• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Projektet madhore qindra-milionëshe euro të turizmit që dështuan

by A R
25/06/2016 12:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në memorien e shumëkujt janë ende projektet për resortet e mëdha luksoze turistike në zonën e Kavajës, por sot kur punimet duhet të ishin në kulmin e tyre, fushat gjenden të shkreta para rrugëve të reja bosh, të bëra posaçërisht për zhvillimin e tyre.

Në gusht të vitit 2011, qeveria autorizoi ndjekjen me prioritet të ndërtimit të resorteve turistike në Synej dhe Gosë të Kavajës bashkë me portin e jahteve, me vlerë të përbashkët investimi më shumë se 1 miliard euro. Burimet pranë projektit, korniza ligjore dhe problemet me pronësinë, kanë lënë ende sot e kësaj dite të paangazhuara këto investime në turizëm. Prezantimi i projekteve me lejet përkatëse në prag të zgjedhjeve të 2013-s duket se kanë lënë në pritje trevjeçare investitorët, të cilët me ndryshimin e qeverisë duhet të përshtaten me rregullat e reja.

Në një gadishull kodrinor, të paprekur nga turizmi, rreth 20 kilometra në jug të qytetit turistik të Durrësit, kompania Finsec AG planifikon që të ndërtojë një port jahtesh me 800 vende parkimi, dhe një resort me 150 apartamente bashkë me një hotel veçmas që do të kushtonte 85 milionë euro. Gjithsej vlera e investimit përllogaritet në 200 milionë euro, duke përfshirë edhe portin. Por, për të zhvilluar fshatin turistik që është edhe faza e dytë e punimeve, investitorët zviceranë do të duhet të presin rregullat e reja ligjore që rrjedhin nga ligji i ri për turizmin. Por projektet turistike duket se po kalojnë edhe nëpërmjet një tranzicioni të fortë institucional, ku struktura përgjegjëse për turizmin në një periudhë prej një viti e gjysmë ka ndryshuar tre herë dikasterin përgjegjës.

Tërhiq e mos e këput është çështja e projektit tjetër për fshatin turistik të Vilbashtovës. Ish-ekspertë të atashuar pranë çështjes që në vitin 2011 pohojnë se, kompania është në pritje të ofertës shqiptare, pasi disa pengesa në lidhje me pronësinë e tokës dhe në marrjen e lejeve kanë penguar projektin. Projekti është gati, por për të njëjtat arsye që kanë lidhje me pronësinë dhe statusin e paqartë të koncesioneve në zonat turistike, investimi nuk ka vijuar më tej.

Vilbashtova është një nga zonat më të bukura bregdetare të Adriatikut. Natyra është e paprekur dhe si rrallëkund mund të gjesh zambakë në rërë. Projekti britanik parashikonte ndërthurjen e disa elementeve, si shfrytëzimin e pjesëve me panoramike të zonës, ndërtimin e mjediseve sportive me një kapacitet më shumë se 30,000 pushues. Investitori në faqen e tij zyrtare njofton se “kthehemi shumë shpejt”. Qeveria e para vitit 2013, në mbështetje të këtij projekti, ndërtoi edhe rrugën e re nga aksi nacional në Vilbashtovë.

Gjithashtu nuk ka mundur të zhvillohet kompleksi turistik OMNIX Albania, një prej kompanive më me emër të fushës nga Katari. Ky kompleks ishte planifikuar në zonën e Gjirit të Lalëzit në Durrës. Projekti i investimit është bërë nga kompania Chapman Taylor dhe me një vlerë fillestare investimi prej 200 milionë eurosh dhe në fazat e mëvonshme ishte parashikuar të arrinte në 2 miliardë euro i programuar për të gjeneruar 20,000 vende pune. Projekti nuk ka nisur të zbatohet. Edhe ky projekt ka mbetur vetëm i tillë për shkak të tranzicionit institucional dhe ligjor që buroi nga rrotacioni politik i 2013-s.

Kakomeja është padyshim një nga projektet më të përfolura në Shqipëri. Në fillim u mendua se do të ishte një projekt që do të mbante firmën e Club Med, por kompania u tërhoq nga investimi pak kohë më parë. Tani janë shqiptarët ata që po e ndërtojnë. Bëhet fjalë për fshatin turistik në zonën e Kakomesë. Është një ndërtim që synon thithjen e turistëve të huaj. Parashikohet që ky ndërtim të shtrihet në dy zona bregdetare. Ai do të njihet me emrin “Vendqëndrimi i ri i Robinsonëve”. Ndërtimi llogarit një sipërfaqe prej rreth 700,000 metër katrorësh. Vilat do të jenë një ose dykatëshe.

