Djali i ish-kryeministrit Berisha dhe gazetari Carlo Bollino kanë shkëmbyer sot replika me njër-tjetrin përmes disa shkrimeve publike.
Shkak është bërë një lajm i publikuar në Shqiptarja.com sipas së cilit pritet procedimi penal ndaj Shkëlzen Berishës për mospagim taksash. Mëposhte replikat Berisha-Bollino.
Shkrimi i Shkëlzen Berishës: Një sqarim i shkurtër për gazetarin Carlo Bollino
Zoti Bolino ndonese nuk e kuptoj reagimin tuaj per padine time ndaj Shqiptarja.com, pasi ju nuk figuroni askund as si kryeredaktor, as si drejtor dhe as si pronar i kesaj gazete/portali po perpiqem t’ju kthej nje pergjigje te shkurter sqaruese per shqetesimin tuaj ndaj “kolegeve”.
Në datë 18 shkurt 2017, në gazetën e përditshme Shqiptarja.com (si dhe në portalin përkatës online), në faqen 4 është botuar shkrimi “S’pagoi taksa për katër vite, Shkëlzen Berisha drejt procedimit penal. Djali i Sali Berishës me qindra mijëra euro, nuk pagoi asnjë taksë, mbylli biznesin kur babai iku nga pushteti”.
Permes nje korrespondence ligjore i kam kerkuar gazetes/portalit ne fjale te me vinte ne dispozicion dokumentin qe pretendon se ka marre nga i ngjashmi juaj Taulant Balla, e ku ka bazuar shpifjet sipas te cilave une nuk kam paguar asnje takse per vite me radhe pavaresisht te ardhurave.
Kerkesen ndaj jush e kam drejtuar me prezumimin se ju dhe koleget tuaj nuk jeni burimi i shpifjes dhe me deshiren per te vazhduar procesin ligjor jo ndaj gazetareve, por ndaj burimit te dokumentit ne fjale. Ne kerkesen time per te administruar kete shkrese ju kam paralajmeruar se nese nuk dorezoni dokumentin do detyrohem t’ju konsideroj si burim i shpifjes.
Per t’ju bindur per sa me lart po ju njoftoj se te njejten kerkese e kam depozituar edhe ndaj Komisionit te drejtuar nga i denuari per shpifje por nuk kam marre asnje pergjigje.
Ju dhe koleget tuaj njelloj si Balla, zgjodhet te injoroni kerkesen time, por nuk do te mund te injoroni detyrimin ligjor per ta sjelle kete dokument para gjykates. Nese ju sillni nje shkrese zyrtare nga tatimet ku thuhet se une nuk kam paguar taksat, atehere edhe pse serisht e pavertete une do ta terhiqja padine ndaj kolegeve tuaj dhe do ta drejtoja ate ndaj Drejtorise se Tatimeve.
Ne te kundert nese ju nuk dispononi asnje dokument te tille, njeriu qe abuzon, shkel, neperkemb dhe ekspozon ndaj ligjit gazetaret jo si koleg por si “kumbar” jeni ju dhe jo une.
Ne nje rast te tille ju sugjeroj te vini vete para gjykates dhe te merrni pergjegjesine qe ju takon per nje shpifje qe nuk e kane fabrikuar gazetaret por interesat tuaja.
Nese nuk keni genjyer dhe shpifur, nuk keni asnje aresye te shqetesoheni per kete proces sepse nuk do ju duhet te beni asgje me shume se sa te provoni fjalet tuaja per aq vlere e peshe sa ato kane.
Se fundmi ne morine e shpifjeve qe keni hedhur ndaj meje nder vite (e per te cilat nuk ju kam paditur kurre per aq kohe sa PD ka qene ne pushtet) gjeja qe me habit me shume eshte se i justifikoni ato me aktivitetin politik te babait tim si dhe me “shpifje” te supozuara qe ai ka “hedhur” ndaj te tjereve.
Me vjen keq por nese kjo ju duket aresye apo justifikim atehere mentaliteti juaj me shume se me te gazetarit ngjason me te mafiozit dhe ne nje rast te tille sigurisht qe keni aresye te shqetesoheni per cdo proces ligjor.
