Shqipëria do të ketë fermën më të madhe të akuaponisë në Europë. Një projekt 5.1 milionë euro synon zbatimin e teknologjisë më inovatore që kombinon në prodhim dy sisteme. Kompania Aquatiq synon që në 1.3 hektarë në Remas të Divjakës të prodhojë 100 tonë troftë të ylbertë, 153 tonë domate cherry, 250 mijë tufa sallate, 1.1 milionë minivazo borzilok në vit të destinuara për tregjet europiane.
Ky është projekti i parë i kësaj natyre, ndërkohë që në Shqipëri ekziston vetëm një rast i akuaponisë eksperimentale i zbatuar tërësisht në mënyrë autodidakte, lindur nga një video YouTube dhe një akuariumi në shtëpi.
Nga Nertila Maho
Remas është një nga pesë njësitë administrative të Bashkisë së Divjakës, me një popullsi që llogaritet 6500 banorë. Pakkujt mund t’i kishte shkuar në mendje se kjo zonë do të ishte qendra e fermës më të madhe akuaponike në Europë, një investim 5 milionë euro që vjen nga kompania Aquatiq, nën një trinom shqiptaro-austriako-gjerman. Vetëm pak muaj më parë, në Komitetin e Investimeve Strategjike do të miratohej statusi për një projekt tërësisht jashtë realitetit shqiptar. Një fermë akuaponike, me një sipërfaqe 1.3 hektarë që do të punësojë rreth 60 persona dhe ka të veçantë kombinimin e dy sistemeve akuakulturën (rritjen e peshqve në vaska) dhe hidroponinë (kultivimin e bimëve në ujë) në një të vetme. Është interesante të shohësh sesi në një rajon si Lushnja, e njohur gjithmonë për bujqësinë tradicionale, zë vend një koncept që edhe në vende të zhvilluara ka përhapje minimale.
Për Shqipërinë, ky është projekti i parë i kësaj natyre që nëse do të zbatohet me sukses do të shënojë një etapë tjetër të ndryshme nga ajo sesi konceptohet bujqësia sot, një sektor që endet mes prodhimit për mbijetesë, parcelizimit të lartë, çorganizimit të fermerëve dhe kulturave dhe një sërë problematikash të tjera. Por sa njihet në fakt akuaponia në vend? Shumë pak, për të mos thënë aspak. Me një rast të izoluar si nismë individuale e një inxhinieri, që ka vendosur të eksperimentojnë në mënyrë autodidakte në sipërfaqe të vogla diku në rrethinat e Tiranës, pasi kostoja e investimit është relativisht e “kripur”.
Akuaponia, në Shqipëri nuk njihet pothuajse fare
Kur hasëm në projektin e fermës akuaponike kërkuam për të gjetur diçka në shqip. Në fakt, gjithçka që del është një faqe Facebook-u Aquaponik Albania dhe asgjë më tepër. Nga të dhënat e mbledhura edhe pranë Universitetit Bujqësor në Tiranë kuptuam se dhe literatura shqiptare nuk ofron ndonjë informacion shumë të detajuar.
Studentët që janë ofruar për të bërë një punim diplome mbi këtë pjesë numërohen me gishtat e njërës dore. Duke pasur një përhapje minimale edhe në botë dhe një lloj sistemi tërësisht inovator, akuaponia nuk rezulton e përmendur ndokund në legjislacionin shqiptar dhe as merret në konsideratë si një aktivitet që mund të përfitojë nga mbështetja në rastet e skemave të financimit që ofrohen nga qeveria. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural iu përgjigj interesit të “Monitor” lidhur me akuaponinë, duke vënë theksin te fakti që kjo është diçka e re për vendin tonë dhe se Skema Kombëtare e Mbështetjes, edhe pse përfshin një gamë të gjerë për fermerët, nuk ka të përfshirë specifikisht këtë pikë.
Akuaponik Albania, nismë e vogël dhe autodidakte
Jani Taçi është me profesion inxhinier elektrik, por pasioni i tij i viteve të fundit është akuaponia, diçka që e ka mësuar në mënyrë autodidakte. Gjithçka nisi me disa video në YouTube. “Nga fundi i vitit 2012 gjej rastësisht në internet një video që tregonte për akuaponinë, dhe më pëlqeu si ide. Vendosa fillimisht të eksperimentoj në shtëpi, në një pjesë të vogël të akuariumit dhe pati rezultat. Kjo më shtyu që të bëj një serë 100 metra/katrorë, e cila pati rezultat shumë më të mirë sesa ajo që kisha në shtëpi dhe krahas saj, nisa të ndërtoja një serë më të madhe. Serën 100 metra/katrorë e ndërtova në 2013 dhe një vit më vonë, nisa të tentoj për një më të madhe.
