë banka e kalon transfertën në llogarinë individuale të pensionistit. Komunikimi me pensionistët është përgjegjësi e Bankës”, citon projekti. Problematika Nga kontrolli, ballafaqimi i të dhënave dhe ndjekja sistematike e rasteve të vdekjeve, të mbylljes së pensioneve si dhe të pagesave të kësteve të pensioneve janë konstatuar problematika të ndryshme si mos paraqitja e familjarëve për mbylljen e pensionit, raste të manipulimit të datave të pagesës në grafikun e pagesave, thjesht për të marrë pak lekë më shumë nga pensioni i muajit kur ndodh vdekja, konflikte apo pakënaqësi të familjarëve të autorizuar të cilët edhe pse kanë autorizim nuk mund të tërheqin këstet e pensioneve të pa marra për arsye se kërkohet akt trashëgimi e cila është e kushtueshme dhe mjaft e vështirë në kushtet e lëvizjes së lirë të njerëzve.
Për një zgjidhje sa më të plotë dhe të thjeshtë të problematikave, unifikimit të praktikave si dhe plotësimit e përmirësimit të rregullave aktuale të cilat janë një burim i plotë informacioni edhe për personelin e ri në detyrë me anë të projektvendimit në rregulloren e sipërshënuar parashikohet të shtohet një pikë e titulluar “Veprimet financiare lidhur me mbylljen e përfitimeve, pagesën e diferencave, evidentimin dhe arkëtimin e detyrimeve” ku përcaktohen; E drejta dhe detyrimi i Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që përveç pezullimit, nëpërmjet printimit të një vërtetimi, bazuar në të dhënat për vdekjet të marra nga regjistri i gjendjes civile, të fillohen dhe përfundohen procedurat e mbylljes së pensionit. Detyrimi i Drejtorisë së Administrimit të Burimeve të Informacionit që me marrjen e raportit periodik të të dhënave për vdekjet, të bëjë menjëherë procedurën e pezullimit të pagesës së pensioneve të gjeneruara, kur përfituesi nuk jeton. Procedura teknike dhe financiare të qarta dhe përgjegjësi të ndara lidhur me evidentimin e pensioneve që duhen mbyllur, mbylljen e tyre, pagesat e kryera, llogaritjet dhe dhënien e diferencave, pagesat e kryera pas vdekjes, llogaritjen e dëmit dhe përgjegjësitë për arkëtimin e tij.
Në këtë kontekst, në këtë projektvendim propozohet që në rast se pensioni i një pensionisti nuk është tërhequr për deri gjashtë muaj nga personi i autorizuar prej tij, kur ishte i gjallë pensionisti, organet e Sigurimeve Shoqërore të kenë të drejtën që atë pension t’ia kalojnë personit të autorizuar, për analogji siç i kërkojnë të mbajë përgjegjësi edhe në rast të pagesave të tepërta në zyrat postare ashtu edhe në zyrat bankare. Kjo do të shmangte disa akte trashëgimie që shpesh herë kushtojnë shumë më tepër se pensionet e pa tërhequra, pensionet mbeten pezull dhe duke krijuar konflikt. Gjithashtu, në rregullore janë parashikuar procedura më të plota edhe kur për shkak të pagesave pas vdekjes, janë krijuar dëme të cilat lidhen me pagesa për një deri në dy muaj dhe që janë të arkëtueshme duke përdoruar ato lloje përfitimesh që me ligj janë përcaktuar për pagesë si për shembull, “Pagesat për vdekje”, Miratimi i këtij projekt vendimi do të japë një dokument më të plotë në përdorim të administratës dhe sidomos të inspektorëve të rinj të përpunimit të pensioneve si dhe do të përshpejtojë shërbimet ndaj klientit duke veçuar sidomos përshpejtimin e procedurave të kalimit të pensioneve nga Posta në Bankë.
Këstet e patërhequra, kur përfitojnë trashëgimtarët
Me rregullat e reja, ndryshojnë edhe veprimet për këstet e patërhequra. Me miratimin e tyre, dega e përfitimeve do të hartojë urdhër pagesë të veçantë për këto pagesa pensionesh. Gjithashtu, dega evidenton në sistemin informatik, shumat debitorë për t’u paguar, në rastet kur kalohet nga një lloj pensioni në një tjetër, për shembull kalohet në pension familjar apo në pension suplementar etj. Për rastet kur numri i kësteve mujore të pensioneve të pa tërhequra është deri në 6, urdhër pagesa për kë- to këste dhe për shumën e “Pagesës për Vdekje”, i adresohet personit të autorizuar nga pensionisti, kur ai jetonte. Në këtë rast personi i autorizuar së bashku me kërkesën për mbylljen e pensionit dorëzon në agjencinë pritëse certifikatat përkatëse të lëshuara nga gjendja civile, dokumentet për shpenzimet e varrimit, si dhe një fotokopje të noterizuar të prokurës apo autorizimit të përfaqësimit për tërheqjen e pensionit, të hartuar sipas kërkesave të Kodit Civil, origjinali i të cilës gjendet në qendrën e pagesës.
