Të enjten pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Shenzhen me homologun e tij amerikan Donald Trump, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve Ekonomikë të APEC-ut.
Gjatë takimit, presidenti Xi u shpreh që, në disa muajt e fundit, ai dhe presidenti Trump kanë eksploruar së bashku mënyrën e duhur të bashkëjetesës së Kinës dhe ShBA-së si dy fuqi të mëdha, duke krijuar marrëdhënie konstruktive, strategjike e të qëndrueshme të bazuara mbi respektin, drejtësinë dhe barazinë midis të dy vendeve. Ruajtja e qëndrueshmërisë së marrëdhënieve Kinë-ShBA u ka sjellë popujve të të dy vendeve përfitime, duke i sjellë qëndrueshmëri dhe siguri botës.”
Xi Jinping theksoi në vijim që krijimi i marrëdhënieve konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme Kinë-ShBA është një nismë e pashoqe dhe pioniere, e cila kërkon guxim dhe veprime konkrete. Roli udhëheqës i diplomacisë së krerëve të shtetit Kinë-ShBA është i pazëvendësueshëm. Për të zgjatur prirjen e mirë të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, duhet të ndërmerren veprime për zbatimin e mendimeve unanime të arritura nga dy liderët. Duhet të zgjatet lista e bashkëpunimit dhe të shkurtohet lista e problemeve, ndërsa mosmarrëveshjet që nuk mund të zgjidhen përkohësisht, duhet të kontrollohen në mënyrë konstruktive, për të parandaluar përshkallëzimin e tyre. Për problemin e Tajvanit, pala amerikane duhet të këmbëngulë në bërjen e gjërave të duhura për të shmangur pengesat e mëdha në marrëdhëniet kino-amerikane. Në fushën ekonomiko-tregtare, të dy vendet duhet të forcojnë komunikimin e të trajtojnë shqetësimet e njëri-tjetrit, duke synuar arritjen e përfitimeve të përbashkëta. Bashkëpunimi dypalësh në fushat e kontrollit të drogës, të riatdhesimit të emigrantëve të paligjshëm dhe të luftës kundër mashtrimeve në telekomunikacion e në internet ka pasur rezultate të frytshme, u shpreh presidenti kinez, duke shtuar që ky bashkëpunim duhet të vazhdojë sipas parimeve të respektit, drejtësisë dhe barazisë. Kina dhe ShBA-ja duhet të forcojnë koordinimin për të parandaluar rreziqet e sigurisë për sa i përket inteligjencës artificiale, me qëllim që të sigurohet vendosja e AI-së nën kontrollin e njerëzve.
Nga ana e tij, presidenti Donald Trump u shpreh se gjatë mbi 40 vjetëve pas vendosjes së lidhjeve diplomatike, marrëdhëniet ShBA-Kinë kanë pasur përparime të dukshme. Marrëdhëniet midis dy vendeve në sektorët e tregtisë dhe të investimeve janë forcuar pandërprerë, ndërsa bashkëpunimi dypalësh në fusha të tilla si fentanili ka pasur rezultate. Dy palët duhet të ruajnë prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve ShBA-Kinë dhe të forcojnë bashkëpunimin në fushat e produkteve bujqësore, energjetikës, superinteligjencës etj., duke trajtuar në mënyrë të barabartë shqetësimet e njëri-tjetrit. ShBA-ja nuk e mbështet “pavarësinë e Tajvanit”, theksoi Trump. Ai e uroi Kinën për organizimin me sukses të Takimit të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, duke theksuar që ShBA-ja dhe Kina janë të dyja fuqi të mëdha dhe duhet të drejtojnë dhe nxitin së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë e botës.
Të dy palët ishin të mendimit që ky ishte një takim aktiv dhe konstruktiv dhe ranë dakord për hartimin e planit të veprimit për marrëdhëniet konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme, duke zbatuar mendimet unanime të arritura nga dy liderët, për të vendosur marrëdhëniet konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme midis Kinës dhe ShBA-së të bazuara mbi respektin, drejtësinë dhe barazinë.
Të dy krerët e shtetit shkëmbyen gjithashtu mendime për çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.











