Giuseppe Conte (Xhuzepe Konte) është emri i mundshëm i kryeministrit të ri të Italisë.
Një avokat i të drejtës private në Unniversitetin e Firenze-s, me përvoja ndërkombëtare në universitetet më me emër, që nga Yale, Cambridge dhe Sorbona, që vjen nga Lëvizja 5 Yjet.
Para afrimit me këtë të fundit, Conte ka gëzuar simpatinë e ish-kryeministrit Mateo Renzi.
Madje, disa ditë më parë, kur emri i tij u përmend për herë të parë si kandidat i mundshëm, Renzi e shigjetoi me një batutë: Lëvizja 5 Yjet dashka të bëjë kryeministër mikun e Maria Elena Boschi-t?
Para votimit, lideri i Lëvizjes 5 Yjet e ka prezantuar si ministër të mundshëm të Administratës Publike.
I lindur në Foggia, në vitin 1964, Conte është diplomuar në drejtësi në universitetin “La Sapienza” me nota maksimale.
Ai ka qenë anëtar i disa fondacioneve dhe agjencive shtetërore.
Në vitin 2013, me vendim Parlamenti është zgjedhur anëtar i Këshillit të Presidencës së Drejtësisë Administrative.
Në atë rast bëri bujë CV-ja e tij me 18 faqe.
Emri i Conte-s që vjen nga radhët e Lëvizjes 5 Yjet, pasi ka gjetur dakordësinë me Lega-n, aleate në qeverisje, do t’i paraqitet presidentit Sergio Mattarella./a.m.