P.S
Bashkangjitur gjeni dy shkresat qe i jane drejtuar komisionit dhe “kolegut” tuaj z Kondi ku i kerkohet venia ne dispozicion e dokumentit mbi te cilin eshte bazuar shpifja.


Carlo Bollino: Një sqarim i shkurtër për Shkëlzen Berishën
Zoti Shkëlzen Berisha,
Ndryshe nga shumë media online që janë haptazi pranë jush (si psh Syri.net, i cili sot menjëherë publikoi reagimin tuaj kundër meje ne Facebook, pa publikuar asnjëherë analizën time për ju), Shqiptarja.com është një shoqëri e regjistruar në mënyrë të rregullt në QKB, Drejtorinë e Tatimeve dhe atë të Sigurimeve Shoqërore dhe paguan taksa e sigurime shoqërore që nga dita e parë e themelimit të saj. Sikurse mund ta verifikoni lehtësisht, gruaja ime, Alba Malltezi, është një nga pronarët dhe kjo ju shpjegon, pa asnjë mister, arsyen e interesimit tim. Arsyeja e dytë e reagimit tim është se, ndryshe nga zëdhënësit tuaj, unë punoj si gazetar prej 35 vitesh dhe gjithnjë në karrierën time (e cila nuk ka filluar në Shqipëri) kam luftuar arrogancën e pushtetit dhe jam ndeshur me kërcënimet me censurë e arrestime ndaj kolegëve, nga cilado anë të vinin ato. Ju kërkoni arrestimin e pesë kolegëve të mi, gjë që nuk ndodhte qysh nga koha kur babai tuaj urdhëronte arrestimin e gazetarëve të “Koha Jonë” dhe kur unë dëbohesha nga vendi nga babai tuaj si “persona non grata”, dhe besoni se sot do të rrija në heshtje?
Citova babain tuaj në analizën time, pasi keni qenë ju ai që e ka përmendur atë në padinë penale kunder 5 gazetare te Shqiptraja.com, duke përdorur pikërisht emrin dhe rolin e babait tuaj si një rrethanë rënduese për shpifjen e pretenduar. Kur të paraqiteni para trupit gjykues pa përdorur babain si mburojë, nuk do ta jem unë ai që do ta përmend.
E kuptoj sikletin tuaj tani, kur duhet të justifikoni kërkesën e arrestimit të pesë gazetarëve të Shqiptarja.com për “shpifje”, duke patur parasysh se përfaqësoni një parti, e cila e ka bërë si flamur të vetin (fals) lirinë e shtypit, ndërkohë që babai tuaj, prej të paktën 20 vitesh, e përdor shpifjen pa pikë turpi për të trembur gazetarët. Dhe e kuptoj sikletin tuaj kur akuzoni pesë gazetarët e Shqiptarja.com se “nuk i kanë provat për akuzat e tyre”, ndërkohë që babai juaj, jo vetëm që nuk ka sjellë ndonjëherë ndonjë provë të vetme për akuzat e tij kundër gazetarëve, por përdor si dëshmitar të shpifjeve të veta një anonim, të quajtur “qytetari dixhital”, të cilit i ve në gojë gjithshka që i duhet për të hedhur baltë dhe për të kërcënuar mijëra vetë.
Pavarësisht nga ky ‘background’ familjar, që duhej t’ju bënte më të kujdesshëm kur përdorni fjalën “e vërteta”, duhet t’ju them se gazetarët eShqiptarja.com nuk kanë gënjyer kurrë dhe as kanë prodhuar në mënyrë artificiale asnjë shpifje, as kundër jush. Kanë botuar vetëm një dokument, të administruar nga ana e Komisionit parlamentar Hetimor mbi skandalin e CEZ-it, që iu është vënë në dispozicion, pa patur nevojë të ngrinit asnjë padi. Por edhe për këtë ju gënjeni.
Në fakt, më datë 27 mars 2017, avokati tuaj Besnik Çerekja ka marrë me postë nga Shqiptarja.com kopjen e dokumentit-provë, sikurse e ka kërkuar, ndërkohë, megjithatë, padia kundër pesë gazetarëve tëShqiptarja.com u regjistrua në Gjykatë në prill 2017.