Në raste të tjera përfitimet u paguhen trashëgimtarëve të ligjshëm. “Në rastet kur evidentohen detyrime për kthim të shumave të marra më tepër, për shkak se janë kryer pagesa të shumave mujore te përfitimeve, përtej datës së vdekjes, të tërhequra nga personat që kanë pasur një prokurë ose autorizim përfaqësimi, të dhënë nga pensionisti i cili nuk jeton, apo janë kryer pagesa pas vdekjes, në favor të familjarëve të pa autorizuar, në shkelje të normave dhe akteve nën ligjore, apo nga DRSSH, në kushtet e mungesës së informacionit koherent për personat e vdekur, janë kredituar llogaritë e pensionisteve në banka, edhe pas vdekjes së pensionistit, përllogaritja e shumave debitorë dhe veprimet për arkëtimin e demit bëhen nga dega e pensioneve dhe dega e financës së DRSSH-së. Përllogaritja e shumave debitorë bëhet duke shumëzuar ditët e paguara pas datës së vdekjes së përfituesit, me shumën ditore të të ardhurave të llogaritura si e drejtë përfitimi e tij. Shuma ditore e të ardhurave, përllogaritet duke pjestuar këstin e të ardhurave mujore të pensionistit me 30.”, thuhet në pikën 19 të projektvendimit.
Mbyllja dhe transferimi, procedura që ndiqet nga sigurimet shoqërore
1. Inspektori i përgjithshëm koordinues i DRSSH-së, bazuar në kërkesën zyrtare, e cila i është adresuar atij, kërkon dosjen nga arkiva dhe ia dorëzon Kryetarit të degës së përfitimeve së bashku me kërkesën.
2. Kryetari i degës së përfitimeve, e regjistron dosjen për transferim në regjistrin përkatës, verifikon nëse dosja është e inspektuar nga Njësia e Inspektimit të Përfitimeve Afatgjata apo Auditi në ISSH dhe kur konstaton se dosja është e inspektuar e kalon tek inspektori përpunues, për kryerjen e veprimeve procedurale të mbylljes së pagesës në atë DRSSH.
3. Inspektori përpunues, tërheq kartelën financiare nga dega e financës, plotëson urdhër mbylljen në dy kopje, (tre kopje nëse pagesa kryhet në zyrat postare), i nënshkruan ato dhe ia dorëzon kryetarit të degës së përfitimeve. Njëkohësisht në sistemin elektronik të pagesave kalon përfitimin në statusin “Pezullim” dhe dosja mbahet në ruajtje tek inspektori përpunues deri sa të kthehet urdhër mbyllja sipas rastit nga dega e financës apo zyra postare.
4. Kryetari i degës së përfitimeve kontrollon urdhër mbylljen dhe kur është plotësuar konform rregullave, e firmos atë dhe e dërgon te Kryetari i degës së financës.
5. Kryetari i Degës së Financës i kalon urdhër mbylljen specialistit të kontrollit të pagesave për verifikimin e statusit të pagesës në sistemin PCAMS si dhe pagesën e fundit të kryer.
6. Në rastet kur pagesa kryhet “online” ose në “Bankat e nivelit të dytë”, specialisti i kontrollit të pagesave verifikon pagesën, plotëson urdhër mbylljen dhe ia kthen Degës së Përfitimeve brenda 48 orëve nga marrja në dorëzim.
7. Në rastet ku pagesa kryhet në zyrat postare, urdhër mbyllja pasi nënshkruhet nga specialisti i financës dhe drejtori i DRSSH-së, dërgohet me postë në degën përkatëse të Postës Shqiptare, brenda ditës së punës, për konfirmimin e pagesës së fundit dhe mbylljen e urdhërpagesës. Urdhër mbyllja, e konfirmuar nga Zyra Postare e Pagesës, i dërgohet inspektorit përpunues që ka bërë urdhër mbylljen, për veprime të mëtejshme.
8. Inspektori përpunues mbyll dosjen e pensionit në rubrikën përkatëse si dhe evidenton në formatin përkatës të VCP, gjendjen e detyrimeve debitore të papaguara, nëse ka, deri në datën e transferimit të dosjes.
9. Në sistemin PCAMS të pagesës së pensioneve kryen veprimet përkatëse të transferimit duke bërë edhe shënimet përkatëse për kreditë/ debitë nëse ka. Në rast se nuk ka detyrime, në rubrikën shënime, pas shprehjes “Transferohet në Rajonin ____ nga data dd. mm. vvvv”, shënohet “nuk ka diferenca kreditore apo debitore”.
10. Inspektori përpunues harton në dy kopje edhe shkresën përcjellëse tip në të cilën shënohet detyrimisht data e pagesës së fundit. Një kopje e shkresës përcjellëse bashkë me kartelën financiare dhe urdhërmbylljen qëndrojnë në DRSSH dhe arkivohen sipas numrit rendor të mbylljes, ndërkohë që kopja tjetër shoqëron dosjen që adresohet në DRSSH-në kërkuese.
11. Mbyllja e dosjes konfirmohet nga Kryetari i degës së përfitimeve, Kryetari i degës së financës dhe drejtori. Dosjet që transferohen i kalojnë specialistit të arkivës për t’u evidentuar në Regjistrin e mbylljeve si dhe degës së Informatikës, për t’u evidentuar në Regjistrin e pensioneve, duke vendosur shënimin “Transferuar në DRSSH …….. nga data dd.mm.vvvv”, në rubrikën përkatëse. Të gjitha veprimet e marrjes dhe dorëzimit pasqyrohen në fletën shoqëruese të dosjes së pensionit që do të transferohet.
12. Nuk lejohet të transferohet një dosje pensioni, nëse nuk është paguar minimumi një këst mujor pensioni në agjencitë paguese të territorit të DRSSH-së, që ka caktuar pensionin.
Neritan Gjergo
ma.me