• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, October 27, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Problemi i Ramës është i madh, problemi i kundërshtarëve të tij edhe më i madh

by Berat Buzhala
27/10/2026 07:57
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Berat Buzhala

(Pjesë nga një debat në emisionin Zonë e Lirë, të Arian Çani)

Në Serbi u deshën dy vjet për ta kthyer revoltën në një alternativë politike. Në Shqipëri po kërkohet rrëzimi i qeverisë brenda natës, pa u ditur kush dhe çfarë vjen pas saj. Problemi i Ramës është i madh. Problemi i kundërshtarëve të tij është edhe më i madh.

Në Shqipëri, këto ditë, pothuajse të gjithë po e krahasojnë Edi Ramën me Aleksandër Vuçiqin. E kjo është krejt në rregull. Të dy kanë qëndruar gjatë në pushtet, të dy kanë ndërtuar sisteme të fuqishme politike dhe të dy, në një masë a në tjetrën, e kanë shfrytëzuar pushtetin për t’i dobësuar kundërshtarët e tyre.

Mirëpo, unë kam një pyetje tjetër.

Pse kundërshtarët e Edi Ramës nuk po e krahasojnë veten me kundërshtarët e Aleksandër Vuçiqit? Pse nuk po i krahasojnë protestat në Shqipëri me protestat në Serbi? Pse nuk po e krahasojnë Sali Berishën me mënyrën se si është sjellë opozita serbe ndaj studentëve?

Sepse aty është përgjigjja se pse Vuçiqi ra, e Rama ende jo.

Mbrëmë, në një debat me Arian Çanin, në emisionin e tij Zonë e Lirë, kjo ishte çështja për të cilën u përpoqëm të flisnim. Çani më pyeste nëse Edi Rama është frikësuar nga humbja e Vuçiqit. Unë besoj se po. Nuk besoj se është mërzitur shumë për fatin personal të Vuçiqit, por nuk kam dyshim se e ka menduar edhe fatin e vet.

Kur pushtetarët që konsiderohen të pathyeshëm fillojnë t’i humbin zgjedhjet, pushtetarët e tjerë fillojnë ta shikojnë me njëfarë dyshimi pasqyrën.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Të dielën, Lista e Studentëve në Serbi fitoi mbi 52 për qind të votave dhe, sipas rezultateve preliminare, siguroi 140 prej 250 vendeve në parlament. Një lëvizje politike që nuk ekzistonte në këtë formë para dy vjetësh, e mundi një organizatë politike që e kishte kontrolluar shtetin për më shumë se një dekadë.

Kjo nuk ndodhi rastësisht.

Në nëntor të vitit 2024, shembja e një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 16 personave. Dyshimet për korrupsion dhe papërgjegjësi institucionale e ndezën një revoltë që u shndërrua në lëvizjen më të madhe studentore në historinë e re të Serbisë.

Studentët e bllokuan universitetin, organizuan marshime, shkuan nëpër qytete, u përballën me propagandën e pushtetit dhe me dhunën e policisë.

Mirëpo, ata e bënë edhe një gjë tjetër, shumë më të rëndësishme.

Nuk u ngutën për ta marrë pushtetin.

Nuk e trajtuan çdo protestë si natën e fundit të Vuçiqit. Nuk kishin nevojë ta digjnin parlamentin për të dëshmuar se ishin seriozë. E ndërtuan organizimin, e fituan besimin e qytetarëve dhe pastaj e krijuan një listë zgjedhore që e përfaqësonte revoltën.

Dhe këtu është një detaj që shumë shqiptarë nuk e dinë.

Lista e Studentëve nuk është thjesht një listë studentësh. Në të ka profesorë universitarë, ekonomistë, mjekë, sportistë, intelektualë dhe personalitete të tjera publike. Studentët e përdorën kredibilitetin e tyre për të përzgjedhur një alternativë politike.

Në Shqipëri, ndërkohë, kemi diçka krejt tjetër.

Kemi protestues që kanë arsye plotësisht legjitime për të qenë të revoltuar. Kemi studentë që ankohen për universitetet, për mungesën e perspektivës dhe për kushtet e jetesës. Kemi një qeveri të konsumuar, një ekonomi ku pasuria është përqendruar në duar të caktuara dhe një mori skandalesh korruptive.

E pastaj, mbi të gjitha këto, kemi një opozitë që lufton më shumë me vetveten sesa me Edi Ramën.