Përse e keni fshehur në përgjigjen tuaj sot këtë detaj themelor? Pse, pikërisht ashtu siç bën edhe babai tuaj, për të afirmuar arsyet tuaja, detyroheni të gënjeni?
Në realitet, veprimi juaj ka qenë një veprim politik i paramenduar: keni nënshkruar një prokurë për avokatin për të ngritur padi me kërkesë për arrestim, më datë 26 janar 2017, shumë kohë para se të dilnin artikujt që vini në diskutim, të cilët u botuan më 17 dhe 18 shkurt. Pra, e kishit dhënë urdhërin për të na goditur, po prisnit vetëm rastin.
Duhet të jetë edhe kjo një mani familjare: edhe ju përdorni epitete ndaj njerëzve të ndryshëm pa treguar as respektin minimal, ose pa kuptuar aspak kuptimin e tyre të vërtetë. Kështu, e mbyllni letrën tuaj duke afirmuar se “mentaliteti juaj, më shumë se me të gazetarit, ngjason me të mafiozit”. Po bëhen pikërisht 20 vjet që edhe babai juaj më përkufizon si “mafioz”, si “të lidhur me Sacra Corona Unita-n” dhe të tjera shpifje të këtij lloji. Për këtë, tre muaj më parë, unë kam ngritur një padi për shpifje ndaj babait tuaj: kam hapur një proces civil dhe nuk kam kërkuar arrest, siç po bëni ju me pesë kolegët e mi. Dëshiroj thjesht që, pas 20 vjetësh, të jetë një gjykatë shqiptare ajo që të vendosë qe babai juaj gënjen. Por, në mënyrë kurioze, procesi vazhdon të hiqet zvarrë, sepse babai juaj bën çmos për të mos u paraqitur në gjyq dhe kërkon shtyrje pas shtyrjesh, për arsyen e thjeshtë se nuk ka asnjë provë që ta nxjerrë për të provuar akuzat e tij. Nuk është çudi fakti që ju i injoroni provat të cilat ua kemi vënë në dispozicion, ndërkohë që babai juaj nuk ka asnjë të vetme për të na i treguar? Kështu që pyes veten a mos vallë ju kërkoni arrestimin e kolegëve të mi pikërisht për t’u hakmarrë ndaj asaj padie kundër babait tuaj? Dhe, ndoshta, sjellja prej mafiozi të vertetë është pikërisht ajo juaja?
PS – Bashkangjitur gjeni letrën dërguar avokatit tuaj, ku konfirmohet dërgimi i dokumentit të kërkuar, si dhe mandati i postës që konfirmon dërgimin e saj


Carlo Bollino: Shkëlzeni kërkon burg për 5 gazetarë të Shqiptarja.com
Shkëlzen Sali Berisha i kërkon Gjykatës së Tiranës të burgosë pesë gazetarë të Shqiptarja.com, të cilët, sipas tij, janë fajtorë se kanë publikuar një lajm të rremë.
I biri i Mbretit të Shpifjes, që e ka ngritur karrierën politike, të tij dhe të familjes së tij, mbi ofendimet personale, shpifjet familjare, sajimet më groteske pa paraqitur asnjëherë qoftë edhe një provë të vetme, ka ngritur një padi penale në Gjykatë kundër pesë gazetarëve të Shqiptarja.com: Genc Kondi, Aurel Pepa, Daniela Bonollari, l.q dhe B.K, të përmendur vetëm me iniciale, duke kërkuar zbatimin e Nenit 120 të Kodit Penal dhe duke evidentuar në padi që ky nen parashikon dënim deri me dy vite burgim.