Mesdheu, Shqipëria në mesin e rajonit më të kërkuar

Sipas raportit që nxjerr Asambleja Rajonale për Mesdheun (ARLEM), rajoni aktualisht është destinacioni turistik kryesor në botë, megjithëse ka dallime të konsiderueshme brenda tij. Mesdheu përpunon 30% të turistëve dhe 25% të të ardhurave totale nga turizmi global. Më saktë, 80% të vizituesve vijnë nga Europa, kryesisht nga Gjermania. ARLEM konkludon se turizmi luan një rol kyç në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe në integrimin e tij në procesin e globalizimit, por gjithashtu ai ushtron presion të konsiderueshëm mbi burimet dhe mjedisin natyror.

Promovimi i turizmit ekologjik të qëndrueshëm cilësohet jetik sidomos në Mesdhe, zonë e cila po përjeton normën më të shpejtë të ngrohjes globale, me të gjitha pasojat përkatëse, siç janë shkretëtirëzimi, pakësimi i rezervave të ujit të pijshëm dhe humbja e biodiversitetit.

Për këtë arsye, menaxhimi i burimeve ujore, ndotjes dhe mbeturinave dhe lufta kundër erozionit të tokës janë disa nga sfidat kryesore të lidhura me turizmin në Mesdhe. Situata ilustrohet nga fakti se, në vitin 2007, rajoni ka përdorur burimet e veta natyrore 2,6 herë më shpejt sesa i ka rinovuar (norma në nivel botëror është 1.5 herë më shpejtë).

Për më tepër, duke marrë parasysh që turizmi është goditur vetëm pjesërisht nga kriza botërore dhe që pasojat negative të Pranverës Arabe nuk kanë gjasa të zgjasin shumë, situata pritet të përkeqësohet, me numrat e turistëve në rritje (gjatë dy dekadave të fundit, rajoni i Mesdheut ka shënuar rritjen më të lartë në numrin e turistëve në botë). Kjo do të ketë sigurisht ndikim shqetësues në mjedis. Në vitin 2010, industria e turizmit (duke përfshirë të gjitha shërbimet dhe investimet përkatëse) ka pasur një mesatare prej 10.9% të PBB-së, duke u renditur si një sektor me rëndësi jetike për ekonomitë e rajonit 1 (sa u përket vendeve të punës dhe kontributit në bilancin e jashtëm të tregtisë në vendet e Mesdheut). Pa turizmin, shumë vende të Mesdheut do të ishin të detyruara të zvogëlonin importin e mallrave dhe shërbimeve në mënyrë drastike, për të rivendosur ekuilibrin e tyre tregtar (për shembull, në Shqipëri dhe Malin e Zi, turizmi përfaqëson më shumë se 50% të eksporteve).

Tre investime strategjike në turizëm, në start

Vila dykatëshe, në Draleo-Bashkia e Himarës, me vlerë investimi 51.5 mln euro; kompleksi turistik dhe zonë rezidenciale në Velipojë (35 mln euro); kompleksi turistik rekreativ i standardeve të larta në Hamallaj (26 mln euro), janë projektet strategjike që po shqyrtohen nga Ministria e Ekonomisë për sektorin e turizmit.

Pas miratimit të ligjit për investimet strategjike ka filluar interesimi nga investitorët për realizimin e projekteve të mëdha në vend.

“Janë 2 investime strategjike që e kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë në proces vlerësimi”.

Burime nga Këshilli i Investimeve, një platformë e ngritur një vit më parë nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat dhe që ka qenë mjaft aktive në përpjekjet për përmirësimin e klimës së investimeve në vend, kanë pohuar se bëhet fjalë për tre investime në turizëm dhe një në bujqësi.

Investimi më i madh është ai i një resorti turistik elitar me vila dykatëshe, në Draleo-Bashkia e Himarës, me vlerë investimi 51.5 mln euro dhe që pritet të punësojë rreth 500 veta.

Investimi i dytë më i madh është sërish në turizëm dhe planifikon ngritjen e një kompleksi turistik dhe zonë rezidenciale në Velipojë, me vlerë 35 milionë euro dhe që planifikohet të hapë 256 vende pune.

I treti, po në turizëm është në Hamallaj (Gjiri i Lalëzit) dhe planifikon krijimin e një kompleksi turistik rekreativ të standardeve të larta në Hamallaj, me vlerë 26 milionë euro.

