SPECIALE/JAVANEWS Projektligji i PD-së për hetimin ndërkombëtar të CEZ, a do të jetë edhe një sprovë për mazhorancën në Kuvend? Përtej zhurmës publike dhe mediatike, pas kuintave po zhvillohet edhe një betejë tjetër, e cila ka të bëjë me sigurimin e numrit të nevojshëm të votave për miratimin e këtij projektligji.
Drejtues të lartë të PD-së mësohet se janë duke u investuar shumë në kontakte me deputetë të partive të vogla parlamentare, për të siguruar votën e tyre pro këtij projektligji. Por më shumë se një përpjekje për të kaluar projektligjin në Kuvend, PD po teston dhe mundësitë reale nëse ajo së bashku me LSI dhe parti të tjera të vogla të Kuvendit, të konfigurojë një mazhorancë të re parlamentare nëpërmjet asaj që shumë prej këtyre drejtuesve të PD e konsiderojnë “aleanca fluide”. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se mbrëmë gjatë gjithë natës janë bërë një sërë kontaktesh e telefonatash në adresë të deputetëve të partive të vogla, duke filluar që nga PDIU, PR, PDK, PBDNJ, LZHK, me qëllim sigurimin e votave të tyre në favor të projektligjit.
Ethet për sigurimin e këtyre votave janë shtuar më shumë pas deklarimit të kryeministrit Edi Rama nga New York se nuk është në favor të një hetimi ndërkombëtar për çështjen e CEZ, pasi Shqipëria ka institucionet e saj të drejtësisë.
Por nga ana tjetër edhe sigurimi i këtyre votave në favor të projektligjit të PD-së për hetimin ndërkombëtar të aferës së CEZ duket se nuk është një proces aq i lehtë. PD nuk ka numërin e duhur të votave. Grupi i saj parlamentar madje ka pësuar jo pak firo, duke u reduktuar nga 46 deputetë në 42 deputetë. Por kjo në numrin e përgjithshëm të votave në Kuvend nuk është se i prish shumë punë, pasi deputetët e larguar kanë shkuar tek LSI-ja, që ka rritur numrin total të votave në Kuvend nga 16 në 19 deputetë. Kjo forcë politike, në dritën e zhvillimeve të fundit, është kthyer më shumë se kurrë në përcaktuesen e ekuilibrave parlamentarë.
Me përjashtim të deputetes së fundit të larguar nga PD, Mesila Doda, që ende nuk ka përcaktuar nëse do të jetë deputete e pavarur apo do t’i bashkangjitet ndonjë grupi parlamentar, pjesa tjetër e deputetëve të larguar nuk përbën ndonjë suprizë në kahjen ku është rreshtuar. Epiqendra e kësaj loje politike për numra votash në Kuvend duket se është kthyer PDIU, e cila ka 5 deputetë, që në raste të tilla merr peshë dhe rëndësi. Ndërkohë nuk ka pikëpyetje për mënyrën sesi do të votojnë 3 deputetët e PR, të cilët do të rreshtohen në krah të PD-së. Është ende e papërcaktuar mënyra sesi do të votojnë deputetët e PBDNJ dhe PDK. Duke pasur parasysh numrin prej 63 mandatesh që ka PS në Kuvend, loja e shifrave për të bërë shumicën e thjeshtë bëhet shumë interesante. Nëse PD arrin të mbledhë kokërr më kokërr votat e deputetëve të tjerë të Kuvendit, atëhere kristalizohet një mazhorancë e re, e cila kthehet jo pak kërcënuese për PS dhe kryeministrin Edi Rama.
Në fakt edhe projektligji i paraqitur më shumë se në interes të zbardhjes së cështjes së CEZ, synon të verë seriozisht në provë nëse mazhoranca aktuale vijon të qëndrojë në këmbë, apo ajo mund të bëhet e cënueshme. Tangon në këtë rast duket e luajnë Meta dhe Berisha.
Numri i deputetëve që përfaqësohen partitë politike në Kuvend
- PS – 64 deputetë
- PD – 42 deputetë
- LSI – 19 deputetë
- PDIU– 5 deputetë
- PR – 3 deputetë
- PDK – 1 deputet
- LZHK – 1 deputet
- PBDNJ- 2 deputet