Sali Berisha nuk merret vesh me Arlind Qorin. Arlind Qori nuk ka arsye të bashkohet politikisht me Berishën. Agron Shehaj pretendon një alternativë tjetër. Grupe të ndryshme e konsiderojnë veten pronare të revoltës, ndërkohë që të tjerët akuzohen për tradhti, për shitje ose për bashkëpunim me pushtetin.

Për t’u marrë vesh se Edi Rama duhet të largohet, nuk nevojitet ndonjë inteligjencë e jashtëzakonshme.

Pyetja është çka ndodh pasi të largohet.

Paramendojeni sikur Edi Rama të dalë nesër në televizion dhe të thotë se po jep dorëheqje.

Çka ndodh pas kësaj?

Kush e drejton qeverinë e përkohshme? Kandidati i Berishës, i Qorit apo i Shehajt? Kush e propozon kryeministrin? Kush e garanton marrëveshjen? Kush e përfaqëson revoltën? Kush i organizon zgjedhjet?

Nuk ka përgjigje.

Ose, më saktë, secili e ka një përgjigje tjetër.

Prandaj unë mendoj se, në Shqipëri, një prej njerëzve që më së shumti e ndihmon Edi Ramën të qëndrojë në pushtet është pikërisht Sali Berisha.

Jo për shkak se Berisha e do Ramën. Përkundrazi. Por për shkak se Berisha nuk e ka ndërmend të sakrifikojë asgjë nga vetja për ta mundur atë.

Në Serbi, partitë tradicionale opozitare u lanë në hije nga një lëvizje që arriti të bëhej qendra e ndryshimit. Në Shqipëri, politikanët tradicionalë duan që ndryshimi të ndodhë vetëm nëse ata janë përfituesit kryesorë.

Ky është dallim kolosal.

Edi Rama nuk ka nevojë të jetë një gjeni politik për ta shfrytëzuar këtë situatë. Atij i mjafton t’i shikojë kundërshtarët duke u përçarë dhe të presë.

Problemi tjetër është dhuna.

Unë i mbështes protestat kundër Edi Ramës. I kam mbështetur edhe protestat e mëhershme të Flamingove, pavarësisht rezervave që kam pasur për disa prej kërkesave të tyre. Protesta është e drejtë themelore demokratike dhe askush nuk duhet ta mohojë këtë të drejtë.

Mirëpo nuk ka kurrfarë lidhjeje logjike ndërmjet së drejtës për të protestuar dhe së drejtës për t’i djegur institucionet publike.

Nuk mund ta bindësh qytetarin se po kërkon një shtet më të mirë, duke ia shkatërruar shtetin që e ka.

Nuk mund ta bindësh një pronar lokali se ti po lufton kundër korrupsionit, ndërkohë që atij ia djeg biznesin.

Nuk mund ta bindësh një student që po kërkon universitet më të mirë, duke ia djegur ndërtesën e institucionit ku ai studion ose duke ia shkatërruar qytetin.

Dhe nuk mund ta trajtosh çdo polic si armik vetëm për shkak se është i veshur me uniformë.

Sigurisht, edhe policia ka përgjegjësi. Përdorimi i forcës duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional. Çdo tejkalim, çdo goditje e panevojshme dhe çdo lëndim i shkaktuar nga veprime të paligjshme duhet të hetohet.

Pamjet e protestuesve të lënduar në Shqipëri janë shqetësuese. Po aq shqetësuese janë edhe pamjet e policëve që sulmohen nga turma.

Por unë nuk pranoj që dhuna e njërës palë ta legjitimojë automatikisht dhunën e palës tjetër.

Ky nuk është revolucion. Kjo është rrugë drejt kaosit.

Dhe këtu rikthehemi te Serbia.

Studentët serbë e kuptuan se nuk kishin nevojë ta fitonin çdo përplasje me policinë për ta fituar betejën politike. U mjaftonte ta fitonin publikun. U mjaftonte ta shndërronin pakënaqësinë në një shumicë zgjedhore.

Në fund, Aleksandër Vuçiqi, një njeri që për vite ishte akuzuar për kontroll të institucioneve, mediave dhe sistemit elektoral, i humbi zgjedhjet dhe e pranoi humbjen.

Kjo duhet të jetë mësim për të gjithë ata që thonë se Edi Rama nuk mund të mundet në zgjedhje.