Pak muaj më parë u miratua një legjislacion për investimet strategjike, i përbërë nga ligji për investimet strategjike, si dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave të miratuara, të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.

Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nënsektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.

Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët/nënsektorët e sipërpërmendur, si strategjik janë dy. Konkretisht, interesi publik që bart një investim, si dhe kriteri financiar.

Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet, ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen e konkurrencës dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.

Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se 50 (pesëdhjetë) milionë euro.

Perspektiva me rritje

Sipas vlerësimeve të Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) për vitin 2015, kontributi direkt u llogarit në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (87.6 mld lekë). Për vitin 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me rreth 6%, duke arritur në rreth 92.6 miliardë lekë. Sipas raportit, kjo përfaqëson aktivitetin e gjeneruar nga degët e ndryshme të industrisë, si hotelet, agjencitë e udhëtimeve, shërbimet e transportit të pasagjerëve, ato të restoranteve, të argëtimit etj. Parashikohet që ndikimi direkt i kësaj industrie në PBB të rritet me rreth 5.4% deri në vitin 2026, duke e çuar peshën totale në rreth 8%.

Ndërsa sa i përket kontributit total të industrisë ndaj PBB-së për vitin 2015, kjo shifër arriti në 306.2 miliardë lekë (21.1% e PBB-së). Për këtë vit, parashikohet që ky kontribut të rritet me afërsisht 5.4%, ndërsa deri në 2026-n, me rreth 5.3% për të arritur në 27.2% e PBB-së.

Sa i përket punësimit, raporti i WTTC-së llogariti që kontributi direkt ishte 51,000 vende pune (5.5% e totalit të punësimit). Kjo shifër parashikohet të rritet me 3.4% në vitin 2016 dhe me rreth 4% (77,000) deri në vitin 2026.

Në total, kontributi i industrisë u llogarit në 19.3% (180,000 vende pune). Gjatë vitit 2016, kjo shifër parashikohet të rritet me 3.1% (185,500 vende pune) dhe me rreth 3.6% deri në vitin 2026.

Gjatë vitit të kaluar, eksporti i turistëve gjeneroi 204.2 miliardë lekë ose 33.5% e totalit të eksporteve./Monitor/a.m.

Next Post

Veliaj inspekton punimet për "Rrugën e Kosovarëve: Mbajmë premtimin që dhamë para 1 viti

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Eric Trump bëhet 10 herë më i pasur që nga zgjedhja e babait të tij si president i SHBA-ve

Eric Trump bëhet 10 herë më i pasur që nga zgjedhja e babait të tij si president i SHBA-ve

December 5, 2025
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, AAK nominon Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, AAK nominon Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër

December 5, 2025
“Shqipëria Madhështore”, PD regjistron koalicionin me 25 parti të tjera, grekët e çamët bëhen bashkë te Berisha

Jo vetëm demokratët, Berisha tall edhe aleatët

December 5, 2025
Përgjysmohen kërkesat për azil në Gjermani, ligji i shtetësisë do të ashpërsohet

Përgjysmohen kërkesat për azil në Gjermani, ligji i shtetësisë do të ashpërsohet

December 5, 2025
PD mes ristrukturimit dhe rrjeshtimit

PD mes ristrukturimit dhe rrjeshtimit

December 5, 2025
Vendosen grupet e Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë rivalët nëse kualifikohen

Vendosen grupet e Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë rivalët nëse kualifikohen

December 5, 2025
Të gjithë sytë nga Kupa e Botës…, apo nga Heidi Klum?! 52-vjeçarja që s’njeh plakjen!

Të gjithë sytë nga Kupa e Botës…, apo nga Heidi Klum?! 52-vjeçarja që s’njeh plakjen!

December 5, 2025
Vrasja e 15-vjeçarit, reagon Spitali i Durrësit: Nuk kanë ikur dritat kur është operuar

Vrasja e 15-vjeçarit, reagon Spitali i Durrësit: Nuk kanë ikur dritat kur është operuar

December 5, 2025
“Civilizimi europian drejt zhdukjes”, SHBA publikon doktrinën e strategjisë kombëtare

“Civilizimi europian drejt zhdukjes”, SHBA publikon doktrinën e strategjisë kombëtare

December 5, 2025
Shqipërisë i mungon e djathta

Çfarë t’i shkundësh PD, Berisha e thau, e la ‘pemë pa kokrra’!

December 5, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In