“Faji” i gazetarëve është se kanë botuar një dokument që është bërë publik nga Komisioni Hetimor parlamentar për skandalin e CEZ-it dhe sipas të cilit Shkëlzen Sali Berisha, në vitet kur babai i tij ishte në pushtet, nuk kishte paguar të gjitha taksat që duhej të paguante. Shkëlzen Berisha, në vend që të denoncojë Komisionin (para të cilit refuzoi edhe të dëshmonte dhe ku mund të kishte sqaruar edhe këtë aspekt të akuzave) hakmerret kundër gazetarëve të pavarur që patën kurajon të botonin dokumentat, për të cilat ai nuk deshi të japë asnjë shpjegim. Po të kishte folur përpara Komisionit, Shqiptarja.com do të kishte publikuar me siguri, siç ka bërë gjithnjë me profesionalizëm dhe korrektesë, edhe versionin e fakteve sipas tij.
Por, në të vërtetë, pas kërkesës për të çuar në burg pesë gazetarë të Shqiptarja.com fshihet një akt i hapur presioni politik ndaj një media të pavarur, në një çast jetik për veprimtarinë politike të Partisë Demokratike, sikurse e pranon këtë vetë djali i ish-kryeministrit në tekstin e padisë së tij. “Siç edhe dihet botërisht – lexohet në padi – i dëmtuari akuzues është djali i ish Kryeministrit Z. SALI BERISHA, një figurë e rëndësishme për mbarë politikën e vendit në këto 25 vite dhe gjithashtu një zë i pazëvendësueshëm i opozitës së sotme shqiptare. Duke shpifur botërisht ndaj djalit, natyrisht që cenohet edhe figura e ish Kryeministrit Berisha, në dëm kjo edhe të opozitës së sotme parlamentare, në një moment kohor që përkon me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”.
Të kërcënosh me burg pesë gazetarë të pavarur është, kështu, metoda që shpik familja Berisha për t’i mbyllur gojën shtypit që nuk e kontrollon, me qëllim që të mos shqetësojë veprimet politike të doktorit dhe të Partisë Demokratike.
Kjo padi e ngritur nga Shkëlzen Sali Berisha në të vërtetë përmban një gafë, edhe më të pabesueshme pikërisht nga fakti se vjen nga djali i ish-kryeministrit, që ka në dispozicion disa nga avokatët dhe profesorët universitarë më të zotë të vendit. Një gafë, të cilën ne, në realitet, e interpretojmë si një lapsus frojdian.
I shtyrë nga dëshira e dëshpëruar për të çuar në burg gazetarët e Shqiptarja.com, në të vërtetë Shkëlzeni citon në padinë e tij versionin e nenit 120 të Kodit Penal të miratuar nga babai i tij në vitin 1995, që parashikon pikërisht dy vjet burg për gazetarët, duke harruar se në vitin 2012 ky nen u modifikua dhe kështu që sot burgimi për atë vepër nuk parashikohet më.
Pavaresisht nga lumi i baltës që çdo ditë rrjedh në botën shqiptare të informacionit (në mediat e shkruara dhe ato elektronike) shpesh i ushqyer pikërisht nga akuzat e shpikura nga Sali Berisha dhe nga mediat e financuara në të zezë nga i biri, është e para herë që një eksponent politik kërkon burg për pesë gazetarë.
Qeveria shpesh ka sulmuar mediat gojarisht duke i përcaktuar si “këneta mediatike”, por nuk ka ndërmarrë asnjëherë asnjë veprim juridik konkret ndaj ndonjë gazetari dhe ndonjë botuesi edhe kur janë akuzuar për publikim të “fake news”. Sali Berisha ka arritur të marrë anën e shpifjeve duke i mbrojtur dhe duke i cilësuar si pjesë të lirisë së shtypit dhe të së drejtës së informimit. Një qendrim ekstrem, që i ka mundësuar Berishës dhe mediave të tij të vazhdojnë të fyejnë dhe njollosin për vite të tëra, jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe gazetarë e qytetërë të thjeshtë, duke i akuzuar për krime të çdo lloji, pa e ndjerë kurrë detyrimin për t’i dokumentuar akuza të tilla.
Por paprimtas familja Berisha zbulon tani se liria e shtypit ka një kufi dhe se gazetarët që publikojnë kritika kundër tyre duhet të shkojnë në burg.