Mundet.

Natyrisht se mundet.

Por nuk mundet nga njerëz që nuk merren vesh ndërmjet vete as për atë se kush do të duhej ta zëvendësonte.

Një tjetër çështje për të cilën debatuam gjatë ishte ajo e drejtësisë në Shqipëri.

Unë nuk jam ndonjë simpatizant i Edi Ramës. Nuk kam nevojë ta mbroj një kryeministër që po hyn në vitin e katërmbëdhjetë të pushtetit të tij.

Përkundrazi, mendoj se Shqipërisë do t’i bënte mirë një ndryshim politik.

Por nuk kam ndërmend ta mohoj një fakt të rëndësishëm vetëm për shkak se ai fakt mund t’i shërbejë përkohësisht edhe propagandës së Ramës.

Shqipëria sot ka një mekanizëm të drejtësisë që po i ndjek penalisht edhe njerëzit më të fuqishëm të pushtetit.

Next Post
Të gjithë sytë nga Izraeli, Netanyahu përballë zgjedhjeve dhe mbijetesës së tij politike!

Të gjithë sytë nga Izraeli, Netanyahu përballë zgjedhjeve dhe mbijetesës së tij politike!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

SHBA-të kanë plane për sulme të mëdha ndaj Iranit

SHBA-të kanë plane për sulme të mëdha ndaj Iranit

October 27, 2026
“Dhuna rrezikoi vendin, Berisha përkrahu Antifa-n!”- Frrok Çupi: Protesta në Beograd, ndryshe nga e Tiranës! Atje protestuan studentë, këtu huliganë

“Dhuna rrezikoi vendin, Berisha përkrahu Antifa-n!”- Frrok Çupi: Protesta në Beograd, ndryshe nga e Tiranës! Atje protestuan studentë, këtu huliganë

October 27, 2026
“Problem, klima dhe imazhi i krijuar nga dhuna”- Fatura e protestave, eksperti Ribaj: Bankat, pasiguri edhe për kreditimin! Situata…

“Problem, klima dhe imazhi i krijuar nga dhuna”- Fatura e protestave, eksperti Ribaj: Bankat, pasiguri edhe për kreditimin! Situata…

October 27, 2026
Rrjedhja e informacionit të klasifikuar, SHBA ngre akuza të reja ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey!

Rrjedhja e informacionit të klasifikuar, SHBA ngre akuza të reja ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey!

October 27, 2026
Revista franceze: Nga Berati në Ksamil, udhëtimi që zbulon Shqipërinë e vërtetë

Media britanike i bën jehonë Shqipërisë: Një ndër destinacionet më ekonomike për pushime në Evropë!

October 27, 2026
Rubio pas kthimit të Machado-s në Venezuelë: Me demonstrata në rrugë, nuk arrihet demokracia

Rubio pas kthimit të Machado-s në Venezuelë: Me demonstrata në rrugë, nuk arrihet demokracia

October 27, 2026
“Shajeni Ramën sa të doni, por shteti duhet ruajtur”, analisti krahason opozitën shqiptare me Le Pen në Francë

“Dhuna në protestë nga ‘grupi i zjarrit’ të Berishës”- Avokati: SPAK ka fuqizuar krimin dhe kriminelët e Saliut, ai është përgjegjës për…!

October 27, 2026
Izraeli mban zgjedhjet vendimtare në klimë të tensionuar, ja çfarë tregojnë sondazhet për përballjen Netanyahu-Eisenkot!

Izraeli mban zgjedhjet vendimtare në klimë të tensionuar, ja çfarë tregojnë sondazhet për përballjen Netanyahu-Eisenkot!

October 27, 2026
Trump ngre dyshime për rezultatin në Brazil, vë në pikëpyetje fitoren e Lulës: Duken si zgjedhje të manipuluara

Trump ngre dyshime për rezultatin në Brazil, vë në pikëpyetje fitoren e Lulës: Duken si zgjedhje të manipuluara

October 27, 2026
“Do të rrëmbej avionin”, ndërpritet fluturimi drejt Nju Xhersit pas mesazhit kërcënues, arrestohet 25-vjeçari

“Do të rrëmbej avionin”, ndërpritet fluturimi drejt Nju Xhersit pas mesazhit kërcënues, arrestohet 25-vjeçari

October 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In