Berisha e Basha, deri dje “një trup”, babë e bir në politikë, janë shndërruar sakaq, krejt paimagjinueshëm, në hasëm të njëri-tjetrit.
Dhë në sfond të kësaj beteje, dalin në pah atë ç’është njëri apo tjetri, në artikulimet e të dyve.
Është ky rasti për t’i bërë secilit një portret në funksion të kësaj përballje, mbi ato se ku bashkohen e ku diferencohen.
Statusi social
Berisha, preardhja fshatare, me mungesë të theksuar infoje mbi karakteristika të veçanta fisnore ose tradite
Basha, preardhje qytetare, por po ashtu pa info mbi karakteristike të veçanta familjare apo fisnore. Potencon heraherës të qënit nip Kosove.
Profesioni
Berisha, një mjek me emër, një ikonë e kardiologjisë shqiptare nën komunizëm. Madje ky status ka qenë dhe tërheqja apo imponimi më i fortë i tij në raport me publikun në çastin e përfshirjes në politikë.
Basha, jurist me një karrierë në institucionet ndërkombëtare të pasluftës në Kosovë, por kurrë ezarues çështjesh juridike në politikë, si tregues i përgatitjes së tij në këtë lëmë. Ndaj, nuk duket ende se sa i aftë është në atë për të cilën është shkolluar.
Kultura individuale
Berishës i potencohet fakti i të qënit një lexues i zellshëm librash, madje dhe njohës i letërsisë, por që, referuar fjalorit të tij gjithsesi të varfër, reflektues madje i një niveli të rëndomtë kulturor, kjo duket se ngjan më tepër me një mit. Ose ose, nëse ka qenë ose ështët vërtet lexues i zellshëm, kjo nuk i reflektohet në një personalitet tërheqës kulturor.
Basha, edhe më dramatik në këtë pikë. Niveli i tij kulturor është tejet i padenjë në raport me pretendimin politik për të qeverisur. Pos ligjërimit të varfër politik, skematik dhe i mërzitshëm, jashtë tij ende s’ka ofruar diçka kulturore tërheqëse në personalitet. Që do të thotë se e kë tërësisht bosh këtë pjesë.
Ligjërimi
Është pikërisht ky, i varfër te të dy, pa pikën e elegancës, ku pikëbashkohen, edhe pse me pak diferencë. Diferenca konsiston te një lloj egërshanie të Berishës, të cilën Basha s’e ka, por që në mungesë të një identiteti të veçantë edhe ligjërimor, nën trysninë e Berishës, ka adoptuar shumë prej këtij të fundit, në mos në tonalitet, patjetër në frymë.
Temparamenti
Në këtë pikë janë të pakrahasueshëm. Berisha, për energjinë e tij, ka marrë vlerësime dhe nga Rama, ndërsa te Basha, mungesa e një energjie njerëzore, të cilën një politikan ambicioz duhet ta ketë, është shndërruar në anekdotë te kundërshtari politik klasik, PS-ja.
E kaluara
Dihet që e kaluar e Berishës ka qenë komuniste, e Bashës jo, ama jo për meritë të këtij të fundit. Kjo, për shkak të diferencës moshore mes të dyve. Basha është fëmija i Berishës në moshë.
Dhe, nëse Berisha pra ka xanxën e një ish-komunisti, gjë të cilën po shfrytëzon dhe Basha këto kohë beteje me të, e kaluara parapolitike e Bashës është gati anonime, veç faktit se ka qenë kamarier në Rinas vitet e para ’90, apo se në ato vite, ka qenë dhe komisioner i PD-së. Kur ai u shfaq në 2005-ën në jetën politike, si pjesë e KOP-it, askush s’kishte dëgjuar më parë për të.
Cilësitë politike
Diferencojnë në energji, por pikëbashkohen në mungesë urtësie. Asnjëri nuk dallon për inteligjencë të spikatur politike. Berisha, çfarë ka fituar deri më tani, e ka nga energjia dhe jo inteligjenca.
Tjetër e përbashkët mes tyre në politikë, është mungesa e mendimit politik. Asnjëri nuk është dalluar për mendim politik origjinal dhe të spikatur, gjë që reflektohet te një ndër handikapet e rënda të PD-së: mungesa e një mendimi politik, veç atij për të qenë kundër PS-së si “rregull loje”.(Tesheshi)