Nuk është e gjitha akupon, por gjysma është e tillë dhe gjysma tjetër, një serë e zakonshme”, – shprehet Jani Taçi. Sera ndodhet diku në zonën e Citypark-ut dhe ai ka investuar në të kursimet e tij. Edhe pse ka kërkuar herë pas here të sigurojë ndonjë mbështetje nga insitucionet për të bërë diçka më të madhe, nuk ia ka dalë. Ka shumë pak njerëz që e njohin akuaponinë sipas tij, madje në Universitetin Bujqësor kjo është diçka që nuk trajtohet pothuajse fare. Këtë e ka konsultuar me të paktën dy studentë që kanë zgjedhur të zhvillojnë pranë serës së tij punimet e tyre të diplomës.
Në Shqipëri është ende herët për të folur për një tendencë lidhur me akuaponinë, pasi deri më tani rastet janë të izoluara. Por nëse ferma në Remas shënon sukses, atëherë nuk është çudi që Shqipëria të shihet si destinacion për investime të kësaj natyre nga investitorët potencialë.
Avantazhet e këtyre fermave
Fermat akuaponike nuk kanë përhapje masive, por numri i tyre në botë raportohet në rritje nga viti në vit, të paktën sipas disa studimeve ndërkombëtare. Arsyeja e lulëzimit të kësaj ferme shumë specifike lidhet me theksin që vihet tek ushqimi i shëndetshëm dhe pa kimikate që sigurohet.
Ekspertët shprehen se në këtë lloj ferme, i vetmi përbërës që hidhet është ushqimi i peshqve, ndërkohë që mbetjet që prodhojnë peshqit më pas përmes ciklit kalojnë në formë ushqimi për bimët. Kjo do të thotë se ato rriten në mënyrë krejt të pastër, pa asnjë lloj kimikati.
Duke qenë se kjo lloj ferme nuk kërkon tokë për t’u ngritur, mund të ushtrohet sipas mundësive nëpër çatitë e ndërtesave, sakaq ato konsumojnë shumë më pak ujë sesa fermat tradicionale. Cilësia e ushqimit është pika më e fortë e këtij lloj aktiviteti. Ajo që sigurohet më lehtë është rritja e disa lloje sallatave, por edhe disa peshq të cilët pasi kanë arritur një farë pjekurie mund të zëvendësohen me peshq më të rinj. Sot në botë gjithmonë e më shumë po lakohet se alternimi me këto lloj fermash është e ardhmja e prodhimit të shëndetshëm. Por a mund të ushqejnë një vend këto ferma? Opinionet e ekspertëve ndahen në dy. Disa shprehen se ato mund të shërbejnë si një formë alternative e prodhimit që rrit masën dhe cilësinë, por që për shkak të kostos nuk mund të kenë përhapje të gjerë, ndërsa të dytët vlerësojnë se ato mund të jenë konkurrente të fermave normale dhe konkurrenca është vetëm pozitive.
Sfidat që hasin fermat akuaponike
Nuk është e thjeshtë të bindësh njerëzit se produkti është rritur vetëm me praninë e ujit kur në mendjen e tij çdokush ka të fiksuar se duhet tokë për të rritur diçka. Kjo ka bërë që edhe nismat që ndërmerren për fermat akuaponike të jenë të rralla sidomos kur flasim për hapësira të mëdha ndërkohë që ata që janë fanatikë të eksplorimit të kësaj fushe janë më të shumtë në numër.
Një tjetër sfidë që hasin fermat akuaponike është financimi. Teknologjia që përdoret në këto lloj fermash është relativisht e re dhe pak e shtrenjtë. Kjo bën që bankat të tregohen më konservatore në kreditimin e planeve të biznesit të këtyre fermave. Në këtë pjesë ndikon edhe fakti që ende këto ferma nuk kanë një historik të gjatë të bilanceve të tyre financiare, pasi janë nisma të rralla. Edhe pse aktualisht kjo shihet si një sfidë ekspertët shprehen se është vetëm një fazë kalimtare. Krijimi i një historiku suksesi, testimi i këtyre fermave që nuk janë asgjë më shumë se një simbiozë mes bimëve dhe kafshëve e gjejmë të shfaqur sot në natyrë pritet që të nxisë orientimin e më shumë financimeve edhe në këtë drejtim./monitor/
a.ç