Burimi i përdorur këto tre vitet e fundit për shpifje nga opozita ka qenë “qytetari dixhital”, një shpikje e Berishës që zëvendëson letrat e dikurshme anonime të Sigurimit, me të cilën, nëpërmjet Facebook-ut, çdo ditë përdor burime anonime dhe të paverifikuara për të shpifur kundër kujt t’i dalë përpara. Gjithnjë pa asnjë provë.
Po ja çfarë shkruan lidhur me këtë temë Shkëlzen Sali Berisha në padinë e tij kundër pesë gazetarëve të Shqiptarja.com: “Në rastin kur kryhet një botim kundër një personi dhe ku pretendohet se po i servir publikut një të vërtetë, ke njëkohësisht edhe detyrimin që të provosh bazën faktike të këtyre shkrimeve”. Po përse i njejti parim qytetarie nuk vlen për familjen Berisha dhe mediat e veta?
Por groteskja nuk mbaron këtu. Në fakt, Shkëlzeni shpjegon edhe pse liria e shtypit, të cilën e shpalos i ati si flamur i Partisë Demokratike, nuk mund të përdoret në realitet kundër familjes së tij. “Nëse nga njera anë nenet 22 dhe 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garantojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit, nga ana tjetër neni 3 i Kushtetutës sanksionon ndër të tjera se ‘… dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore … janë bazat e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë’. (…) Nga përmbajtja dhe interpretimi i dispozitave të mësipërme, parimisht nxjerrim konkluzionin se liria e shprehjes dhe e informimit është e garantuar dhe e mbrojtur nga ligji për këdo, por kjo liri mund t’u nënshtrohet kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj në rastet kur (veç të tjerash) prek moralin, nderin, dinjitetin dhe të drejtat e të tjerëve. Parashikimi në Kodin Penal i veprës penale të shpifjes dhe sanksionet e parashikuara, janë pikërisht masat që me ligj janë marrë për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit të personit”.
Pyetja është e thjeshtë: Pse familja Berisha dhe mediat e tyre, kur shkruajnë dhe shpifin kundër të tjerëve, nuk duhet t’i respektojnë këto rregulla, që tani i përdorin në mbrojtje të tyre? Nëse Shkëlzen Sali Berisha ka kërkuar burg për pesë gazetarë, fajtorë se kanë publikuar një artikull që, vëtëm sipas tij, përmban një shpifje, tani duhet të presë që mijëra qytetarë duke përdorur të njejtat argumenta të tij, të kërkojnë burg për të dhe për babain e tij, të cilët prej vitesh përdorin sistematikisht shpifjet “për përfitime ekonomike, kredo politike – apo çfarëdolloj interesi tjetër – nëpërmjet denigrimit e njollosjes së nderit dhe reputacionit të të dëmtuarit akuzues”. Këto të fundit janë fjalë të shkëputura tekstualisht nga padia e nënshkruar nga Shkëlzeni kundër nesh, por që, në realitet, i përshtatet politikës së shpifjeve, që ndjekin prej vitesh Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij.
Natyrisht, gazetarët e Shqiptarja.com nuk kanë sajuar asnjë shpifje sipas metodës “Berisha”. Në të kundërt, kanë botuar një dokument, që është administruar nga një komision hetimor parlamentar dhe të cilin vetë ky komision ia ka dorëzuar, bashkë me gjithë dosjen, Prokurorisë së Përgjithshme, që duhet të bëjë hetimet e saj. Gazetarët e Shqiptarja.com do të mbrohen në Gjykatë për t’i treguar Shkëlzen Sali Berishës besueshmërinë dhe seriozitetin profesional me të cilin kanë punuar.
Kush e di nëse Shkëlzen Berisha, babai i tij dhe gazetarët e tyre do të dinë të bëjnë të njejtën gjë kur të çohen në gjyq për shpifjet e tyre, që ia paraqesin opinionit publik si “opinione politike” dhe “liri të shprehjes”.
– See more at: http://shqiptarja.com/home/1/shk-lzeni-sqarim-i-shkurt-r-p-r-bollinongazetaridhe-un–1-p-r-ty-415470.html#sthash.NZPCcjdT.dpuf











