• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 15, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Procedura nuk është Kushtetutë

by Baton Haxhiu
13/12/2025 10:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Baton Haxhiu

Tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, në pakicë, kanë dhënë një arsyetim të detajuar kundër rikthimit në detyrë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Arsyetimi i tyre ishte i ndërtuar me kujdes procedural, duke konstatuar se nuk ka pasoja të pariparueshme, Qeveria është organ kolegjial, vendimi penal është ende në apel, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndërhyjë në procesin gjyqësor, dhe një precedent i tillë nuk ka ekzistuar më parë.

Para se të shkruaja këtë tekst, fola me dy miq që e njohin mirë të drejtën kushtetuese dhe praktikën e ndarjes së pushteteve.

Jo vetëm për të kërkuar ndihmë, por për të kuptuar nëse arsyetimi i pakicës në Gjykatën Kushtetuese qëndron juridikisht, apo thjesht tingëllon i tillë.

Të dy, me kujdes dhe pa emocione, më çuan te i njëjti përfundim, se argumentet e tyre janë të ndërtuara mirë në procedurë, por të paargumentuara mire dhe të paqëndurueshme në Kushtetutë.

Në pamje të parë, thuhet se ky është një arsyetim i rregullt, i pastër dhe teknikisht korrekt. Por drejtësia kushtetuese nuk ekziston për të mbrojtur rregullsinë procedurale. Ajo ekziston për të mbrojtur ekuilibrin e pushteteve. Dhe pikërisht këtu qëndron dobësia themelore e pakicës.

Gabimi i parë dhe më i rëndë i këtij arsyetimi është se e redukton pezullimin e një ministri në një masë individuale, sikur të bëhej fjalë për një zyrtar administrativ. Por zëvendëskryeministri dhe ministri nuk janë individë privatë. Ata janë organe kushtetuese funksionale.

Në rendin kushtetues, nuk pezullohet një person, por cenohet një funksion. Dhe kur një funksion qeveritar hiqet përkohësisht nga qarkullimi me vendim penal, prodhohet efekt i drejtpërdrejtë politik dhe kushtetues. Këtë pakica e gjyqtarëve në Kushtetuese refuzon ta pranojë.

Pastaj, argumenti se Qeveria është organ kolegjial dhe nuk paralizohet nga mungesa e një anëtari është argumentim formal, por i varfër kushtetues. Qeveria nuk është thjesht aritmetikë votash. Ajo është një arkitekturë politike e ndërtuar mbi besimin parlamentar.

Heqja e një figure kyçe ndryshon ekuilibrin real të ekzekutivit, edhe nëse mbeten votat numerike. Paralizimi nuk matet vetëm me funksionimin teknik, por me cenimin e mandatit politik që i është dhënë nga Kuvendi.

Pakica kërkon prova për pasoja të pariparueshme, por kërkon prova të gabuara. Pasojat kushtetuese nuk maten me dëme materiale apo me afate urgjence. Ato maten me efekte politike që nuk zhbëhen dot.

Një ministër i pezulluar humbet autoritetin, legjitimitetin dhe funksionin publik, edhe nëse më vonë shpallet i pafajshëm. Ky dëm nuk riparohet. Dhe pikërisht kjo e bën masën kushtetuetshmërisht të ndjeshme.

Më problematikja në arsyetimin e pakicës është përmbysja e rolit të Gjykatës Kushtetuese. Ata argumentojnë se ndërhyrja e saj do të ishte ndërhyrje në gjyqësor. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Gjykata Kushtetuese nuk është instancë mbi gjykatat, por garante e kufijve të pushteteve.

Kur një vendim penal prodhon efekt të drejtpërdrejtë mbi përbërjen dhe funksionimin e ekzekutivit, mosndërhyrja e Kushtetueses nuk është neutralitet – është abdikim.

Argumenti i precedentit është po aq i dobët. Historia kushtetuese është ndërtuar pikërisht mbi vendime që “nuk kanë ndodhur kurrë më parë”. SPAK është institucion i ri, me fuqi të reja dhe ndikim real politik. Të pretendosh se Kushtetuta nuk duhet të reagojë sepse nuk ka precedent, do të thotë ta ngrish rendin kushtetues përballë një realiteti të ri institucional.

Në thelb, pakica e Gjykatës Kushtetuese ka ndërtuar një mbrojtje të procedurës, por ka lënë të pambrojtur Kushtetutën. Ka mbrojtur rrugën penale, por ka injoruar efektin politik. Ka lexuar ligjin, por ka harruar arkitekturën e pushtetit.

Dhe pikërisht për këtë arsye, arsyetimi i tyre nuk mjafton. Sepse drejtësia kushtetuese nuk pyet vetëm nëse një vendim është i rregullt, por nëse ai është i rrezikshëm për balancën e pushteteve.

Dhe kur një pushtet, sado legjitim, fillon të ndryshojë përbërjen e një tjetri pa mandat politik, atëherë nuk kemi më thjesht procedurë. Kemi problem kushtetues.

Në këtë pikë, Gjykata Kushtetuese nuk kishte luksin të heshtë. Dhe kush e sheh këtë ndërhyrje si cenim të drejtësisë, po ngatërron disiplinën procedurale me përgjegjësinë kushtetuese.

Ky lexim nuk është rezultat i një reagimi të nxituar dhe gazetar, por i një bisede të qetë me dy juristë që e njohin mirë Kushtetutën dhe kufijtë e saj.

Konkluzioni i tyre ishte i thjeshtë dhe i matur me konstatim të qartë se kur procedura mbrohet pa parë pasojën kushtetuese, rreziku nuk është vendimi, por precedenti që ai krijon.

Next Post
Goditet “çerdhja” e prostitucionit të kinezeve në Durrës, 2 në kërkim dhe 7 të proceduar

Apartamenti me qira përdorej për prostitucion, arrestohen dy kolumbiane në Durrës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In